Banner

Burimi i detyrimeve dhe drejtave të femrës në sheriat 1



Sa i përket detyrimeve të cilat Sheriati ia beson femrës, burimi i tyre është një, e ai është nënshtrimi i saj ndaj Allahut, xh.sh..

Nënshtrimi i njeriut ndaj Allahut, xh.sh., është një nga të vërtetat e parë të besimit islam, madje, ajo është një nga të vërtetat e para të ekzistimit dhe më evidentja prej tyre. Nënshtrimi vetëm Allahut, xh.sh., është një nga pasojat e para të besimit të fortë për ekzistimin e Allahut, xh.sh., këtu nuk kemi për qëllim të diskutojmë rreth kësaj së vërtete as të sjellim dëshmi që e konfirmojnë këtë. Është e qartë se lidhur me këtë pyetje nuk ka kurrfarë dallimi midis mashkullit dhe femrës meqenëse nënshtrimi është një lloj posedimi. S'ka dyshim se edhe mashkulli edhe femra janë pronësi e Allahut, xh.sh., Krijuesit të çdo gjëje. Prandaj nënshtrimi i tyrë ndaj Allahut, xh.sh., në esencën dhe përmasën e vet është një, kështu që nuk ka hapësirë të mendosh ndonjë dallim midis mashkullit dhe femrës në këtë.

Pasoja që del nga kjo më së miri vërehet në atë se obligimet me të cilat Allahu, xh.sh., i obligon të gjithë robërit e vet meshkuj janë të njëjtë me ato me çka i obligon robërit femra.

Shumë shpesh këto detyrime quhen të drejta të Allahut, xh.sh. Shembull për këtë është hadithi i Pejgamberit, s.a.v.s., të cilin e transmeton Muadhi, r.a., e në të cilin thuhet: "E drejta e Allahut, xh.sh., ndaj robërve të Tij është që t'i nënshtrohen dhe të mos i përshkruajnë Atij shok, ndërsa e drejta e robërve te Allahut, xh.sh., nëse i nënshtrohen dhe nuk i përshkruajnë shok është të mos i ndëshkojë"? [1]

Ky hadith përfshin atë që këtu e quajmë drejtat dhe detyrimet, duke quajtur të parën të drejtat e robërve, kurse të dytën të drejtat e Allahut, xh.sh., të gjithë dispozitat dhe principet që i lexon në Sheriat gjenden ose në fushën e detyrimeve, gjegjësisht asaj që e quajmë e drejtë e Allahut ose në rrafshin e të drejtave, gjegjësisht asaj që e quajmë të drejtat e robërve.

Nëse mendon për fjalët e Pejgamberit, s.a.v.s., nga hadithi i përmendur: "E drejta e Allahut, xh.sh., karshi robërve të vet ...", do të kuptosh që fjala "robër" nuk ka të bëjë vetëm me meshkuj, por me femra dhe meshkuj për shkak të vetë përgjithësisë së tyre. Kjo e konfirmon të dhënën se në detyrimet me të cilët Allahu, xh.sh., i obligon robërit e Tij nuk ka dallim as për femra as për meshkuj.

Dikush lidhur me këtë mbase mund të deklarojë: "Përse Allahu, xh.sh., atëherë i obligon meshkujt për një detyrë të çaktuar për të cilat nuk i detyron femrat dhe përse u cakton femrave atë që nuk ia cakton meshkujve"? Shembull për të parën do të ishte mbajtja e familjes dhe kryerja e namazit të xhumasë. Me këtë janë obliguar vetëm meshkujt. Shembull për të dytën do të ishte obligimi i rritjes së fëmijëve dhe obligimi i mbulimit para meshkujve që nuk janë farefis i gruas. Me këtë janë obliguar vetëm femrat.

Përgjigja do të ishte se ky dallim nuk del nga ndryshimet midis gjinisë së mashkllit dhe femrës, gjegjësisht midis mashkullit dhe femrës. Ajo del nga faktorët e jashtëm lidhur me urtësi dhe interesa për të cilët këto obligime përgjithësisht caktohen.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Selim SYLEJMANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Femra midis tiranisë së sistemit perëndimor dhe mëshirës së ligjit hyjnor".

[1] - Teksti i hadithit në tërësi është: "Pejgamberi i Allahut, s.a.v.s., kishte pyetur: 'O Muadh, a di cila është e drejta e Allahut, xh.sh., ndaj robërve të Tij'? Ndërsa ky u përgjigj: 'Allahu dhe Pejgamberi i Tij e dinë më së miri'. Pastaj Pejgamberi foli: 'T'i nënshtrohen Allahut, xh.sh., dhe të mos i përshkruajnë shok'. Pastaj e pyeti sërish: 'Po a di cila është e drejta e tyre tek Allahu, xh.sh.'? Ky u përgjigj: 'Allahu dhe Pejgamberi iTij e dinë më së miri'. Atëherë Pejgamberi, s.a.v.s., tha: 'Që të mos i dënojë'", (transmeton Muslimi).

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...