Banner

Burimi i detyrimeve dhe drejtave të femrës në sheriat 3



Sa i përket detyrimit të mbulimit, sikur femrën do të joshte një mashkull aq sa e tërheq ajo atë, detyrimi i mbulimit me siguri do të ishte edhe mashkullit si femrës. Mirëpo Allahu, xh.sh., i cili krijoi robërit e Vet meshkujt dhe femrat me ato veçori dhe synime të cilat deshi Vetë, e ka ditur që vetitë dhe karakteristikat e mashkullit të cilat e nxitin pasionin te femra nuk janë të njëjta me vetitë dhe karakteristikat e femrës të cilat tek mashkulli nxitin pasion. Për këtë arsye detyrimet dallojnë në pajtim me vetitë dhe joshjet midis tyre.

Pos kësaj, ky detyrimi, në masë të konsiderueshme, është i përbashkët sa i përket kësaj çështje te mashkulli dhe femra. Edhe atë në mbulimin e vendeve të turpit prej kërthizës deri nën gju. Arsye për këtë është joshja e njëjtë dhe ndikimi i kësaj pjese të turpit tek të dy palët.

Shkurt, dallimi seksual midis mashkullit dhe femrës, vetvetiu nuk ka ndikim në dallimin e përcaktimit të detyrimeve midis mashkullit dhe femrës. Ky dallim, nëse ekziston, përkufizohet në nevojat dhe gjendjet e faktorëve të jashtëm si në shembujt që i përmendëm.

Për vërtetësinë e shembujve dhe arsyetimeve të përmendur mund të bindemi duke lexuar hadithin të cilin e transmetojnë imamët Ahmedi në Musnedin e tij dhe Nesai në Sunenin e tij nga Ummu Seleme, r.a., e në të cilin thuhet se e kishte pyetur Pejgamberin, s.a.v.s.: "Përse ne nuk përmendemi në Kur'an siç përmenden meshkujt"? Gjë që ishte shkas që Allahu të shpallte ajetin vijues: "S'ka dyshim se për myslimanët e myslimanet, besimtarët e besimtaret, meshkujt e bindur dhe femrat e bindura, meshkujt e sinqertë dhe femrat e sinqerta, meshkujt durimtarë dhe femrat durimtare, meshkujt e devotshëm dhe femrat e devotshme, meshkujve që japin zeqat dhe femrave që japin zeqat, agjëruesit dhe agjërueset, meshkujve që i ruajnë vendet e turpit dhe femrave që i ruajnë vendet e turpit dhe meshkujve që e përmendin shumë Allahun dhe femrave që epërmendin shumë Allahut - Allahu, vërtet,për ata ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh", (El-Ahzab, 35).

Shiko se si Allahu, xh.sh., i ka lidhur meshkujt dhe femrat në një zinxhir të detyrimeve të cilat shkurt përfshijnë obligimet të cilat Ai ia cakton robërve të Tij pa kurrfarë dallimi në mes gjinisë mashkullore dhe femërore në secilën prej dispozitave dhe detyrimeve të përmendura.

Prandaj, burimi i detyrimeve me të cilat Allahu, xh.sh., e obligon femrën është vetëm robërimi i saj Atij. Kurse burim i të drejtave të cilat Allahu, xh.sh., ia jep asaj përmes fesë dhe Sheriatit të Vet është vetëm përkatësia e saj llojit njerëzor. Meqenëse barazia e mashkullit dhe femrës në robërim ndaj Allahut, xh.sh., ka qenë shkaktar i barazisë së tyre në detyrime, siç u pa, në mënyrë të njëjtë është edhe barazia e njeriut me femrën në përkatësinë llojit njerëzor është shkaktare e barazisë së tyre në të drejta. Këtë, me ndihmën e Allahut, do ta sqarojmë më në detaje në kaptinat vijuese.

Nëse shikon se ka ndonjë dallim në mes mashkullit dhe femrës në të drejta të cilat Allahut, xh.sh., i ka caktuar për robërit e Vet, kjo nuk përkufizohet në përkatësinë gjinisë femërore porse në ndikimet e jashtme të cilat nganjëherë lidhen me mashkullin, e nganjëherë me femrën. Shpesh këto ndikime lidhen me femrën për shkak të rrethanave dhe arsyeve të caktuara të cilat i imponon situata shoqërore.

Shkurt kjo është baza për sqarimin e mëtejmë në të cilat, nëse do Allahu, do të hyjmë pas kësaj pjese hyrëse.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Selim SYLEJMANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Femra midis tiranisë së sistemit perëndimor dhe mëshirës së ligjit hyjnor".

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...