Banner

Burimi i detyrimeve dhe drejtave të femrës në sheriat 2



Namazi i xhumasë, për shembull, është caktuar me qëllim të forcimit të unitetit të myslimanëve dhe pajtimit të tyre. Vlera e kësaj urtësie del në pah vetëm atëherë kur kjo nuk është për shkak i lënies anash të ndonjë interesi të rëndësishëm. Në rast të paraqitjes së ndonjë interesi më me rëndësi në mënyrë kategorike pushon detyra e kryerjes së namazit të xhumasë nën ndikim të këtij interesi, pavarësisht nëse bëhet fjalë për falësin mashkull apo femër. Mashkulli prezenca e cilit në namazin e xhumasë kërkon ta lerë të sëmurin për të cilin kujdeset, nëse nuk ka kush ta zëvendësojë, nuk është i detyruar ta kryejë namazin e xhumasë për shkak të drejtës së tij. Më parësore është të qëndrojë afër të sëmurit të bisedojë dhe të kujdeset për të.

Meqenëse prezenca e femrës në xhami dhe kryerja e namazit të xhumasë prej saj supozon lënien anash të interesit i cili nënkupton kujdesin dhe brengën për femijët e saj, për të pushon të vlejë detyrimi i kryerjes së namazit të xhumasë për arsye plotësisht të njëjtë për të cilën ky obligim ka rënë nga mashkulli në rastin e përmendur. Ajo që është me rëndësi është se veçoria e gjinisë femërore nuk ka pasur kurrfarë roli në pushimin e detyrimit, si veçoria e gjinisë mashkullore nuk luan kurrfarë roli në konfirmimin e tij.

Dëshmia më e qartë për këtë është fakti që nëse gruaja bashkë me meshkujt prezanton në kryerjen e namazit të xhumasë, xhumaja e saj është valide dhe ia kompenson namazin e drekës. Në këtë rast ajo është tërësisht e barabartë me mashkullin e cili ka arsye të ligjshme të mos prezantojë, por megjithatë shkon në namazin e xhumasë dhe e kryen atë. Kjo është zëvendësim. Kurse rregull për këtë është që secili namaz i drekës i cilit është valid, valid është edhe namazi i xhumasë. [2]

Sa i përket obligimit të mbajtjes së familjes, bashkëshortit dhe fëmijëve, ajo është vënë në detyrim të mashkullit, qoftë babait apo burrit, por jo dikujt tjetër sepse ai ndikon në mënyrë direkte në procesin e fitimit të pasurisë dhe furnizimit. Kjo është ligjësi e cila do të mbetet deri Ditën e gjykimit për shkak të urtësive shoqërore dhe arsyeve të cilat, me ndihmën e Allahut, xh.sh., do t'i shpjegojmë kur të vijë koha për këtë. Arsyeja më kryesore për ekzistimin e kësaj ligjësie është pavarësisht në ndryshimin e zakoneve dhe zhvillimin e civilizimeve, është ai që femra nëse në këtë detyrim do të ishte e barabartë, detyra e saj më e shenjtë - përkujdesja për fëmijët dhe edukimin e tyre në mënyrë të drejtë - do të lihej anash. Mashkulli nuk është në gjendje ta zëvendësojë gruan në këtë. Është me rëndësi të dihet se përkatësia e tyre një gjinie të caktuar në këtë ndarje të detyrimeve nuk ka asnjë rol. Faktori kryesor është shkaku të cilin e cekëm më sipër.

Njësoj mund të themi për detyrimet e luftës në rrugën e Allahut, xh.sh., xhihadin. Njëri prej kushteve më kryesorë të këtij detyrimi është që kryerja e tij të mos kërkojë lënien anash të detyrimeve të tjera, me rëndësi më prioritare apo të njëjtë. Nëse xhihadi nënkupton siç u theksua detyrimi pushon për këtë arsye pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për luftëtarin - muxhahidin mashkull apo për femër.

Shembulli i zbatimit ë kësaj dispozite për meshkujt e hasim në fjalët e Pejgamberit të Allahut, s.a.v.s., drejtuar njeriut i cili i kishte ardhur duke kërkuar leje për të shkuar në xhihad: "A i ke gjallë prindërit"? Burri u përgjigj: "Po". Pastaj Pejgamberi, s.a.v.s., i tha: "Xhihadin tënd e ke në bamirësinë ndaj tyre"! [3] [*]

Lirimi i femrës nga detyrimi i xhihadit është pjesë përbërëse e vetë dispozitës. Sepse shkuarja në xhihad do të kërkonte prej saj të braktisë atë që është më me rëndësi se kjo - kujdesin për fëmijët e vet. Përkatësia gjinisë mashkullore dhe femërore në këtë rast nuk luan kurrfarë roli.

Dëshmi për pohimin tonë është situata në të cilën rëndësia e xhihadit ngritet në nivel të luftës së përgjithshme mbrojtëse e cila është shkaktuar nga agresioni i armiqve të Islamit kundër trojeve dhe të drejtës së myslimanëve. Në këtë rast xhihadi bëhet detyrim për të gjithë, sepse rëndësia e tij është mbi çdo interes tjetër. Në situatë të tillë xhihadi nuk mund të jetë detyrim për disa grupe, pos të tjerëve, siç është rasti kur zhvillohet jashtë shoqërisë islame.

Njësoj mund të thuhet për kujdesin për fëmijët, detyrim e cila i është besuar femrave, dhe jo të tjerëve ose për detyrimin e mbulimit e cila e obligon femrën por jo mashkullin.

Nëse meshkujt do të ishin të obliguar të kujdesen për fëmijët kjo do të kërkonte prej tyre të lënë anash atë që është më me rëndësi në raport me këtë, e ajo është përmbushja e detyrimeve shoqërore dhe ekonomike të cilat femrat, në të shumtën e rasteve, nuk janë në gjendje t'i kryejnë.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Selim SYLEJMANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Femra midis tiranisë së sistemit perëndimor dhe mëshirës së ligjit hyjnor".

[2] - Burhanuddin el-Merginani, "El-Hidaje", v.I, f.59, Ed-Derdiri, "Esh-Sherhu-s-Sagiru", v.I, f.494.
[3] - E transmetojnë Buhariu dhe Muslimi nga Abdullah b. Amri b. el-Asi. Në versionin e Muslimit thuhet se një njeri kishte ardhur te Pejgamberi, s.a.v.s., dhe i kishte thënë: "Po të bëj betimin se hixhrën në rrugën e Allahut, xh.sh., do ta bëj edhe në xhihad të shkoj duke kërkuar shpërblimin e Allahut, xh.sh.". Pas kësaj Pejgamberi, s.a.v.s., e pyeti: "A e ke gjallë ndonjërin prej prindërve"? Ky u përgjigj: "Po, të dytë janë gjallë". Kurse Pejgamberi, s.a.v.s., e pyeti sërish: "A po kërkon shperblim nga Allahuy xh.sh."? Ky u përgjigj: "Po". Atëherë Pejgamberi, s.a.v.s., i tha: "Kthehu tek ata dhe sillu mire me ta".
[*] - Bëhet fjalë për dërgimin e Pejgamberit, s.a.v.s., në ekspedita luftarake, në këtë rast nuk janë të gjithë meshkujt të detyruar të luftojnë siç është rasti me luftën mbrojtëse gjithëpopullore, d.m.th., kur kundër myslimanëve kryhet agresion, (vër. e përkth.).

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...