Banner

JoMedhhebizmi: Risitë që i sjell Autori i Broshurës 1.1



Argumenti i parë: Supozimi se feja islame nuk është më shumë se disa dispozita të fiksuara dhe të lehta që mund t'i kuptojë çdo beduin ose musliman. Argument për këtë supozim ka sjellur hadithet që i ka cekur, (f. 5,6). Po ashtu medhhebet nuk janë më shumë se mendimet e dijetarëve dhe të kuptuarit e tyre ndaj disa çështjeve dhe se as Allahu xh.sh. e as i Dërguari i Tij nuk e kanë obliguar asnjë njeri që t'i imitojë ato.

Themi: Sikur të ishte e vërtetë se dispozitat e islamit janë të përmbledhura në ato çështje të numruara të cilat Muhamedi a.s. ia tregoi beduinit, atëherë nuk do të kishte nevojë që koleksionet sahih (të vërteta) të muhaddithinëve dhe mesanidet të jenë të mbushura përplot me mijëra hadithe që përfshijnë dispozita të ndryshme që kanë të bëjnë me jetën e muslimanit.

Po ashtu, nuk do të kishte nevojë që Muhamedi a.s. të qëndrojë në këmbë me orë të tëra dhe ditë me radhë, për t'ia mësuar delegacionit të Thekifit dispozitat e islamit dhe obligimet e Allahut, me ç'rast nga lodhja herë mbështetej në njërën këmbë e herë në tjetrën.

Të mësuarit e fesë islame dhe konditat e tij nga Muhamedi a.s. është tjetër, ndërsa të mësuarit e mënyrës së zbatimit të këtyre konditave është diçka tjetër. E para nuk ka nevojë për më shumë se disa minuta, ndërsa e dyta ka nevojë për mund, mësim dhe përvojë të madhe.

Për këtë arsye shohim se këtyre delegacioneve islame të cilët, për të kuptuar konditat e islamit në mënyrë globale nuk kishin nevojë për më shumë se disa minuta, u dërgoheshin njerëz më të afert prej shokëve të Muhamedit a.s. që të qëndrojnë në mesin e tyre dhe t'ua mësojnë dispozitat e ndryshme islame dhe obligimet e tij. Kështu Halid ibn Velidin e ka dërguar në Nexhran, Ali ibn Abu Talibin, Ebu Musa El-Esh'ariun dhe Muadh ibn Xhebelin në Jemen, Othman ibn Ebil-As në Thekif.

Të gjithë ata i ka dërguar që t'ua mësojnë islamin atyre njerëzve të ngjashëm si beduini, me të cilin autori i broshurës argumenton se e ka kuptuar shumë shpejt islamin. I ka dërguar që gjerësisht t'ua mësojnë dispozitat e sheriatit, krahas asaj që vetë Muhamedi a.s. e ka kryer obligimin e sqarimit dhe të arsimimit. [1]

Po, në fillim të islamit, problemet të cilat kërkonin zgjidhje dhe sqarim të dispozitave nga islami ishin të pakta, për shkak të ngushtësisë së vendeve islame dhe thjeshtësisë së muslimanëve në atë kohë. Mirëpo, këto probleme u shtuan shumë, pas zgjerimit të shtetit islam dhe lindjes së shumë traditave dhe interesave që nuk ishin më parë. S'ka fjalë se për gjitha këto probleme, ekzistojnë dispozita, pa marrë parasysh se burimi i këtyre dispozitave është ajet Kur'anor, hadith në sunnet, ixhma' i ummetit islam ose nga kijasi (analogjia).

Gjitha këto burime janë prej thelbit të islamit dhe se hukmi i Allahut nuk është diç tjetër përpos asaj që na ka udhëzuar ndonjëri prej këtyre burimeve, sipas kushteve të caktuara në të kuptuarit, në klasifikim dhe mënyrën e nxjerrjes së dispozitave prej tyre.

Atëherë, si mund të bëhet ndarje mes islamit dhe asaj që e kanë nxjerrur imamët e katër medhhebëve dhe të tjerët prej këtyre burimeve themelore të islamit?! Si mund të thotë autori i broshurës: "Se medhhebet nuk janë diç tjetër pos mendime të dijetarëve dhe të kuptuarit e tyre në disa çështje, si dhe as Allahu xh.sh. e as i Dërguari i Tij nuk kanë obliguar që ndonjëri tu përmbahet këtyre mendimeve".



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

[1] - Shejh Naseri arsyeton gabimin e Haxhnediut, i cili në mënyrë të qartë thekson të kundërtën e kësaj që e thamë, se ai është njeri nga Buhara dhe joarab, për këtë edhe mund të gabojë në të shprehurit!!.. Shejh Naseri lutet për të që Allahu ta shpërblejë, sepse ka arritur ta shkruaj këtë që e ka shkruar dhe kërkon prej neve që thëniet e muslimanëve t'i kuptojmë në bazë të parimit që kërkon të jemi mendimmirë ndaj tyre.
Ne habitemi se mund të ketë ndonjë lidhshmëri mes dobësisë në të shprehurit dhe tekstit që jep të kundërtën e kuptimit të kërkuar. Mandej, ne kërkojmë në brendinë e broshurës së Haxhnediut dukuritë e dobësisë në të shprehurit, mirëpo nuk mund të gjejmë asnjë fjali të tillë.
Vallë, a pranon shejh Naseri që gabimet e disa sufistëve të huaj t'i arsyetojë, për shkak të dobësisë në të shprehurit që gjenden në fjalët e tyre?!. Vallë, në këtë rast a i përmbahet parimit që kërkon që muslimani të jetë mendimmirë, të cilin e kërkon që t'i përmbahemi këtu?!

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...