Banner

JoMedhhebizmi: Risitë që i sjell Autori i Broshurës 5.5



Në vëllimin -IV- f. 237, duke iu përgjigjur pyetjes: A ka të drejtë që muftiu të japë fetva jo sipas medhhebit të imamit të tij? Duke transmetuar nga Ebu Amr ibn Salah thotë: "Kush gjen ndonjë hadith që kundërshton medhhebin e tij, në kohë kur ky njeri ka arritur gradën e ixhtihadit në mënyrë absolute ose muxhtehid në medhhebin e imamit të tij, në atë lloj ose në atë çështje, atëherë veprimi me atë hadith është më mirë. Nëse nuk ka arritur gradën e ixhtihadit e në zemrën e tij ndien dhembje nga frika e kundërshtimit të hadithit pasi që ka hulumtuar dhe nuk ka gjetnr në kundërshtimin e tij përgjigje që e rehaton, atëherë duhet të shikojë: a ka vepruar me atë hadith ndonjë imam i pavarur apo jo. Nëse gjen sedikush ka vepruar me të, atëherë ka të drejtë që të veprojë me atë hadith e kjo do të jetë arsyetim për lënien e medhhebit të imamit të tij në këtë çështje. Vallahu a'lem".

Pas kësaj menjëherë ka thënë: "Dobia e pesëdhjetë: A ka të drejtë që muftiu, i cili i takon medhhebit të një imamit të caktuar, të japë fetva sipas ndonjë medhhebi tjetër nëse vërtetohet tek ai se ky mendim është më i fortë? Nëse i përmbahet mënyrës së imamit të tij në ixhtihad, atëherë ka të drejtë të japë fetva sipas ndonjë medhhebi tjetër, po nëse është muxhtehid mutekajjed, i cili i përmbahet vetëm fjalëve të imamit të tij, për këtë ka disa mendime: thuhet se ky person nuk ka të drejtë që të japë fetva sipas ndonjë medhhebi tjetër, por nëse e bënë atë, atëherë, tregon se e transmeton prej filanit. Mirëpo, mendimi më i vërtetë është se nëse tek ai, mendimi i medhhebit tjetër është më i fortë, në këtë rast është patjetër që ta nxjerrë sipas bazave dhe regullave të imamit të tij sepse të gjithë imamët kanë të njejtat mendime për bazat e dispozitave. Saherë që ndonjëri prej tyre të thotë ndonjë fjalë të dobët në krahasim me të tjerët, atëherë bazat e kthejnë këtë mendim dhe e marrin mendimin më të vërtetë. Ska dyshim se çdo fjalë e vërtetë nxirret në bazë të regullave të imamëve. Nëse muxhtehidit mutekajjed (të kufizuar) i vërtetohet se ky mendim është më i fortë dhe se është nxjerrë në bazë të rregullave të imamit të tij, atëherë ka të drejtë që të japë fetva me të. Ve bil-lahit-tevfik".

Këlo ishin disa fragmente prej fjalëve të Ibnul-Kajjimit duke biseduar për fetvane, kushtet dhe rregullat e saj. A mos po vëren diçka që bën haram imitimin dhe i obligon të gjithë njerëzit që të marrin drejtpërdrejt prej Kur'anit dhe sunnetit? A mos po sheh se e bën haram që njeriu të imitojë një medhheb të caktuar? A mos po vëren se ai urdhëron imituesin që gjatë tërë jetës së tij të kërcejë prëj një medhhebi në tjetër?!

A nuk po e sheh se secili fragment prej këtyre fragmenteve, në mënyrë të qartë dhe të prerë që nuk pranon kurrfarë dyshimi, thotë se xhahili (i padituri) nuk ka rrugë tjetër pos që të imitojë. Ai person që i përmbahet një medhhebi të caktuar nuk ka të drejtë që t'u japë fetva njerëzve për ndonjë çështje sipas ndonjë medhhebi tjetër, përpos nëse është muxhtehid në atë çështje. Imitimi i të vdekurve është sikurse imitimi i të gjallëve, sepse fjalët nuk vdesin me vdekjen e thënësve të tyre dhe se mbështetja vetëm në librat e hadithit nuk mjafton që imituesi të bëhet muxhtehid?!

Nëse Ibnul-Kajjimi është i të njëjtit mendim me atë të autorit të broshurës, se imitimi i imamëve është imitim i atyre që gabojnë, ndërsa imitimi i të Dërguarit të Allahut është imitim i atij që nuk gabon dhe se nuk lejohet për asnjë njeri tjetër përpos që të marrë drejtpërdrejt prej atij që nuk gabon, atëherë për çka ai (Ibnul-Kajjimi) imitimin e katër medhhebeve e ka caktuar si temë studimi, për çka imituesit ia ndalon marrjen e dispozitave prej librave të hadithit, e ndalon prej fetvasë dhe e ndalon pyetësin të bazohet në këtë fetva.

Po ashtu, imituesit ia tërheq vërejtjen që të mos japë fetva pos sipas medhhebit të imamit të tij, në përjashtim nëse është muxhtehid në atë çështje dhe se për çka e rehaton imituesin se imitimi i muxhtehidit të vdekur është i lejuar e jo i ndaluar?!



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...