Banner

Analiza racionale - Mënyra e parë - Vahji (Shpallja hyjnore)



Kjo mënyrë është ndjekja e asaj që e quajnë "delaletu'ul-iltizam", kuptim i rrjedhimit të pashmangshëm e që është: lidhja reciproke midis dy gjërave që kur e mediton njërën e përfytyron tjetrën. Kjo realizohet pasi për të dëshmon indukcioni i plotë në mënyrë që kur shqyrton rastet e rrethanat e këtyre dy gjërave gjithmonë i gjen në korrelacion. T'i ilustrojmë këto që thamë me disa shembuj: Ligështia e tepruar tregon për sëmundjen, minaret e një qyteti tregojnë se banorët e këtij vendi janë muslimanë, alarmi i makinës zjarrfikëse tregon për ndodhi zjarri si dhe rrëmuja, loja e marrë e njeriut në rrugë tregon se ai ka konsumuar pije dehëse.

Pra, në të gjithë shembujt e sipërpërmendur treguesi nuk është shkak i kuptimit të fituar (i domethënies) që të mund të themi se treguesi i tij është njëlloj si treguesi i shkakut për efektin pasi e dimë se ligështia nuk është shkak i sëmundjes, minaret e larta nuk janë shkak i pranimit të islamit nga ana e banorëve të atij vendi, alarmi i sirenave nuk është po ashtu shkak për ndodhinë e zjarrit dhe gjithashtu shamata e njeriut në fjalë nuk është shkak i konsumimit prej tij vetëm të pijeve dehëse. Kështu, ti kur e sheh treguesin nuk e sheh bashkë me të edhe kuptimin e fituar nga ai, ti nuk e sheh atë që të mund të thuash se argumenti për të është shikimi dhe pranishmëria, madje ai (kuptimi i fituar) është gjë e fshehur për shikimin dhe ndjenjën tënde.

Pra, vallë si është e mundur që këto gjëra të tregojnë për kuptimin e tyre të fituar, konotacionin e tyre dhe si i besojmë ato pa i parë?

Mënyra e argumentimit të këtyre gjërave (shembujve në fjalë), është duke u bazuar në atë që shembujt në fjalë i sheh gjithmonë të lidhen në mënyrë të pashmangshme me rrjedhimet e tyre dhe kjo përsëritet pa kurfarrë ngecjeje dhe kështu për këtë arrihet deri tek induksioni. Kështu nga ky krahasim i përhershëm formohet një e dhënë e lidhjes që vepron midis tyre.

Mënyra e përfundimit të këtij argumenti, është se ti gjatë vështrimit që i bën ndonjë dukurie që e ke para vetes tënde nëse e sheh (nëpërmjet induksionit), se ajo është e lidhur (është e pandashme, bashkekzistuese) me ndonjë të vërtetë të cakruar atëherë sipas kriterit të mendjes së shëndoshë, është e natyrshme që ajo (dukuri) të besohet edhepse atë nuk e ke të pranishme para syve të tu. Themi kështu sepse ti kur e sheh ndihmën e shpejtë, duke çarë rrugën me alarmin e pandërprerë të saj atëherë ti nuk dyshon aspak se ndonjë i sëmurë është në gjendje kritike, edhe pse atë nuk e sheh me sytë e tu madje ndoshta edhe vetura nuk të ngjall kujdes të madh aq sa të ngjall kujdes gjendja kritike e të sëmurit.

Nëse dikush para teje shtron një tezë që ai e supozon, ti shpeshherë nëpërmjet kuptimit të këtij rrjedhimi bashkekzistues të pandarë, kupton vërtetësinë apo jovërtetësinë e saj. Këtë e bën duke shqyrtuar rrjedhimet e domosdoshme (kushtet paraprake) të asaj teze. Nëse sheh se rrjedhimet e domosdoshme (kushtet paraprake) të kësaj teze janë para teje, atëherë kjo është një argument për vërtetësinë e kësaj teze (pretëndimi). Por nëse ato mungojnë ose ekziston e kundërta atëherë kjo është argument për jovërtetësinë e tezës.

Të japim një shembull: Personi që është pranë teje afër një fshati të thotë: Të gjithë banorët e këtij fshati janë muslimanë por ti duke analizuar se mbi shtëpitë e këtij fshati ngrihen lart vetëm kryqet e kishave, atëherë edhepse nuk je takuar me asnjë banor të fshatit dhe pse nuk je njoftuar me besimet e tyre nëpërmjet provës dhe analizës, ti nuk i beson atij, siç nuk i beson edhe pretendimit të shokut, i cili pretendon se burimi i formimit të mendimit dhe mendjes te njeriu është nevoja e tij për ushqim. Ti pretendimin e tij nuk mund ta besosh sepse kur analizon krijesat e tjera, të cilat e shoqërojnë njeriun në nevojën për ushqim, megjithëqë kjo gjendet edhe tek ato, nuk u formua tek ata diçka nga të menduarit dhe mendja.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të vërtetat e patundshme të besimit islam".

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...