Banner

JoMedhhebizmi: Risitë që i sjell Autori i Broshurës 5.2



Po, El-Izz ibn Abdiselami, tekstit që e cituam ia ka bashkangjitur një tekst tjetër ku qorton ata fukaha të cilët vërejnë dobësinë e argumentit të imamit të tyre, e kupton realitetin derisa nuk gjen arsyetim për tu kapur për këtë mendim, megjithatë e imiton atë dhe e lë anësh Kur'anin, sunnetin dhe rregullat e vërteta të medhhebit të tij. Për rrezikun e kësaj dukurie, dijetari i famshëm ka folur gjerësisht dhe ka sjellur fjalë të mira.

Mirëpo, çfarë lidhshmërie ka kjo me supozimin e autorit te broshurës?! Cili është arsyetimi kur ky njeri përdorë këto tekste si mbulesë për t'i mbuluar supozimet e tij të zhveshura? A nuk e ka parë tekstin tjetër të gjatë që vjen menjëherë pas tij, që të kuptojë domethënien e fjalëve? A me siguri nuk e ka parë e as nuk e ka gjetur apo ndoshta e ka parë dhe e ka kuptuar por e ka injoruar dhe ia ka mveshur njeriut atë që nuk e ka?!

Tash do të cekim atë që e thotë Ibnul-Kajjimi:

Në librin e tij "E'lamul-Muvekiine" (vëll. -III- f. 168, shtëpia botuese: Es-Seade) thotë: "Sqarim në detaje rreth çështjes së imitimit. Ndarja e imitimit në tri pjesë: 1. - është haram që të flitet për të, 2. - është vaxhib, dhe 3. - lejohet pa qenë obligative. Pjesa e parë ndahet në tri lloje: E para: largimi prej asaj që e ka zbritur Allahu dhe mjaftimi me imitimin e baballarëve. E dyta: imitimi i atij që nuk e di imituesi se është prej atyre që merren fjalët e tij. E treta: imitimi pas gjetjes së argumentit që kundërshton fjalët e imituesit".

Mandej, Ibnul-Kajjimi gjerësisht ka komentuar dëmet e imitimit të ndaluar të përmbledhura në këto tri lloje. Gjithë atë që e ka thënë në fjalën e tij të gjatë rreth mospranimit të imitimit, ka të bëjë me këto tri lloje që janë të ndara nga pjesa e parë.

Është e mundur që lexuesi sipërfaqësor, të lexojë një pjesë të fjalës së tij të gjatë pa e përcjellur me vëmendje, dhe mendon se ai e ndalon absolutisht imitimin. Mandej, për mospranimin e imitimit në mënyrë absolute, argumenton me disa pjesë të nxjerra nga brendia e tekstit të gjatë, ashtu siç ka bërë autori i broshurës.

Mirëpo, ai që thellohet në të menduarit rreth këtyre teksteve, e di mirë se Ibnul-Kajjimi fjalën e tij të gjatë e ka ndarë në tri pjesë. Krahas tekstit që e cituam më parë, si argument i prerë mjafton fjala e tij në brendinë e librit ku mes tjerash thuhet: "Nëse thuhet: përse është i ndaluar imitimi i kafirave dhe i baballarëve që nuk mendojnë e as nuk janë të udhëzuar, ndërsa në anën tjetër imitimi i dijetarëve të udhëzuar të mos jetë e ndaluar.

Bile ka urdhëruar pyetjen e tyre që do të thotë imitimin e tyre, ku Allahu xh.sh. thotë: "Pyetni dijetarët nëse nuk e dini"? Përgjigjja është, se Allahu xh.sh. ka ndaluar imitimin e atij që e ka lënë anash librin e Tij, ndërsa imiton baballarat. Këtë lloj të imitimit se është haram e kanë pranuar gjithë selefet dhe katër imamët.

Ndërsa imitimi i atij që ka harxhuar gjithë potencialin e tij mendor për të kuptuar atë që Allahu e ka zbritur, mirëpo disa gjëra i ka të paqarta dhe imiton atë që është më i ditur se ai, në këtë rast ky lloj i imitimit është i pranuar për të cilën do të shpërblehet, siç do të sqarojmë kur do të folim për imitimin obligativ dhe atë të lejuar, inshaellah).



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...