Banner

Analiza racionale - Mënyra e dytë - Analogjia (kijasi) 3



Kurse sa i përket të vërtetave të tjera, të cilat vazhdojnë të jenë të fshehura pas perdes së dyshimeve e të cilat ende janë përfundime teorike si: të dhënat që na paraqiten gjatë studimeve historike, gjurmët e zbuluara (arkeologjike) ose fosilet e vjetra, në historinë islame nuk njihet ndonjëherë të ketë ndodhur që ndonjë të vërtetë të sigurtë ta ketë mbështetur mbi këto ose ato të jenë marrë si dëshmi kritike, si argument apo për të ndërtuar ndonjë ide.

Por vazhdimisht këto sipas botëkuptimit islam kanë ngelur si hulumtime të këputura e të dyshimta, rreth të cilave qarkullon çdo mundësi, si dhe të mundshme për t'u vazhduar studimi i tyre me qëllim që të arrihet te përfundimi i tyre dhe ato me hapa të sigurtë nëpërmjet hulumtimit të përpiktë induksional.

Kjo ishte një përmbledhje shumë e shkurtër për metodologjinë shkencore të hulumtimit te dijetarët muslimanë. Këtë e mora nga realiteti i hulumtimeve të tyre e jo vetëm nga teoritë që janë të theksuara në shkrimet e tyre, e të cilat janë të palosura në bibliotekat e tyre.

Tashti ne dëshirojmë të dijmë për metodologjinë e hulumtimit te të tjerët, pikërisht të dijetarëve perëndimorë, si të shkencëtarëve ashtu edhe të orientalistëve, për të cilët dominon dhe është i njohur termi "objektivizëm" në studimet e tyre dhe mu ky është shkaku që më shtiu të shkruaj këtë parathënie.

Tani s'ka më dyshim, pasi lexuesi u njoftua me pjesën e parë të këtij hulumtimi, e ka të qartë se unë këtu nuk kam për qëllim të bëj studim rreth këtyre dy metodologjive d.m.th., metodologjisë islame dhe asaj perendimore. Gjegjësisht të bëj ndonjë studim zbërthyes për të paraqitur të gjitha doktrinat e ndryshme apo të bëj kronologjinë historike ose kritike të atyre teorive. Por synimi im këtu është që të sqaroj dy të vërteta dhe të cilat janë:

E para: Të tregojmë përpikmërinë e plotë të mendimit islam që ka gjatë hulumtimit dhe të vemë në dukje mbështetjen e tyre të pastër në metodologji e objektivitet dhe nga ana tjetër të qartësojmë e të nxjerrim në pah "objektivitetin" që e ndan dhe gëzon mendimi perëndimor qoftë ai pak apo shumë.

E dyta: Të tregojmë dhe të shohim shtrirjen e lidhjes reciproke dhe të barasvlerës midis metodave të hulumtimit (si studime dhe tema ideore të veçanta) dhe hulumtimeve shkencore të ndryshme si te muslimanët po ashtu edhe te të tjerët. Pra, thënë shkurt sa këto metoda bazohen në realizëm dhe në zbatimin e shkencës së vërtetë.

Ne për të ndriçuar këtë të vërtetë qëllimisht këmbëngulëm që metodën shkencore për hulumtimin te muslimanët ta paraqesim kryesisht nga vetë realiteti i hulumtimeve të tyre me qëllim që të mos kuptohet se kjo disiplinë që gjendet në bibliotekën islame e që ka të bëjë me metodologjinë e hulumtimit, është disiplinë e posaçme vetëm për metodën e hulumtimit, por krahas kësaj të kuptojmë (që është edhe më me rëndësi për këtë hulumtim) shtrirjen e përpiktë të zbatimit të kësaj metodologjie ndaj vetë diturive islame.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të vërtetat e patundshme të besimit islam".

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...