Banner

Analiza racionale - Mënyra e dytë - Analogjia (kijasi) 1



Këtu, me fjalën analogji (kijas), nuk kemi për qëllim silogjizmën që është i nxjerrë nga filozofia greke dhe e cila ka të bëjë me teoremat dhe me figurat por me termin analogji kemi për qëllim atë që kanë përdorur dijetarët e usuli fikhut (metodologjia e nxjerrjes së dispozitave të sheriatit) dhe dijetarët e usuli dinit (skolastikët), të cilët e nxorën nga Libri i All-llahut.

Pra, analogjia është një metodologji që shkurtimisht mund të shprehemi se është nxjerrja e motivit apo i shkakut të diçkaje, pastaj përpjekja për ta kërkuar përgjasimin e saj në gjërat e panjohura e kur hulumtuesi bindet se e njohura dhe e panjohura shoqërohen në të njëjtin shkak, atëherë të dytën e mbështesim me të parën për nga dispozita, e cila del nga efekti i atij shkaku.

Analogjia ngrihet në dy principe, e që të dyjat kanë cilësinë e postulateve logjike që nuk kanë nevojë të provohen.

Principi i parë është: ligji i kauzalitetit: domethënë se çdo pasojë ka shkakun dhe çdo efekt ka faktorin e vet.

Principi i dytë është: ligji i harmonizimit dhe i rregullit në gjithësi, domethënë fenomenet përbërëse në gjithësi edhe pse ndryshojnë për nga shfaqja e tyre, ato lidhen me shkaqe të përgjithshme, të cilat luajnë rolin e harmonizimit dhe përputhjes midis tyre. Sado që të thellohesh në vështrimin e natyrës së këtyre shkaqeve, do të shohësh se në fund të gjitha ato bashkohen në më pak shkaqe dhe motive.

Njëkohësisht analogjia krahas këtyre dy principeve merr hov edhe nëpërmjet induksionit sepse ky është ai që e njofton studjuesin për vërtetësinë e shkakut si dhe nëpërmjet këtij mund të perceptojmë marrëdhëniet universale që gjenden midis gjërave të shkapërderdhura apo të atyre që nga jashtë duken jo të njëjta. Pra, kështu konstatojmë se induksioni i plotë është kusht kryesor për të dy faktet, si për rrjedhimin e pandarë po ashtu edhe për analogjinë.

Mënyra e induksionit këtu bëhet, duke ndjekur elementet për të cilat pohon se janë shkak për ndonjë çështje të caktuar dhe sheh se shkaku nuk ndahet nga rezultati i efektit të tij. Kjo arrihet duke analizuar lidhjen që vendoset midis shkakut dhe pasojës ku shihet fenomeni i vazhdimësisë, dhe i reflektimit, domethënë çdo herë kur gjendet shkaku gjendet edhe efekti dhe anasjelltas atëherë kur mungon shkaku mungon edhe efekti.

Pastaj kur thellohesh në vështrimin e shkakut e sheh se ai është ndikues (faktor që ndikon) në pasojën dhe kjo me argument bindës sepse ndodh që vazhdimësia apo reflektimi, të jetë midis tyre (shkakut dhe efektit), rastësisht apo për ndonjë faktor tjetër. Pra, nga kjo mësojmë se kushti i analogjisë këtu (d.m.th., për ndërtimin e akides dhe çështjeve të besimit) është që shkaku të jetë ndikues në pasojën, [1] konstant e reflektiv dhe të jetë i disiplinuar, i rregullt e i qartë pa asnjë lloj çrregullimi.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të vërtetat e patundshme të besimit islam".

[1] - Me fjalën ndikim kemi për qëllim që me demonstrim të vërtetohet shkakësia e shkakut me efektin si: shkakësia e rënies së shiut për rritjen e bimëve, zjarri për djegien, pa marrë parasysh hulumtimin e vërtetësisë së kësaj shkakësie dhe analizën e saj në dritën e besimit, me atë që është shkaku i vërtetë All-llahun Fuqiplotë. Vendi i diskutimit të kësaj është kur do të flasim për ligjin e shkakësisë (kauzalitetit) në gjithësi. Pra, si të duash kthehu te kjo temë në këtë libër.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...