Banner

JoMedhhebizmi: Risitë që i sjell Autori i Broshurës 5.7



Në këtë rast rregulli "medhhebi i njeriut të thjeshtë është medhhebi i muftiut të tij" siç shihet qartë nuk përputhet absolutisht, sepse ai nuk ka mufti. Në këtë rast ky njeri i rëndomtë ka për obligim që të pyesë ndonjërin prej muxhtehidëve të mëhershëm. Më parë theksuam se dijetarët, ku prijës i tyre ishte Ibnul-Kajjimi, thonë se thëniet nuk vdesin me vdekjen e thënësve të tyre dhe se lejohet që i gjalli të imitojë të vdekurin.

Prej dijetarëve të mëhershëm, më autoritativ për të dhënë fetva janë imamët e katër medhhebeve dhe atë sipas konsensusit të të gjithë dijetarëve, për shkak se këto medhhebe kanë përjetuar shërbime, përmbledhje, pastrime dhe mbështetje të fjalëve te thënësit e tyre në atë mënyrë që nuk ka përjetuar asnjë medhheb tjetër. Njeriu ka të drejtë që të pyesë kë të dojë prej tyre nëpërmjet dijetarëve dhe fukahave të atij medhhebi ose t'i studiojë librat e tij nëse ka mundësi.

Mandej ka të drejtë që të imitojë njërin prej tyre në të gjitha çështjet dhe dispozitat, po ashtu ka të drejtë që të kalojë prej një medhhebi në tjetrin me kushtet që i kanë cekur dijetarët, ku një pjesë të tyre e cekëm më parë. Njeriu i rëndomtë -duke e bërë këtë- nuk ka dalur jashtë rregullores "medhhebi i njeriut të rëndomtë është medhhebi i muftiut të tij", sepse ai kur përreth tij nuk ka gjetur asnjë mufti (muxhtehid) dhe është detyruar që të kërkojë fetva prej Shafiiut p.sh., në këtë rast medhhebi i tij është medhhebi i Shafiiut sipas të njëjtës rregullore.

Ky është kuptimi i fjalës së Ibnul-Kajjimit. Mund ta gjeshë gjerë e qartë në të gjitha librat e Usulit në temën e ixhtihadit. Lexo cilin të duash prej tyre do të gjeshë këtë që e tham.

Tash të citojmë fjalën e El-Kemal ibn El-Hummamit në lidhje me këtë çështje:

Në librin "Et-Tehrir" thotë: "A ka të drejtë që të imitojë dikë tjetër në ndonjë çështje tjetër? Mendimi më i saktë: Po, sepse ata kërkonin fetva herë prej këtij e herë prej atij, pa iu përmbajtur gjithnjë një muftiut. Po nëse imiton një medhheb të caktuar si ai i Ebu Hanifes ose i Shafiiut, për të ka dy mendime. I pari thotë se duhet ta imitojë gjithnjë, ndërsa i dyti thotë jo". Me pas komentatori i librit "Et-Tehrir" anon kah mendimi se imitimi i një medhhebi gjithnjë nuk është obligativ.

Ky është edhe mendimi i xhumhurit të dijetarëve, sepse nuk ka obligim pos asaj që Allahu e ka bërë obligim. Allahu nuk e ka obliguar xhahilin (njeriun e rëndomtë) përpos që të imitojë dijetarin muxhtehid dhe se nuk e ka obliguar që gjithnjë ta imitojë ndonjërin prej tyre, në mënyrë të caktuar. Ajo që është për t'u çuditur është se autori i broshurës ia ka mveshur El-Kemal ibn El-Hummamit një fjali të gjatë të cilën nuk e ka thënë. Në reatitet, kjo është fjalë e Ibn Emirul-Haxhit duke e komentuar librin "Et-Tehrir". Titulli i këtij libri është "Et-Tekriru vet-Tehbiru". Me sa duket se "dijetarit të famshëm", autorit të broshurës, i janë përzier punët kur ia ka mveshur Ibn El-Hummamit atë fjalë që nuk e ka thënë fare dhe librin "Et-Tekriru vet-Tehbiru" e ka konsideruar prej librave të tij, të cilin në realitet nuk e ka shkruar. [4]

Megjithatë, atë që e thotë Ibnu Emirul-Haxhi në lidhje me këtë çështje është e njejta me atë që e thotë Ibnul-Kajjimi për njeriun e rëndomtë, i cili ka ardhur për të kërkuar fetva prej muftiut dhe se ai nuk ka medhheb, sepse medhhebi i tij është medhhebi i muftiut të tij. Kuptimin e kësaj fjale dhe qëllimin e saj e sqaruam pak më parë.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

[4] - Shih "Et-Tekriru vet-Tehbiru" të Ibn Emirul-Haxhit (3/350).

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...