Banner

JoMedhhebizmi: Nuk ka ikje (rrugëdalje) prej imitimit! 4



Çfarë kuptimi ka thënia se lindja e katër medhhebeve është bid'at (risi) dhe se imitimi i tyre është po ashtu bid'at (risi)?

Për çka lindja e katër medhhebeve të konsiderohet bid'at, ndërsa lindja e dy medhhebeve: atij të ra'jit dhe të hadithit të mos konsiderohen si të tilla?!

Për çka imituesi i Shafiiut dhe i Hanefiut të jetë bid'atxhi, ndërsa imituesi i Nehaiut në Irak dhe Said ibnul-Musejjibit në Hixhaz të mos jetë i tillë? Bile, për çka imitimi i katër medhhebeve të konsiderohet bid'at, ndërsa imitimi i Abdullah ibn Abbasit, Abdullah ibn Mes'udit ose Aishes radijellahu anhum të mos konsiderohet si i tillë?!

Çfarë bid'ati kanë bërë imamët e katër medhhebeve që ta ndalojmë popullatën e rëndomtë prej imitimit të tyre, e nëse e bëjnë atë t'i akuzojmë se janë bid'atxhi? Çka kanë shtuar më shumë se muxhtehidët e sahabëve dhe tabiinëve që kanë qenë para tyre? Gjithë ajo që mund të konsiderohet si e re në veprat e tyre është se ata në një anë kanë përmbledhur sunnetin dhe fikhun, ndërsa në anën tjetër kanë caktuar bazat, rregullat dhe metodologjinë për nxjerrjen e dispozitave, gjë që rezultoi me ngushtimin e mosmarrveshjeve mes dy medhhebeve: atij të ra'jit dhe atij të hadithit që ishin më parë.

Më pas, që të dy grupet u pajtuan që t'i përmbahen kësaj metodologjie, e cila po ashtu mbështetet në argumentet e Kur'anit, sunnetit dhe ixhmait. Me anë të kësaj metodologjie u përforcuan shtyllat e këtyre katër medhhebeve, u thelluan rrënjët e tyre, u kodifikuan bazat dhe degët e tyre si dhe dijetarët iu kishin kushtuar kujdes të veçantë. Ky ishte sekreti i afatgjatësisë së tyre, përhapjes së burimeve të tyre dhe interesimit të dijetarëve për t'i mbrojtur ato në të gjitha kohërat. Të gjithë këta dijetarë ishin të mendimit se çdo dijetarë që kupton hukmin dhe argumentin e tij si dhe posedon aftësi për ixhtihad, nuk ka të drejtë që të imitojë ndonjërin prej këtyre imamëve në atë hukm.

Kjo ishte e gjithë ajo që mund të konsiderohet si e re, me të cilat janë dalluar katër medhhebet prej medhhebeve të tjera. Çfarë bid'ati përmbajnë këto katër medhhebe dhe në çfarë dalaleti kanë rënë ata miliona njerëz, të cilët i imitojnë ato. Me çfarë shkaku shkencor ose gjysëmshkencor autori i broshurës supozon se këto medhhebe janë çështje të shpikura dhe se imitimi i tyre është bid'at që ka lindur pas shekullit të tretë hixhrij. Si dhe me çfarë të drejtë sheriatike imituesit e këtyre medhhebeve i përshkruan si gomarë që ikin?!

Pasi që sqaruam realitetin e imitimit dhe argumentet e tij, pozitën e katër medhhebeve ndaj medhhebeve të tjera si dhe realitetin e muslimanëve në kohën e këtyre katër medhhebeve dhe para tyre, mjafton që para lexuesit të mençur dhe objektiv t'i parashtroj këto pyetje që nxisin çudinë e autorit të kësaj broshure.

Nuk do të përgjigjem unë ndaj këtyre pyetjeve, sepse në objektivitetin dhe drejtësinë e çdo lexuesi të mençur ekziston çka e bind për devijimin e kësej broshure dhe autorit të saj nga e vërteta e qartë.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...