Banner

JoMedhhebizmi: Nuk ka ikje (rrugëdalje) prej imitimit! 2



Aspekti i dytë: Sipas konsensusit (ixhmait) të dijetarëve, është vërtetuar se sahabët (shokët) e Muhamedit a.s. nuk kanë qenë të njëjtë në përvetësimin e diturive. Nuk kanë qenë të gjithë që kanë mundur të japin fetva -siç thotë Ibn Halduni- e as që dispozitat e fesë janë marrë prej të gjithëve.

Në mesin e tyre ka pasur mufti muxhtehid, të cilët kanë qenë pakicë në krahasim me të tjerët. Po ashtu ka pasur imitues, të cilët kanë qenë të nevojshëm për fetva. Këta kanë qenë shumica absolute në mesin e tyre. Muxhtehidi prej sahabëve nuk ka qenë i obliguar që krahas vendimit (hukmit), imituesit t'ia tregojë edhe argumentin e tij.

Muhamedi a.s. dërgonte ndonjë fekih prej sahabëve në ndonjë vend ku banorët e tij nuk dinin prej islamit pos besimit dhe bindjet në konditat e tij. Ata e imitonin në të gjitha fetvatë, qofshin ibadat, muamelat dhe të gjitha çështjet e hallallit e haramit. Ndoshta ndonjëherë ndodhte që të ndodhë ndonjë çështje për të cilën nuk kishte argument nga Kur'ani dhe sunneti, e në këtë rast bënte ixhtihad dhe u jepte fetva në bazë të ixhtihadit të tij, ndërsa ata e imitonin në të.

Imam Gazaliu në librin e tij "El-Mustesfa" në temën e teklidit (imitimit) dhe kërkimin e fetvasë, duke argumentuar se njeriu i rëndomtë (i padituri) nuk ka rrugë tjetër pos imitimit, thotë: "Për këtë argumentojmë në dy mënyra: e para: konsensusi i sahabëve. Ata u jepnin fetva avamëve (të paditurve) prej tyre dhe nuk i urdhëronin që të arrijnë gradën e ixhtihadit. Kjo gjë është e njohur në mënyrë të saktë (mutevatir) prej dijetarëve dhe avamëve të tyre". [4]

Amidiu në librin e tij "El-Ihkam" thotë: "Ekziston ixhma' (konsensus) se avamët (të paditurit) në kohën e sahabëve dhe tabiinëve, para lindjes së kundërshtarëve, kanë kërkuar fetva prej muxhtehidëve. I imitonin në dispozitat e sheriatit. Dijetarët u përgjigjeshin pyetjeve të tyre pa e treguar argumentin si dhe nuk i ndalonin prej imitimit. Kjo ishte ixhma' se lejohet që njeriu i rëndomtë (i padituri) të imitojë muxhtehidin në mënyrë absolute". [5]

Prijësit për fetva në kohën e sahabëve ishin disa individë në numër të kufizuar. Ishin të njohur në mesin e sahabëve për nga njohuria, transmetimi dhe aftësia për nxjerrjen e dispozitave. Më të njohur në mesin e tyre ishin: katër hulefairrashidinët, Abdullah ibn Mes'udi, Ebu Musa El-Esh'ariu, Muadh ibn Xhebeli. Ubej ibn Ka'bi, Zejd ibn Thabiti. Ndërsa imituesit e tyre në medhheb dhe fetva ishin shumë.

Ndërsa, në kohën e tabiinëve rrethi i ixhtihadit u zgjerua më shumë. Muslimanët në këtë periudhë iu kishin përmbajtur të njëjtës rrugë që iu kishin përmbajtur më parë sahabët, vetëm se ixhtihadi në këtë periudhë është ndarë në dy medhhebe kryesore: medhhebi i ra'jit dhe medhhebi i hadithit edhe atë për shkak të faktorëve të ixhtihadit të cilët i cekëm kur cituam fjalët e Ibn Haldunit.

Prej prijësve të medhhebit të ra'jit në Irak: Alkame ibn Kajs En-Nehaij, Mesruk ibn El-Exhda' El-Hemedhanij, Ibrahim ibn Zejd En-Nehaij dhe Said ibn Xhubejr. I tërë populli në Irak dhe përreth tij imitonin këtë medhheb pa kundërshtuar askush.

Prej prijësve të medhhebit të hadithit në Hixhaz: Said ibnul Musejjib El-Mehzumij, Urvetu ibn Zubejr, Salim ibn Abdullah ibn Omer, Sulejman ibn Jesar dhe Nafiu, shërbetori i Abdullah ibn Omerit. I tërë populli i Hixhazit dhe përreth tij imitonin këtë medhheb pa kundërshtuar askush.

Në disa raste, mes prijësve të këtyre dy medhhebeve kishte diskutime të ashpra, mirëpo avamëve dhe atyre të cilët ishin në nivel më të ulët në dituri nuk u interesonin këto diskutime. Ata imitonin kë të donin ose ata që ishin afër tyre pa i kundërshtuar askush. Diskutimet e muxhtehidëve mes veti nuk reflektojnë asnjë përgjegjësi për të paditurin.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

[4] - El-Gazali: El-Mustesfa, 2/385.
[5] - El-Amidi: El-Ihkam, 3/171.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...