Banner

JoMedhhebizmi: Parathënia e botimit të dytë 4.1



4. - Tash shfletoj këtë libër dhe shoh se nuk ka nevojë që të ndërroj asnjë rresht, po ashtu shoh se nuk ka nevojë që diçka të shtoj, pos kësaj parathënie dhe disa komenteve rreth diskutimit tim që ka ndodhur mes mua dhe shejh Naser El-Albanit (shqiptar), pas botimit të parë të këtij libri.

Sikur dikush të kishte sjellur ndonjë argument rreth ndonjë çështje, ose ndonjë sqarim rreth diçkaje që gjendet në të, do të kisha sqamar ose ndryshuar, mirëpo, mua nuk më ka aritur ndonjë kundërshtim nga ata që më kundërshtojnë në këtë që e kam thënë, po ashtu nuk më ka arritur ndonjë kërkesë për sqarim nga ata që kërkojnë ribotimin e librit. [1]

E gjithë ajo që ka ndodhur ishte se shejh Naser El-Albani kishte shprehur dëshirë që të takohemi e të japë mendimin e tij rreth këtij libri. U takuam, i dëgjova vërejtjet dhe mendimet e tij dhe vërejta se ato përfshihen në dy çështje:

E para: titulli i këtij libri: "Jomedhhebizmi -bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam-". Sipas mendimit të tij, unë nuk kisha sjellur në këtë libër diçka që vërteton këtë titull të rrezikshëm!

E dyta: se unë -sipas tij- nuk kam kuptuar dallimin e El-Haxhnediut në broshurën e tij për të cilën kam shkruar këtë libër si përgjigje ndaj saj. Ai, sipas mendimit të shejh Naserit, nuk kundërshton realitetin dhe zhvillimin e medhhebeve e as që kundërshton imitimin e tyre, për atë që nuk ka arritur gradën e muxhtehidit, por ai kundërshton fanatizmin duke anashkaluar argumentin, të cilin e ka kuptuar. Kjo është çështje të cilën e pranojmë që të dy dhe për këtë nuk ka nevojë për gjithë këtë revolucion ndaj tij!

Këto ishin shkurt vërejtjet e tij që i shprehu në takimin që ndodhi mes nesh e që zgjati tri orë.

Në lidhje me çështjen e parë i thashë: libri në tërësi vërteton titullin. Çështjen më të rëndësishme që kam pasur për qëllim ta sqaroj në këtë libër është se muslimanët që nuk kanë arritur atë gradë që të marrin drejtëpërdrejtë prej Kur'anit dhe sunnetit, në kohën e sahabëve, tabiinëve dhe atyre që vijnë pas tyre, e kanë obligim që ata të imitojnë medhhebin e ndonjë imami prej imamëve, të cilët e kanë arritur këtë gradë. Individi në këtë rast ka të drejtë që gjithnjë të imitojë një imam të caktuar si dhe ka të drejtë që të kalojë në imitimin e tjetrit.

Në mesin e sahabëve ka pasur të tillë që nuk kanë pranuar fetva prej askujt përpos prej Ibn Abbasit. Asnjë hulumtues nuk ka mundur të gjejë se nga mesi i sahabëve ka pasur ndonjë që ka kundërshtuar këtë imitim. Banorët e Irakut një kohë të gjatë kanë jetuar duke imituar medhhebin e Abdullah ibn Mes'udit, të përfaqësuar në vetë personalitetin e tij ose më pas në personalitetin e nxënësve të tij, pa i kundërshtuar askush prej dijetarëve.

Po ashtu banorët e Hixhazit një kohë të gjatë kanë jetuar duke imituar medhhebin e Abdullah ibn Omerit, nxënësve dhe shokëve të tij, pa i kundërshtuar asnjë prej dijetarëve. Për një kohë të gjatë, Ata' ibn Ebi Rebah dhe Muxhahidi ishin të vetmit që jepnin fetva në Meke. Lajmëruesi i halifes bërtiste se nuk lejohet që dikush t'u japë fetva njerëzve pos këtyre dy imamëve. Asnjë prej dijetarëve të tabiinëve nuk e kishte kundërshtuar halifen e as njerëzit në këtë çështje.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

[1] - Këtë parathënie e kam shkruar para se të shoh përgjigjen që e kanë shkruar zotërinjtë: Naseri, Mahmud Mehdi Istanbuli dhe Hajredin Vanliu në librin me "Medhhebizmi i fanatizuar, ai është bid'at". Më pas ky libër më ra në duar, për të cilin kam shkruar një shtojcë në fund të librit.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...