Banner

Analiza racionale - Mënyra e dytë - Analogjia (kijasi) 2



Por, nëse shkaku bie nën shkallën e këtij kushti, bie fjala, sikur ndikimi (influenca) të mos jetë i qartë por vetëm që ka një farë përshtatje me efektin atëherë kjo analogji merret si analogji e mundshme, e supozuar që ka alternativë kijas dhannij, që do të thotë se nuk pranohet për të argumentuar gjykimet e akides.

Por kjo lloj anologjie vlen si argument në sferën e dispozitave praktike të fikhut, ngase për këtë kemi argument të prerë se muslimani është i detyruar (për sa i përket veprimeve praktike) të mbështetet në argumentet që merren si të besueshme (që mbajnë në vete alternativë), e që kanë të bëjnë me ibadetet dhe me dispozitat e sheriatit.

Kjo lloj analogjie vlen dhe është e mjaftueshme të merret si argument në këtë të fundit. Pra, për dispozitat praktike të sheriatit mjafton që shkaku i analogjisë të jetë i disiplinuar, konstant dhe i reflektueshëm si dhe për dispozitat në fjalë nuk kushtëzohet që shkaku të jetë ndikues por mjafton që të jetë i përshtatshëm për interpretimin (ixhtihadin) e hulumtuesit me qëllim që ai të ndërtojë ndonjë dispozitë në bazën e tij (shkakut). Në fakt, ekziston një diferencë e madhe midis analogjisë së dispozitave praktike dhe natyra dhe kushtet e analogjisë për çështjet e akides.

Ta ilustrojmë këtë me një shembull: Le të themi se ti nga larg sheh disa shtëpi ose çadra ku banojnë njerëzit. Në bazë të kësaj ti bindesh se atje ka ujë. Gjykimi yt për këtë u zhvillua në atë mënyrë saqë ti me një shpejtësi të madhe në mendjen tënde, kujton vendet e tjera, në të cilat i di ku banojnë njerëz prandaj arrin në përfundimin se ndër kushtet më kryesore për të jetuar në atë vend është ekzistimi i ujit, për të cilin nuk dyshon aspak. Njëkohësisht ti vëren edhe ndikimin e shkakut (që është uji) në rezultatin (efektin) që është jeta dhe mundësia për jetesë.

Pra, ti duke e krahasuar këtë vend që duket nga larg, me vendet e tjera, gjykon në mënyrë të prerë se aty ka ujë edhe pse sytë e tu, nuk e kanë parë atë.

Por nëse të njëjtin shembull e analizon në të kundërtën, bie fjala se nga larg duket shkëlqimi i ujit dhe nga kjo të kuptosh se atje jetojnë njerëz, atëherë ky gjykim është vetëm supozim që nuk mund të lartësohet në shkallën e bindjes. Themi kështu sepse shkakësia e ujit (të qenët e ujit shkak) për jetën e njeriut është një e vërtetë e qëndrueshme me vetë argumentimin e efektit prandaj aty ku ka njerëz patjetër duhet të ketë ujë. Kurse shkakësia e ujit (të qenët e ujit kusht) që njerëzit të jenë përreth tij, kjo është vetëm një përshtatshmëri dhe ndodhi.

Të sjellim edhe një shembull tjetër: Vetë fakti i manifestimit të çdo fabrikimi dhe mbarështrimi dhe rregulli, tregon për ekzistencën e mjeshtrit dhe njëkohësisht dëshmon për ekzistencën e atij që e ka vendosur këtë rregull dhe që drejton me to. Kjo rrjedh nga domosdoshmëria e asaj se efekti nuk ndahet nga shkaku i vet.

Nga kjo mësojmë se dijetarët muslimanë metodën e induksionit e ndjekin për çdo gjë që nuk i nënshtrohet provës dhe nga kjo kuptojmë se nën hijen e kësaj metode takohet rrjedhimi i pandarë (iltizami) dhe analogjia (kijasi). Siç shihet, kjo metodë është larg përfundimeve metafizike dhe spekulimeve abstrakte në të cilat filozofia greke është zhytur shumë thellë.

Ndërkaq ai që analizon metodologjinë islame të hulumtimit sheh se dijetarët islamë kurrsesi nuk ngrinin ndonjë gjykim racional apo ndonjë gjykim që i përket besimit pa i mbështetur ato në bazën e të vërtetës, e cila do t'i plotësonte të gjitha elementet e bindjes.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të vërtetat e patundshme të besimit islam".

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...