Banner

Si përdoret kjo Armë? 3



Për shkak të gjithë kësaj në këtë libër do të bëjmë fjalë për pozitën e femrës në Islam, por jo përmes mbrojtjes së dobët e cila dëgjohet nga banka e të akuzuarve, porse përmes brengosjes së sinqertë për fatin e femrës perëndimore sot. Ky do të jetë gjurmim i asaj kush do të mund të shpëtojë nga tirania e sistemit perëndimor.

Kur bëhet fjalë për nocionin "të drejtat", sa shumë vezullon kjo shprehje në të gjitha shoqëritë perëndimore, sa shumë i mbulon faqet e gazetave të atjeshme, sa shumë libra e ligjërata janë shkruar lidhur me këtë ...

Mirëpo, esenca e kësaj fjale e cila ka qenë dhe akoma është bërthama e vetë humanitetit, madje edhe vetë fryma e saj, tërësisht është tretur në shumësinë e fjalëve, është harruar dhe braktisur në mesin e errësirës së dendur e cila e ka mbuluar tërësisht shkëlqimin e terminologjisë diplomatike dhe shprehjeve hipokrite të respektit.

Në këtë libër ne do të merremi me të vërtetën. Arsyeshmërinë tonë nuk do ta verbojë shkëlqimi i terminologjisë dhe formës. Ne për arsyetimin tonë e kërkojmë vetëm të vërtetën. Të drejtën e gjykimit të pohimeve do t'ia lëmë vetëm masave të logjikës dhe drejtësisë.

Duhet të theksoj se fjalimi im në kaptinat vijuese temë qendrore do ta ketë "Pozitën e femrës në islam", krejt me qëllim të studimit të validitetit të pohimit se Islami e injoron rolin e femrës dhe se i shkel shumë të drejta të saj.

Këtu nuk do të marrim parasysh zakonet e xhahilijjetit (paraislamike) që mund të hasen edhe sot në disa shoqëri islame dhe të cilët fatkeqësisht shpesh i anashkalojnë dispozitat dhe masat e Islamit, siç është rasti me shumë fshatra ku mbretëron injoranca. Nuk do të trajtojmë këtë problematikë, sepse qëllimi ynë është të paraqesim dhe shpjegojmë të vërtetën, dhe jo të mësojmë për Islamin nga gabimet e atyre të paudhëve dhe atyre që janë larguar prej tij.

Megjithatë, në fund të këtij libri do të përmendim disa prej këtyre zakoneve islame, e pastaj do të shpjegojmë sa janë absurde dhe larg nga rruga e Islamit dhe Sheriatit të tij, duke dëshmuar domosdoshmërinë e lirimit prej tyre. Ftoj të gjithë ata të cilëve u është besuar pushteti të ndikojnë në pastrimin e shoqërive tona islame nga zakonet e tilla dhe rudimenteve të tyre.

Falënderoj Allahun, xh.sh., në dorën e cilit është çdo gjë dhe i cili më ka ngjallur duke më dhënë sukses që këtë studim ta plotësoj në firmë të shkruar, që më ka nderuar dhe ndihmuar të mbaj një varg ligjëratash në Televizionin e Republikës Arabe të Sirisë në kuadër të programit të njohur javor Mësimi i Kur'anitqë emitohet të mërkurave.

- O Zot, të lutem të mos më lesh vetëm në atë që shkruaj dhe mendoj.

- O Zot, të lutem t'më mbrosh nga sprova e pasimit të epsheve, bindjes ndaj mrekullive dhe kërkesave njerëzore.

- O Zot, të lutem që kënaqësinë Tënde me mua ta bësh qëllim timin përfundimtar në gjithçka që flas dhe bëj.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Selim SYLEJMANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Femra midis tiranisë së sistemit perëndimor dhe mëshirës së ligjit hyjnor".

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...