Banner

Të fillojmë me sqarimin e metodës, të cilën ndjek mendimi islam



Neve, para çdo gjëje na duhet të theksojmë një të vërtetë që ka rëndësi të madhe kur jemi duke folur për këtë çështje, e ajo është se faktori i parë që bëri Mendimin Islam t'i nënshtrohet një metode shkencore të thukët gjatë hulumtimit siç do ta shohim pak më vonë, është faktori fe. Sikur të mos ishte feja, muslimanët nuk do ta ngarkonin veten me një barrë kaq të rëndë, për të gjetur një metodë që kërkon shumë kohë dhe mund të madh, e duke mos sjell fitime materiale të caktuara dhe pastaj ata e morën atë me kujdes të madh deri kur ajo bëhet terminologji e pranuar dhe pikëtakimi për të gjithë.

Ky motiv fetar perceptohet në shumë tekste të librit të All-llahut, si fjala e All-llahut: "Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të parët dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi", (Junus, 36).

Gjithashtu për këtë flet edhe fjala e All-llahut, e cila dënon disa popuj që logjikën e tyre e kanë zhytur në humnerat e supozimeve dhe të dyshimeve pasoja e të cilave është mbulimi i të vërtetës: "Shumica e tyre nuk përkojnë tjetër pos supozim, e supozimi nuk është asgjë ndaj të vërtetës. All-llahu di shumë mirë për atë që punojnë", (Junus, 36).

Ti tashmë e sheh shumë mirë se si nga ky shtytës, dukshëm perceptohet ndalesa që njeriu të përvetësojë ndonjë mendim, qoftë edhe për çështjet e fesë nëse ajo nuk është e vërtetuar me logjikë të pastër e të kulluar, duke u mbështetur në argumente bindëse, e cila ka për detyrë të shpalosi të vërtetën që hulumtohet.

Mu për këtë, dijetarët e teuhidit (monoteizmit) kanë theksuar se: për të qenë besimi i besimtarit në rregull, duhet të ngrihet patjetër në shtyllat e bindjes së pastër shkencore e jo në imitimin e verbër.

Kjo është kështu, për arsye se e vërteta shkencore (sipas gjykimit të fesë) [1] konsiderohet apogjeu dhe burimi i ideve. Nga ana tjetër, arsyeja vazhdimisht duhet t'i nënshtrohet dhe të sillet rreth saj. Argument për konsideratën e kësaj që thamë, kemi atë që vetë feja nuk pranon madje edhe ekzistimin dhe shenjtërimin e vet përveçse kur mbështetet në shtyllat dhe argumentet e shkencës. Njëkohësisht, feja (Islami) nuk pranon që gjykues për të të jetë diçka tjetër jashtë shkencës.

E gjithë kjo na jep të kuptojmë se Islami si fe, hulumtimin për të vërtetën e mbështet vetëm në kriterin e shkencës dhe të mendimit empirist. Së këtejmi jomuslimani hulumtimin e të vërtetës e bën i shtyrë nga dëshira për të zgjeruar horizontin e diturisë, ndërsa muslimani këtë e ndërmerr, duke e ndierë në vete si detyrim, për të cilin shpërblehet nëse e kryen dhe dënohet nëse e le pas dore.

Pra, mendimi islam e gjen veten para një detyrimi fetar dhe që është domosdoshmëria për të hulumtuar të vërtetën, qoftë ajo e llojit të transmetimeve apo të tezave. Natyrisht ngarkimi me këtë detyrë kërkon ndërmarrjen e një metode për hulumtim. Dihet se sa më tepër që synimi të jetë i pastër dhe i shëndoshë në mënyrë që të mos gjykojë diçka tjetër pos mendjes së shëndoshë, atëherë edhe metoda deri tek ajo është e pastër dhe e shëndoshë dhe duke mos futur aty diçka tjetër pos arsyes.

Megjithatë ne nuk gjykojmë me shpejtësi e të themi se metoda shkencore e muslimanëve, është metodë e shëndoshë dhe e pastër ku mbizotëron mendja e shëndoshë. Por qëllimi ynë është që të analizojmë këtë metodë e pastaj të japim gjykimin për të.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të vërtetat e patundshme të besimit islam".

[1] - Ne këtu me fjalën fe kemi për qëllim në veçanti Islamin sepse është e ditur se midis Islamit dhe feve të tjera ka dallime të mëdha në këtë vështrim.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...