Banner

Kape vëllaun tënd për dore dhe fute në Xhennet



Lavdi dhe falënderimet i takojnë vetëm All-llahut, lavd i cili shton begatitë e Tija dhe i bën të mjaftueshme mirësitë e Tij. Zoti Ynë, Ty të takon falënderimi ashtu siç e meriton Madhëria Yte dhe sundimi i Madhërisë Tënde, pa të meta je, nuk arrijmë që t'i numërojmë lavdërimet për Ty ashtu siç i ke bë Ti për vetëveten Tënde. Deklaroj se s'ka Zot përveç All-llahut xhel-leshanuhu që është Një dhe i pashoq, poashtu deklaroj se Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem është i Dërguari, i zgjedhuri dhe i afërmi i Tij. Më i miri prej gjithë pejgamberëve të cilin e dërgoi All-llahu për të gjithë botën përgëzues dhe për t'ua tërhequr vërejtjen njerëzisë. O Zot, dërgoi përshëndetjet tona të përzemërta dhe të sinqerta Muham-medit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe familjes së tij, përshëndetje të përhershme dhe të pandara deri në Ditën e Gjykimit. O ju besimtarë, ju këshilloj juve dhe veten time që është mëkatare që t'i kemi drojë All-llahut xhel-leshanuhu.


O robët e Zotit!

Me të vërtetë prej llojeve më të poshtëra të gënjeshtrës, dhe prej llojeve më të këqia të krimit është ta cilësosh Islamin si Fe që përdor dhunën, kurse Feja islame është sendërtuar me mirësi ashtu siç e ka cilësuar Pejgamberi ynë. Si është e mundur që Islami të cilësohet me ngurtësi dhe vrazhdësi kur Islami është shtyllë e karakterit njerëzor, siç ka thënë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në një hadith: "Me të vërtetë jam i dërguar që ta përsosi moralin". Si është e mundur që Islami të përshkruhet si Fe e dhunës kur e dimë se çfarë ndodhi gjatë historisë me popujt e juglindjes së Azisë dhe njerëzve të Spanjës të cilët e deshtën dhe u drejtuan kah Islami duke qenë në paqe. S'ka dyshim se ata e deshtën atë (Islamin) vetëm se te ai gjetën këto veçori të mëdha njerëzore, dhe m'u për këtë ata e përqafuan dhe e bënë të sinqertë besimin dhe qëndrimin e tyre për hir të këtyre veçorive që shkëlqenin në vetë Fenë islame. E nëse sot ndodh që muslimanët të jenë larguar nga mësimet e Islamit dhe kundërshtojnë shumë parime prej parimeve të Fesë ajo është çështje që kthehet te vetë muslimanët. Njeriu që ka mendje të shëndoshë nuk duhet të dënojë Islamin i cili ka zbritur prej All-llahut xhel-leshanuhu i pastër dhe pa të meta, për shkak të kundërshtimit të disa muslimanëve që ia bëjnë Islamit.


Vëllezër të dashur!

Nëse u kthehemi mësimeve të Librit të All-llahut xhel-leshanuhu dhe këshillave a porosive të Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem do të kostatojmë se ata janë ushqim për njerëzimin dhe që shtyejn muslimanin për të qenë i sjellshëm ndaj gjithë njerëzimit. Mësimet Islame porosisin që njeriu të jetë shoqërues, të përfitojë zemrat e njerëzve duke tregua mirësi, tolerance dhe afrim.

Këto janë mësimet e Fesë sonë, këto janë këshillat e All-llahut xhel-leshanuhu në Librin e Tij fisnik dhe këto janë këshillat e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për ne.


Vëllezër të mi!

Dëgjoni këto mësime të përsëritura me të cilat na e tërheq vërejtjen Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e që kanë të bëjn me shoqërimin, me afrimin farefisnor dhe me domosdoshmërinë e shtrirjes së urave për marrëdhënie ndërnjerëzore. Në një transmetim të Ebu Hurejres radijall-llahu anhu pëcillet se Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: "Kush beson All-llahun xhel-leshanuhu dhe në Ditën e Fundit le ta respektojë mysafirin, kush beson All-llahun dhe Ditën e Gjykimit le të respektojë të afërmit e tij dhe kush beson All-llahun dhe Ditën e Gjykimit le të thotë fjalë të mira ose të heshtë".

Shikoni mirë dhe dëgjoni thënien e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem që e transmeton Enesi radijall-llahu anhu: "Kush don që t'i shtohet risku dhe t'i shtohet jeta, le të ketë afrim me farefisninë". Farefisni është rrjeti i të afërmve me të cilët lidhet njeriu me anë të njerëzve të cilët kanë lidhje me çfardo afrimi, e gjithë kjo hyn në fjalën farefisni (Rahim).

Shihni thënien e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ku thotë: "Me të vërtetë lëmosha dhe afria farefisnore e shtojnë jetën, largojnë njeriun nga vdekja e keqe, largojnë nga çdo e keqe dhe prej çdo ndalese".

Transmeton Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe të tjerët prej Abdurrahman ibni Aufit radijall-llahu anhu se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: "All-llahu xhel-leshanuhu ka thënë: Unë jam All-llahu dhe Unë jam Mëshiruesi që ka krijuar farefisninë, dhe i kam nxjerr asaj emër prej emërit Tim, e kush afrohet me farefisninë i afrohem dhe kush shkëputet prej saj shkëputem prej tij".

Ndoshta ndonjëri prej njerëzve mund të thotë: Por, ka prej të afëmve që ata vet shkëputen, dëmtojnë ose bëjnë keq dhe kështu vazhdojnë të ndërpresin lidhjet farefisnore duke supozuar se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thirrë në afrimin e farefisnisë në bazë të reciprocitetit. Por, nuk është kështu: bëmirës në fjalorin e Librit të All-llahut xhel-leshanuhu nuk është ai që dikujt ia kthen të mirën me të mirë, por bëmirës është ai që nxiton t'i bëjë mirë atij nga i cili ka përjetua ndonjë të keqe. Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në një hadith që e transmeton Enesi thotë: "Nuk është mbajtës i lidhjeve farefisnore ai që këtë e bën për t'ia kthyer këtë (të mirë apo vizitë). Por mbajtës i lidhjeve farefisnore është ai që këtë e bën edhe kur i afërmi i tij të ndërpresë lidhjet me të", pra, nuk është afrim farefisnorë nëse atë e bën duke u bazuar në atë se ai të ka vizituar apo të ka bërë ndonjë të mirë dhe ti tani ia kthen atë (me vizitë apo me ndonjë të mirë), por duhet ne ta bëjmë atë që na udhëzon Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e ajo është: t'i bëjmë mirë atij që na ka bërë diçka të keqe, t'ia falim padrejtsinë (zulumin) atij që na ka bërë padrejtësi dhe të bëhemi shembull i shoqërimit me ta: "Nuk është mbajtës i lidhjeve farefisnore ai që këtë e bën për t'ia kthyer këtë (të mirë apo vizitë). Por mbajtës i lidhjeve farefisnore është ai që këtë e bën edhe kur i afërmi i tij të ndërpresë lidhjet me të".

Ç'kemi që e harrojmë Librin e All-llahut xhel-leshanuhu, i cili kur cilëson besimtarët në ajetet e tij para së gjithash i cilëson me moral të lartë, me butësi dhe tolerancë. Kur ne lexojmë fjalët e All-llahut xhel-leshanuhu që kanë të bëjnë me të devotshmit neve na duket se All-llahu me të devotshmit ka për qëllim atë të cilët bëjnë namaz natën dhe ditën, bëjnë shumë adhurim dhe i plotësojnë obligimet e tyre ndaj All-llahut xhel-leshanuhu. Por dëgjoni si i cilëson të devotshmit: "Dhe nxitoni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për në një Xhen-net, gjërësia e të cilit është si gjërësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit", (Ali-Imran: 133). Këto janë cilësitë e të devotshmëve: "I përgatitur për të devotshmit të cilët japin kur janë shlirë edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që u falin (të keqen) njerëzve, e All-llahu i do bëmirësit", (Ali-Imran: 133-134).

Këto janë cilësitë e para që All-llahu xhel-leshanuhu i vendon para nesh ku tregon gjendjen e atyre që All-llahu xhel-leshanuhu I quajti të devotshëm .

Unë nuk kam parë, ultimatum dhe kërcënim në Librin e All-llahut xhel-leshanuhu për ata që devijojnë nga udhëzimi dhe që e humbin rrugën e Tij, siç është ultimatumi dhe kërcnimi i All-llahut kur flet për ata të cilët ndërpresin lidhjet farefisnore dhe për ata që u bëjnë dëm të afërmive të tyre ku thotë: "A pritet prej jush (hipokritëve) që nëse merrni sundimin (ose zbrapseni prej Fesë Islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërpreni lidhjet e akraballëkut? Të tillët janë që All-llahu i mallkoi, i bëri të shurdhët dhe ua verbëroi të parit e tyre", (Muhammed: 22-23). Ua them të vërtetën, o vëllezër, se unë sa herë që lexoj Librin e All-llahut xhel-leshanuhu dhe arrij te ky ajet prej këtyre fjalëve më kap një rrënqethje. Kthehem dhe mendoj: vallë, e gjithë kjo bëhet për shkak se njeriu i bën dëm të afërmëve të vetë, i bën dëm farefisit të tij, i ndërpret lidhjet farefisnore dhe njerëzore?! E pra si do të jetë dënimi për ata të cilët bëjnë lëshime ndaj obligimeve të All-llahut xhel-leshanuhu? Jo. Sa i përket obligimeve që i kemi ndaj Zotit aty ka tolerancë, por, obligimet që i kemi ndaj robëve janë të ndërtuara në jo tolerancë. Kthehuni dhe mendoni në këtë sqarim, o vëllezër, shikoni se çfarë ndikimi ka kjo fjalë në ndjenjat e njeriut; në ndjenjat të cilat e dinë se kjo është fjalë e All-llahut xhel-leshanuhu "A pritet prej jush (hipokritëve) që nëse merrni sundimin (ose zbrapseni prej Fesë Islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërpreni lidhjet e akraballëkut?", (ajeti që u cituar më lartë).

Ndoshta ndonjëri mund të thotë: Filanin nuk e dua, ose ndaj filanit prej të afërmive të mi, apo prej fqinjve ose ndaj ndonjërit prej shokëve të mi nuk ndjej dashuri që kjo dashuri të më ndihmojë të kem lidhje e dashamirësi me të. Islami këtij i thotë: Ti në këtë mënyrë shkon pas nënshtrimit të epshit tënd dhe urdhërat i merr nga instiktet tua. Nëse ty të thotë instikti afrohu me filan personin se unë atë e dua, atëherë ti afrohesh me të, e nëse instikti të thotë se filanin unë e urrej atëherë ti shkëputesh prej tij. Ku është pra, nënshtrimi i robit ndaj All-llahut xhel-leshanuhu?

Nënshtrimi i robit ndaj All-llahut xhel-leshanuhu paraqitet atëherë kur e sheh filanin dhe nuk ka ndërmjet tij dhe atij urë dashurie, as lidhje të afrimit dhe ndoshta në vete e ndjen që edhe e urren, por ti kur shikon fjalët e All-llahut xhel-leshanuhu që urdhërojnë për mirësi, për frenimin e mllefit, që urdhërojnë për falje, për lidhshmëri me të afërmit dhe ti për hir të këtyre fjalëve thua: të dëgjova dhe t'u nënshtrova ty, O Zot! Unë do të vë lidhje dhe do t'i shtrij urat e dashurisë ndërmjet meje dhe atyre dhe nuk i përgjigjem instiktit tim, por i përgjigjem urdhërit Tënd.


Vllezër të dashur!

Dëgjoni këtë përshkrim të cilin Enesi radijall-llahu anhu na e përcjell ku thotë: "Dy persona prej ummetit tim grinden Ditën e Gjykimit para All-llahut xhel-leshanuhu, i thotë njëri tjetrit: O Zot, merma padrejtësinë që ma ka ky. All-llahu xhel-leshanuhu i thotë zullumqarit: Jepja vëllaut tënd borxhin e tij. Ai thotë: O Zot të gjitha të mirat e mia janë fshirë. All-llahu xhel-leshanuhu tjetrit i thotë: Çka do t'i bësh vëllaut tënd kur atij i janë fshirë të gjitha të mirat? - Ai thotë: O Zot! Le ti mbaje mëkatet e mia ky person - këtu thotë i dolën lotët Pegamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe ka thënë: Ajo është një ditë e madhe. Atë ditë njerëzit kanë nevojë që t'i pakësojnë ngarkesat e tyre - All-llahu xhel-leshanuhu i thotë: personit të drejtë shiko më lartë çka gjen. All-llahu xhel-leshanuhu ja mundësojë të shohë bukuritë e Xhen-netit që hamend. Ai thotë: O Zot të kujt janë këto pallate dhe të kujt janë këto kënaqësi? Për cilin Pejgamber për cilin njeri të devotshëm ke pregaditur ata bukuri? All-llahu thotë: është për ata që paguajnë. Ai thotë: e kush është ai i cili posedon atë vlerë? All-llahu thotë: ti je. Ai thotë: si O Zot? All-llahu thotë: me falje ndaj vëllaut tënd. Ai thotë: ja kam falë O Zot. All-llahu xhel-leshanuhu thotë: Kape vëllaun tënd për dore dhe fute në Xhen-net". Kjo është Feja jonë, o vëllezër, dhe ky është premtimi i bukur me të cilin na premton All-llahu xhel-leshanuhu nëpërmjet Pejgamberit të Tij kur njerëzit nesër do të dalin para Zotit të të gjitha botërave.

Pasha Zotin i cili është Një dhe s'ka tjetër përveç Tij nëse robi e ka mbush tokën me ibadet për All-llahun xhel-leshanuhu dhe u ka bërë dëm vëllezërve të vetë, të afërmve të vet dhe njerëzve cilët do qofshin, ai do të dalë para Zotit dhe ibadetet e tij të gjitha i ka të humbura. Kurse njeriu që kryen obligimet ndaj Zotit dhe nuk shton prej saj tepër, por me gjithë njerëzit sillet në bazë të asaj që udhëzon All-llahu xhel-leshanuhu të cilat janë: shoqërimi, ngritja e urave midis farefisnisë, shtrirja e urave të dashurisë, shtrirja e urave të mirësisë. Pra, me njerëzit sillet siç ua pëmenda sipas atyre parimeve që na thërret Libri i All-llahut xhel-leshanuhu dhe Sunneti i Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem atëherë s'ka dyshim se All-llahu xhel-leshanuhu do të na fut në mëshirën e tij të gjërë edhe pse nuk kemi bërë prej obligimeve, ibadeteve përveç se obligimeve të domosdoshme. Megjithate Feja islame dhe nuk them muslimanët akuzohen se kinse ushtrojnë dhunë. Sa gënjeshtër e poshtër që është kjo. Sa shpifje e keqe që është kjo dhe prej kujt? Nga kush dalin këto akuza të flliqura ndaj Islamit? Këto akuza dalin nga nipat e atyre që dje e kishin dashuruar Islamin tonë në Andaluzi. Ç'i shtyu ato vende të gjëra të Evropës që të njihen me Islamin, ta dashurojnë dhe ta përqafojnë atë? Ç'i shtyu ata që ta bëjnë një gjë të tillë? A u derdh ndonjë pikë gjaku në emër të luftës së shenjtë atje (Xhihadit)? A mos vallë atyre u është drejtuar nga ana e muslimanëve qoftë edhe shkopi, arma apo shpata për t'i kërcënuar ata në ato vende?

Kjo asnjëherë nuk ka ndodhur. Por, çka ndodhi? Këta njerëz që ishin të zhytur në erësirë, injorancë dhe moral të keq, panë një grup "melaqesh" që po ecin në tokë, panë se te ata kanë vajtur morale njerëzore të larta, butësia, mirësia, mëshira dhe falja. Të gjitha këto virtyte i panë të mishëruara te këta njerëz që arritën nga bota islame në ato vende dhe kështu ata e përqafuan Islamin. Shpejt u drejtuan kah ai (Islami) dhe shumë shpejt u zgjërua rrethi i Islamit në ato vende. Themeli i gjithë kësaj ishte një njeri që quhej Abdurahman Dahil me disa vëllezër muslimanë.

Pra, këta të Evropës e dashuruan Islamin për shkak të këtyre gjërave që i përmendëm, u lidhën ngusht për to dhe iu nënshtruan atij në mënyrë të përpiktë.

Këta që sot e akuzojnë Islamin tonë me të kundërtën e tij janë nipërit e atyre njerëzve, ata e dinë këtë të vërtetë më mirë se të gjithë njerëzit, megjithkëtë dikush prej tyre vazhdon në këtë akuzë sikur të jetojë në ndonjë botë jashtë kësaj bote, flet për Islamin dhe e cilëson atë me dhunë, vrazhdësi dhe keqëbërës dhe me shumë atribute tjera që kryekëput janë në kundërshtim me fjalën e All-llahut xhel-leshanuhu ku thotë: "Nuk është e barabart e mira me të keqen. Andaj (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt. Mirëpo, këtë nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që janë të durueshëm, dhe nuk mund të arrijë kush, pos atyre që kanë virtyt të lartë", (Fussilet, 34-35).


Vëllezër të mi!

Çoni kokat tuaja lartë me këtë Fe, me të cilën ju ka nderuar All-llahu xhel-leshanuhu. Kapuni për mësimet e tij, për moralin, mirësinë, dashurinë mu ashtu siç na këshillon libri i All-llahut xhel-leshanuhu dhe siç na mëson tradita e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Dhe dinie se kush do ta ruajë veten prej vdekjes së ligë, e përsëris edhe një herë: kush do që ta ruajë veten nga vdekja e ligë le të ndjekë rrugën që e ruan prej saj e cila është lidhëshmëria farefisnore, le të jetojë me ta në harmoni dhe dashuri dhe le të dijë se ai që kundërshton gjërat që Pejgamberi i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem na i ka tërhequr vërejtjen, ai në vend që vetes t'i bëjë mirë, ai në fakt veten e ka nënshtruar dhe kërcnuar me një vdekje të ligë e të keqe.


Lutja e hutbes së dytë

O Zot! Fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët prej tyre dhe të vdekurit, dhe afroji zemrat e tyre. O Zot i të gjitha botërave!

O Zoti Ynë! Ti i di të fshehtat tona dhe pamjen e jashtme, na prano arsyetimet tona, dhe e di ç'kemi në mbrendinë tonë dhe na i fal gabimet tona, na i di nevojat tona na jep atë çka të kërkojmë. O Zot i gjithësisë!

O Zot i ynë, na jep shëndet trupit tonë, familjes tonë dhe trashëgimtarëve tanë. O Zot i të gjitha botërave! O Zot na planifiko çështjet tona me urtësinë tënde se ne nuk mundemi të planifikojmë mirë. Dhe na ruaj si fëmijën në djep. O Zot i gjithësisë! O Zot bëne këtë vend të sigurt, të qetë dhe të bereqetshëm që të jetë nën hijen e librit Tënd dhe ndjekës i udhëzimeve të Pejgamberit Tënd.

O Zot, e kush ja do Islamit dhe muslimanëve të mirën merre me dorën tënde të të gjitha të mirat, e kush ia do Islamit dhe muslimanëve të keqen mere me forcën tënde, O Drejtues i qiejve dhe i tokës! O i Lartësuar dhe i Ndershëm!

O Zot, ndihmoju robërve Tu të ligësht në Lindje dhe Perëndim. O Zot ndihmoju besimtarëve të tu në Palestinë, O Zot i Gjithësisë. O Zot ruaji prej tradhtisë së tradhtarëve. O Zot ne presim ndihmën tënde që ke premtu, O Zot i të gjitha botërave. O Zot i ynë ne presim shpëtimin nga ana Yte. O Zot i im ne të lutemi që t'ju ndihmojsh robërve Tu besimtar ashtu siç ju ndihmove besimtarëve prej robërve tu në luftën e Bedrit.

O Zot, na i prano lutjet tona na i plotëso dëshirat tona dhe na kërko llogari ashtu siç e di Ti me mëshirën tënde dhe mos na kërko llogari ashtu siç jemi ne.

O Zoti Ynë, na fal neve, prindërit tanë, vëllezërit tanë që janë prezent dhe prindërit e tyre, dijetarëve tonë, ata që na kanë borxh neve dhe gjithë besimtarëve ku do që janë. Amin, amin, amin ...



Autor: Prof. Dr. Muhammed Seid Ramadan EL-BUTI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...