Banner

Mrekullia e Israsë dhe Miraxhit



Me Isra, kuptohet ajo ngjarje me të cilën Zoti e nderoi Profetin e Tij, duke e dërguar brenda një nate nga Qabja në xhaminë Aksa në Kuds (Jeruzalem). Kurse Miraxhi është udhëtimi tjetër, ngjitja në katet e qiejve të lartë dhe mbërritja tek një pikë ku s'kishte arritur asnjë krijesë tjetër, melekë, xhinde apo njerëz, e mandej kthimi në Mekë brenda po të njëjtës natë.

Lidhur me datën e saktë të kësaj ndodhie, ka këndvështrime të ndryshme, nëse ka ndodhur vitin e dhjetë të profecisë, apo më pas. Mendimi më i drejtës sipas Ibnu Sad në "Tabekatul Kubra" është se Isra dhe Miraxh ka ndodhur dymbëdhjetë muaj para hixhretit.

Shumica e dijetarëve myslimanë dhe masa e myslimanëve, besojnë se ky udhëtim është kryer si shpirtërisht ashtu dhe fizikisht, njëherazi. Prandaj, ajo radhitet tek mrekullitë me të cilat Zoti e nderoi profetin e Tij. Kjo ngjarje është regjistruar në koleksionet e imam Buhariut dhe Muslimit me të gjithë detajet përkatëse.

I dërguari i Zotit a.s., tregon se iu soll Buraku, e cila është një kafshë më e madhe se gomari dhe më e vogël se mushka dhe që një hap i saj shtrihej gjer në horizont. Profeti a.s. mbërriti në xhaminë Aksa, ku fali dy regate i ndjekur nga profetët e tjerë. Mandej Xhibrili a.s. i solli dy enë, njëra e mbushur me qumësht kurse tjetra me pije alkoolike. I dërguari i Zotit a.s. zgjodhi qumështin dhe Xhibrili a.s. i tha: "Ke bërë zgjedhjen që përkon me natyrën njerëzore".

Që atje, Profeti a.s. u ngjit në qiellin e parë, të dytin, të tretin ... derisa mbërriti tek Sidretul Munteha, ku Zoti i shpalli ato që i shpalli. Atje Zoti i obligoi myslimanët me pesë namazet në ditë, të cilat në origjinë ishin pesëdhjetë syresh në ditë.

Të nesërmen, profeti Muhamed a.s. u tregoi njerëzve ato që kishte parë përgjatë atij udhëtimi. Idhujtarët filluan të grumbullohen për ta dëgjuar këtë histori qesharake sipas tyre, e për tu gajasur me njëri-tjetrin. Disa prej tyre e sfiduan dhe i kërkuan Profetit a.s. t'ua përshkruajë xhaminë Aksa, meqë pretendon se e ka vizituar. Në fakt, Profeti a.s. nuk ishte fokusuar në detajet e xhamisë Aksa, pasi nuk ishte ky synimi i vizitës.

Në ato çaste, Zoti ia shfaq xhaminë Aksa me gjithë format, kolonat dhe detajet e tjera. Kështu, Profeti a.s. filloi t'ua përshkruajë xhaminë ashtu siç e shihte me imtësi, duke iu përgjigjur të gjitha pyetjeve të idhujtarëve. Transmeton imam Buhariu, se Profeti a.s. ka thënë: "Kur kurejshët nuk më besuan, u ngrita tek Guri i zi dhe Zoti ma shfaqi para syve xhaminë Aksa. Unë ua përshkrova me të gjithë detajet, ndërkohë që e shihja me sy".

Disa nga idhujtarët vajtën tek Ebu Bekri dhe i treguan për këtë ngjarje, me synimin që ta bëjnë të dyshojë në vërtetësinë e profecisë së mikut të tij. Por Ebu Bekri u tha: "Nëse e ka thënë këtë, ka thënë të vërtetën. Unë e besoj për gjëra më të mëdha ...".

Në mëngjesin e natës së Isra-së dhe Miraxhit, Xhibrili a.s. i vajti profetit Muhamed a.s. dhe i mësoi mënyrën e namazit dhe kohët e saj. Para se ti obligohen pesë kohët e namazit, i dërguari i Zotit a.s. falte dy rekate në mëngjes dhe dy të tjera në darkë, njëlloj siç falej profeti Ibrahim a.s..

Mësimet dhe udhëzimet:

Së pari: Diçka rreth të dërguarit dhe mrekullive.

Disa studiues janë të fiksuar që jetën e profetit Muhamed a.s. ta paraqesin fund e krye si jetë njerëzore normale, e kjo duke e tepruar me faktin se jeta e tij ka qenë pa komplekse mrekullish dhe gjërave të mbinatyrshme. Ata nuk ua vënë veshin atyre që u besojnë mrekullive që i kanë ngjarë profetit Muhamed a.s. dhe as zërave që duan tu flitet për këto. Sipas tyre, vetë Profeti a.s. e theksonte shpesh herë se mrekullitë dhe gjërat e pazakonta nuk i përkasin atij, duke e argumentuar këtë me ajetin: "Mrekullitë janë vetëm nga Allahu!", (En'am, 109).

Aq shumë i mëshohet kësaj teze, saqë lexuesit të jetëshkrimit të Profetit a.s., i duket sikur jeta e tij është krejt e zbrazur nga mrekullitë hyjnore me të cilat, zakonisht, Zoti u jep mbështetje profetëve dhe të dërguarve të Tij.

Nëse zhytemi më thellësisht në këtë tezë, do të vërejmë që në origjinë ajo është tezë e orientalistëve dhe studiuesve të huaj, si Gustav Lë Bon, Ogest Komte, Hjum, Gold Ziher e të tjerë.

Ata e bazojnë teorinë e tyre në mosbesimin e tyre në ekzistencën e Krijuesit të mrekullive. Nëse besimi në Zot lëshon rrënjë në zemër, atëherë bëhet krejt e lehtë besimi në gjithçka tjetër që meriton të quhet mrekulli hyjnore.

Kjo tezë është përqafuar edhe nga disa "myslimanë", të cilët për fatin e keq të botës islame, kanë vënë të gjithë kapacitetin e tyre në shërbim të ideve të personave të lartpërmendur. Kjo, pa ndonjë arsye objektive, përveç mahnitjes dhe joshjes ndaj zhvillimit shkencor të perëndimit. Mes këtyre myslimanëve ka pasur dhe figura të tilla si shejh Muhamed Abdu, Muhamed Ferid Uexhdij, Husejn Hejkel etj..

Ekspertëve të kultivimit të dyshimeve dhe të ofensivës ideologjike, u hapi horizonte të reja kjo metodë, duke i bërë të heqin dorë nga mekanizmat e vjetër, ato të luftës së drejtpërdrejtë të besimit islam dhe kultivimit të ideve ateiste në mendjet e myslimanëve. Kështu, ata filluan të reklamojnë pareshtur tipare dhe cilësi të caktuara të profetit Muhamed a.s., si heroizmi, gjenialiteti, lidershipi, etj., të ngarkuara me komplimente dhe superlativa. Paralelisht, jetën e tij publike e paraqisnin larg gjërave që si percepton dot logjika dhe arsyeja, siç janë mrekullitë dhe gjërat e pazakonta. Kështu, ata mund të krijonin një imazh tjetër në mendjet e myslimanëve, për profetin e tyre, imazh i cili mund të ishte "Muhamedi gjenial", "Muhamedi lider", "Muhamedi hero", ... por në asnjë mënyrë nuk duhet të jetë imazhi i Muhamedit si i dërguar i Allahut. Në këtë mënyrë, gjithçka që ka të bëjë me profecinë dhe rrjedh prej saj, në këtë rast mrekullitë dhe ngjarjet e pazakonta me në krye profecinë dhe shpalljen hyjnore, fshihen dhe arshivohen në botën e asaj që e quajnë mitologji, falë reklamimit të tipareve gjeniale dhe heroike.

Që këtu, s'mund të perceptohet ndryshe radhitja e popujve të ndryshëm rreth flamurit të Profetit a.s. dhe ftesës së tij, veçse si pasojë e ndikimit dhe falë gjenialitetit të tij si lidership. Ky qëllim pas të cilit rendin natë e ditë, manifestohet qartë në termin e ri "muhamedanë" të cilin e përdorin në vend të "myslimanë".

Por cili është qëndrimi i këtij imazhi, krahasuar me realitetin e të dërguarit të Zotit, Muhamedit paqja e Zotit qoftë mbi të, bazuar në studimin shkencor, logjik dhe objektiv?

1. - Nëse i referohemi fenomenit të shpalljes hyjnore, gjë e cila manifestohet qartë në jetën e Profetit a.s., do të shohim që cilësia më e dukshme e tij, është pikërisht profecia.

E të qenit profet është diçka që ka të bëjë me botën e fshehtë (gajbin) e cila nuk i nënshtrohet kritereve dhe standardeve të ndjeshmërisë. Prandaj, një mrekulli e pazakontë, është diçka që lidhet ngushtë dhe pandashëm me të qenit profet. Mrekullitë nuk mund të mohohen, veçse nëse mohohet më parë koncepti i profecisë, gjë e cila barazohet me mohimin dhe përgënjeshtrimin e fesë, edhe pse kjo nuk deklarohet qartë nga studiuesit orientalistë. Ata thjesht mjaftohen duke nxjerrë në pah inteligjencën e të dërguarit të Zotit a.s., gjenialitetin e tij, trimërinë, politikat menaxhuese etj… të cilat shërbejnë si një hyrje për të arritur më pas tek konkluzioni përfundimtar.

Por, ka dhe të tjerë të cilët e kanë shprehur haptazi konkluzionin përfundimtar, si Shibley Shamil i cili e konsideron besimin tek feja, si besim tek një mrekulli e pamundur.

E ti i ke dy pare mend që ta kuptosh se s'ia vlen të merresh me studimin rreth besimit apo mohimit të disa detajeve të mrekullive, ndërkohë që vetë feja është subjekt dyshimi.

2. - Nëse e marrim në shqyrtim jetëshkrimin e të dërguarit të Zotit a.s. dhe ngjarje të ndryshme nga jeta e tij, do të vërejmë që Zoti i ka dhënë një dyzinë mrekullish, të cilat duhen besuar, pasi kanë mbërritur në ditët tonë nëpërmjet njerëzve të shumtë të besueshëm, saqë përgënjeshtrimi është i pamundur.

Ndër këto mrekulli, është dhe rrjedhja e ujit të pijshëm nga gishtat dhe duart e tij fisnike. Transmeton imam Buhari në kapitullin e abdesit, por dhe shumë shkencëtarë të tjerë të hadithit, si imam Muslim, imam Malik etj… se rrjedhja e ujit të pijshëm nga gishtat e Profetit a.s. është përsëritur në disa raste. Transmetimi i këtyre ngjarjeve nga njerëz të shumtë dhe të besueshëm, e bën atë një fakt të pamohueshëm.

E njëjta gjë vlen dhe për hadithin e çarjes së hënës, kur ia kërkuan idhujtarët si provë dhe argument se ishte i dërguar i Allahut. Ibnu Kethiri thotë se ky hadith është transmetuar nga njerëz të shumtë dhe të besueshëm, në mënyra dhe rrugë të ndryshme, të gjitha të sakta. Të gjithë dijetarët kanë mendim unanim për këtë mrekulli, e cila ka ngjarë në jetën e profetit Muhamed a.s. dhe se ka qenë një nga argumentet e qartë dhe të pamohueshëm.

Po të njëjtin status gëzon dhe udhëtimi i Israsë dhe Miraxhit, temë për të cilën po flasim në këto rreshta. Kjo ngjarje është transmetuar nga burime dhe njerëz të besueshëm, gjë e cila gëzon dhe unanimitetin e myslimanëve dhe dijetarëve.

Është e çuditshme pasi këta që reklamojnë cilësitë e gjenialitetit të profetit Muhamed a.s., duke mohuar mrekullitë dhe ngjarjet e pazakonta në jetën e tij, e injorojnë faktin se këto mrekulli janë transmetuar në rrugë të sigurta dhe të besueshme, duke marrë statusin e argumenteve të prera dhe të pamohueshme. Ata nuk flasin për këto hadithe as në mënyrë pozitive dhe as negative, sikur librat e hadithit të mos përmbanin me dhjetëra transmetime të pamohueshme të tyre.

Është e qartë që shkaku i këtij injorimi është ikja prej problemit të madh me të cilin do të përballen teksa marrin në shqyrtim këto hadithe, të cilat bien ndesh haptazi me linjën teorike që ka lëshuar rrënjë në kokat e tyre.

3. - Mrekullia (muxhize) është një fjalë e cila nuk ka një kuptim vetjak dhe me të synohet një kuptim relativ. Kështu, mrekulli sipas konceptit të njerëzve, është çdo ngjarje që del jashtë të zakonshmes dhe tradicionales. Por çdo gjë tradicionale dhe e zakonshme, zhvillohet dhe progreson me ndryshimin kohërave, kulturave, mënyrës së perceptimit dhe shkencave. Diçka mund të jetë konsideruar në një kohë si mrekulli, por që sot është shndërruar në diçka të zakonshme, ashtu siç diçka që është normale dhe e zakonshme në një ambient të civilizuar, në një ambient primitiv konsiderohet si mrekulli dhe e pazakontë. Madje, do të thosha që si e zakonshmja ashtu dhe e pazakonshmja janë mrekulli në thelb.

Planetët janë mrekulli, lëvizja e galaktikave është mrekulli, ligji i gravitetit është mrekulli, sistemi nervor tek njeriu është mrekulli, qarkullimi i gjakut është mrekulli, shpirti i tij është mrekulli, vetë njeriu është mrekulli.

Tani e kuptoj sa i saktë ka qenë francezi Chateaubriand, i cili e quajti njeriun "gjallesë metafizike" pra një qenie e mistershme dhe enigmatike.

Veçse njeriu, për shkak të kohëzgjatjes dhe vijueshmërisë, e harron thelbin dhe vlerën e mrekullisë, duke e konsideruar të pazakontë dhe mrekulli vetëm atë ngjarje që na befason, surprizën dhe thyen vetëm ato ligje me të cilat janë familjarizuar njerëzit. Tradicionalen dhe të zakonshmen, ai e shndërron në kriter dhe standard të besimit apo mosbesimit të tij. E kjo është një sjellje e çuditshme e njeriut, sado lart të qëndrojnë në shkallët e civilizimit dhe shkencës.

Një meditim dhe reflektim i shkurtër nga ana e njeriut, do ia sqaronte qartësisht se ky Zot i cili krijoi mbarë universin, nuk e ka aspak të vështirë ti shtojë atij një mrekulli tjetër, apo të bëjë një ndryshim të vogël në disa ligje mbi të cilat ka krijuar botën. Një reflektim të ngjashëm pati dhe orientalisti britanik Uiliam Xhons, kur tha: "Forca që ka krijuar botën, nuk e ka aspak të pamundur të heqë diçka prej saj, apo ti shtojë diçka tjetër. Është e lehtë të thuhet se është e paimagjinueshme për arsyen, por ajo për të cilën thuhet se është e paimagjinueshme, nuk është më e paimagjinueshme sesa ekzistenca e botës". Pra, kjo botë ku jetojmë, dikur nuk ka ekzistuar.

Së dyti: Israja dhe Miraxhi, janë ngjarje të cilat i përjetoi profeti Muhamed a.s. në një kohë delikate për mesazhin islam.

Profeti a.s. ishte përballur me sfida dhe probleme nga më të ndryshmet me idhujtarët mekas. Vuajtja dhe problemi më i fundit për të, ishte vajtja në Taif, ku u prit shumë keq nga njerëzit. Përjetimi i kësaj ngjarjeje nga ana e Profetit a.s., duket qartë në lutjen që bëri teksa ishte ulur të pushojë në fermën e djemve të Rebia-s. Ai i lutej dhe i përgjërohej pafundësisht Mbështetësit më të madh, ku i tregonte dobësinë dhe pafuqinë e tij. Ai frikësohej se mos këto vuajtje dhe probleme i ndodhnin për shkak të ndonjë zemërimi hyjnor, gjë të cilën e pikasim tek fjalët: "Nëse Ti nuk je i zemëruar me mua, nuk dua t'ia di për gjë tjetër".

Udhëtimi i Israsë dhe Miraxhit dhe mikpritja që iu rezervua, ishte thjesht një nderim dhe shpërblim nga ana e Zotit, ishte një përtëritje e vullnetit dhe vendosmërisë. Ky udhëtim ishte për ti treguar Profetit a.s. se problemet, sfidat dhe konfliktet me popullin e vet, nuk ishin për shkak se Zoti kishte hequr dorë prej tij, ose se ishte zemëruar, por ishin thjesht një nga ligjet e Zotit në tokë, ishte ligj i ftesës islame në çdo kohë dhe vend.

Së treti: Domethënia e udhëtimit të Profetit a.s. drejt Kudsit (Jeruzalemit).

Udhëtimi i dyfishtë, drejt Kudsit (Jeruzalemit) e mandej drejt lartësive të qiejve, ka një domethënie dhe tregues të rëndësishëm për statusin dhe shenjtërinë e xhamisë Aksa dhe Kudsit tek Zoti i lartësuar. Ai tregon lidhjet e fuqishme që ekzistojnë mes profetit Isa a.s. dhe të profetëve të mëparshëm të cilët kanë dalë nga kjo tokë, me profetin Muhamed a.s..

Njëkohësisht, ka dhe domethënien tjetër, përkujdesin dhe rëndësinë që duhet të tregojnë myslimanët në çdo kohë, për këtë tokë të shenjtë. Ata duhet të organizohen të gjithë në mbrojtje të saj nga armiqtë dhe agresorët. Sikur urtësia hyjnore u bën thirrje myslimanëve të kësaj kohe që asnjëherë të mos ligështohen, por të brofin të gjithë në këmbë në mbrojtje të Kudsit (Jeruzalemit) nga sulmet dhe planet e dashakeqëve. Ajo është një tokë që duhet pastruar dhe u duhet rikthyer pronarëve të saj besimtarë.

Kush e di? Ndoshta ka qenë ndikimi i magjishëm i udhëtimit të Israsë, ai që e frymëzoi Salahudin Ejubin, Zoti e mëshiroftë, të brofë dhe tu bëjë ballë sulmeve të ushtrive kryqtare, duke e pastruar tokën e shenjtë prej tyre dhe duke i kthyer andej nga kishin ardhur.

Së katërti: Fakti që profeti Muhamed a.s. zgjodhi enën e qumështit dhe refuzoi atë të alkoolit, është një tregues simbolik që islami është fe e natyrës së pastër. Ajo është feja në të cilën harmonizohet kredoja, dispozitat dhe instinktet burimore njerëzore. Në islam nuk ka asgjë e cila bie ndesh me natyrën burimore të njeriut. Kështu, nëse natyra (fitra) e njeriut do të mishërohej në një fizik me përmasa të caktuara, islami do të ishte rroba që i shkonte më për shtat deri në detaje.

Është pikërisht kjo një nga arsyet e përhapjes kaq të gjerë të kësaj feje mes njerëzve. Sado që njeriu të ngjisë shkallët e civilizimit dhe të pushtohet nga kënaqësitë e materies, ai do të vazhdojë të ketë tendenca të njëpasnjëshme për t'iu përgjigjur natyrës së pastër dhe burimore. Ai do të përjetojë herë pas here ndjenja të forta të cilat duan ta shkëpusin nga vargonjtë të cilat e mbajnë larg natyrës burimore. Islami është sistemi i vetëm në të cilin njeriu u përgjigjet instinkteve të natyrës burimore dhe njerëzore.

Së pesti: Udhëtimi i Israsë dhe Miraxhit, u bë me trup dhe me shpirt së bashku. Ky është ajo që besojnë myslimanët që nga kohët e hershme gjer tani. Thotë imam Neveviu: "E vërteta të cilën e besojnë të parët tanë (selefët) dhe të mëvonshmit prej fakihëve, shkencëtarëve të hadithit dhe mutekeliminët, është se Profeti a.s. udhëtoi në Isra dhe Miraxh me trupin dhe shpirtin e tij bashkë. Kushdo që i lexon tekstet e këtij kapitulli, e kupton qartë këtë fakt. Është krejt e panevojshme që këto tekste të nxirren nga kuptimi literal i qartë i tyre, pa ndonjë arsye të fortë".

Thotë Ibnu Haxher: "Israja dhe Miraxhi ndodhën brenda një nate të vetme, në gjendje të zgjuar të trupit dhe të shpirtit. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve të fikhut, hadithit dhe kelamit. Tekstet literale të qartë janë të shumtë dhe s'ka nevojë të interpretohen".

Një ndër argumentet se ky udhëtim ishte me trup dhe shpirt, është fakti se idhujtarët mekas shprehën habi dhe e përgënjeshtruan. Nëse ky udhëtim do të ishte paraqitur si një ëndërr, çështja nuk do të ishte pritur kaq bujshëm nga kurejshët. Ata s'kishin përse të habiteshin, pasi imazhet në ëndrra janë të panumërta dhe gjëra të tilla mund ti ndodhin si një myslimani ashtu dhe një idhujtari. Veç kësaj, nëse udhëtimi do të ishte bërë me shpirt, s'kishte përse ta pyesin Profetin a.s. rreth xhamisë Aksa, mbi numrin e kolonave, dyerve dhe penxhereve.

Lidhur me pyetjen si ndodhi kjo mrekulli dhe si mund ta perceptojë mendja, them se ajo ishte një nga shumë mrekulli që ndodhin në univers dhe jetën tonë të përditshme. Më lart, thamë se fenomenet e ndryshme në univers, nuk janë veçse mrekulli. Prandaj, ashtu siç arsyeja i percepton lehtësisht këto fenomene, mund ta perceptojë lehtësisht edhe këtë mrekulli të Israsë dhe Miraxhit.

Së gjashti: Teksa lexon dhe hulumton mbi mrekullinë e Israsë dhe Miraxhit, bëj kujdes dhe mos bjer viktimë e atij që njihet si libri i Ibnu Abasit "Miraxhi", pasi përbëhet nga një kompleks hadithesh të sajuara dhe të pabaza. Ai që e ka shkruar një libër të tillë, me këtë akt të shëmtuar ka dashur që ti mveshë Ibnu Abasit gënjeshtra e trillime të pabaza. Çdo studiues e di mirë që Ibnu Abasi nuk ka shkruar ndonjë libër rreth Israsë dhe Miraxhit, pasi shkrimi dhe botimi i librave filloi dhe u përhap në masë nga fundi i dinastisë omejade.

Reklamuesit dhe propaganduesit e të ligës, kur u prezantuan me këtë libër e gjykuan tepër të rëndësishëm për të lëkundur besimin e shumë myslimanëve. Ata i bënë reklamë të madhe dhe i thurën lavde të shumta, edhe pse e dinin mirë se është një libër i sajuar dhe i është atribuuar padrejtësisht Ibnu Abasit. Tek njerëz të tillë, gënjeshtra shndërrohet në një të vërtetë të pamohueshme, nëse i shërben hutimit dhe lëkundjes së besimit të myslimanëve.



Autor: Dr. Muhamed Seid Ramadan EL-BUTI
Përktheu: Elmaz FIDA