Banner

JoMedhhebizmi: Risitë që i sjell Autori i Broshurës 6.1



Argumenti i gjashtë: Supozimi se lindja e katër medhhebeve ka qenë për shkak të politikave tirane dhe sundimit të të huajve që kishin aspirata për sundim. Këtë supozim autori i broshurës e mbështetë në librin "Mukaddimetu Ibn Haldun", ku ka thënë: "Nëse dëshiron të dish shkaqet e lindjes së medhhebeve dhe të fraksioneve, lexo librin "Mukaddimetu tarihi Ibn Haldun", sepse ai ka qenë shumë i përpiktë në sqarimin e kësaj çështje. Allahu e shpërbleftë. Ka sqaruar se lindja dhe përhapja e medhhebeve ka qenë për shkak të politikave tirane dhe sundimit të të huajve që kishin aspirata për sundim", (broshura f. 45).

Them: E bëmë atë që e propozoi autori i broshurës, e morëm librin "Mukaddimetu Ibn Haldun", e lexuam temën që flet për shkaqet dhe lindjen e medhhebeve fjalë për fjalë, mirëpo për fat, nuk gjetëm asnjë fjalë që flet për këtë supozim të cilin autori i broshurës ia mvesh atij. Përkundrazi, gjetëm të kundërtën e saj, gjetëm të vërtetën që e pranon xhumhuri i muslimanëve, gjë e cila nuk i pëlqen autorit të broshurës, qoftë pak ose shumë.

Në faqen 216, (shtëpia botuese: Bulak) duke biseduar për fikhun dhe mënyrën e lindjes dhe të zhvillimit të medhhebeve ka thënë: "... të gjithë sahabët nuk kanë pasur aftësi për të dhënë fetva dhe dispozitat e fesë as që merreshin prej të gjithëve. Kjo ishte veçori për njohësit e Kur'anit, që i njihnin ajetet deroguese dhe të deroguara, të qarta dhe të paqarta dhe të gjitha kuptimet e tij me atë që e kanë mësuar prej Muhamedit a.s. ose prej atyre që e kanë dëgjuar nga ata. Për këtë edhe njiheshin me emrin El-Kurra'. Kështu ishte çështja në fillim të islamit. Më pas, tokat islame u zgjeruan shumë, analfabetizmi humbi prej arabëve, e arritën gradën e istinbatit (nxjerrjen e dispozitave prej burimeve të sheriatit N.R.), u kompletua fikhu derisa u bë shkencë në vete. Dijetarët që merreshin me këtë shkencë njiheshin me emrin fukaha dhe ulema. Me anë të këtyre dijetarëve fikhu është ndarë në dy grupe (metoda): metoda e ra'jit dhe kijasit (racionalistët) që përfaqësohej nga dijetarët e Irakut, dhe metoda e hadithit (tradicionalistët) që përfaqësohej nga dijetarët e Hixhazit. Hadithi ishte i pakët te dijetarët e Irakut. Për këtë më shumë përdorën analogjinë (kijasin), ku ishin shumë të suksesshëm. Për këtë edhe janë njohur me emrin Ehlur-ra'ji (racionalistë). Prijësi i këtij grupi, ku edhe e mori emrin e tij ky medhheb është Ebu Hanife En-Nu'man. Prijësi i dijetarëve të Hixhazit është Malik ibn Enesi dhe pas tij imam Shafiiu. Më pas një grup dijetarësh nuk pranuan analogjinë (kijasin) dhe veprimin me të. Ata janë Dhahirijtë, të cilët pranonin vetëm Kur'anin, sunnetin dhe ixhmain Prijësi i këtij medhhebi ishte Davud ibn Aliu, djali i tij dhe shokët e tyre. Në atë kohë këto ishin medhhebet e shpërndara në mesin e popullatës".



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...