Banner

JoMedhhebizmi: Çështje të padiskutueshme 2



Prej këtu mund të kuptojmë se imitimi i imituesit cilindo prej tyre, konsiderohet kapje për një gjë të vërtetë. Mirëpo, ky person i cili ka zgjedhur që të imitojë njërin prej këtyre medhhebeve, nuk duhet në asnjë mënyrë të mendojë se të tjerët janë në gabim. Ekziston konsenzus i dijetarëve se personit që i takon medhhebit hanefij për shembull, i lejohet të falet pas personit që i takon medhhebit shafiij ose malikij dhe e kundërta. [2]

Kohëve të fundit në disa vende, disa grupe njerëzish kanë shpikur diçka që kundërshton këtë të vërtetë që e pranuan të gjithë. Mirëpo, edhe kjo po ashtu është pjesë e fanatizmit të keq që nuk ka vend në fe, dhe se muslimanëve duhet t'u tërhiqet vërejtja që të mos bien në të. Ndarja e mihrabeve nëpër xhamia dhe emërtimi i secilit mihrab në emër të ndonjërit prej katër medhhebeve është mënyra më e keqe që përshkruan formën e grupacioneve të pakuptimta. Atë që e bëjnë disa njerëz të thjeshtë, të cilët skajohen në ndonjë skaj të xhamisë , në kohë kur para syve të tyre falet namazi me xhematë dhe ai nuk falet pas tij, vetëm e vetëm sepse imami nuk është i medhhebit të tij dhe pret që të vijë imami që i takon medhhebit të tij sepse ai nuk falet përpos pas tij dhe ka bindje se namazi nuk pranohet pas dikujt tjetër.

Them, kjo dukuri që është përhapur te një numër i madh i njerëzve të thjeshtë ose te disa dijetarë të vegjël, nuk mbështetet në asnjë bazë prej bazave të fesë. Ixhmai i dijetarëve dhe i imamëve në gjitha kohët është kundër këtij qëndrimi. Ajo që çon njerëzit të kapen për këtë traditë, është njëra prej dy gjërave: fanatizëm i paarsyeshëm dhe "dobia" e disa njerëzve, të cilët kanë trashëguar këto punë dhe janë mësuar materialisht të përfitojnë prej tyre.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

[1] - Hulumtuesi i tillë njihet me emrin muxhtehid në medhheb, sepse ixhtihadi është çështje, e cila përpjesëtohet siç është e njohur dhe e theksuar në të gjitha librat e usuli fikhut. Kush posedon njohuri të përgjithshme dhe ka përfituar përvojë, në atë mënyrë që ka mundësi të bëjë ixhtihad në të gjitha çështjet e fikhut dhe temat e saj, ky person njihet me emrin muxhtehid mutlak (absolut), ndërsa kush ka arritur në atë shkallë që ta kuptojë një mes'ele ose disa mes'ele derisa e ka kuptuar mirë atë nga argumentet bazë, ky person njihet me emrin muxhtehid në medhheb.
Shejh Naseri çuditet kur ia sqarojmë këtë të vërtetë të njohur dhe është i mendimit se një hulumtues i tillë njihet me emrin "muttebi'".
Ai kundërshtoi qëndrimin tim se njerëzit ndahen në dy grupe: muxhtehid dhe mukal-lid, duke argumentuar se për shembull ka njerëz të cilët posedojnë aftësi dhe njohuri në disa mes'ele duke i njohur edhe argumentet e tyre. S'ka dyshim se një person i tillë nuk ka arritur gradën e imameve të katër medhhebeve, por, edhe nuk është i njëjtë me gjithë imituesit e thjeshtë. Pra, s'ka dyshim se ky njeri dhe të tjerët si ai i takojnë një grupit të tretë!!
Ne themi siç thonë të gjithë dijetarët e fikhut dhe të usulit: se personi i tillë konsiderohet muxhtehid në atë çështje që e ka arritur gradën e ixhtihadit, ndërsa mukal-lid (imitues) në gjitha çështjet tjera. Ky është kuptimi i fjalës së tyre kur thonë se secili prej ixhtihadit dhe taklidit përpjesëtohet.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...