Banner

Kujtime që lidhen me emrin e madh të Doktor Butit



Gjatë viteve të studimit në Damask, në periudhën 1993-2001, përveç dijetarëve dhe edukatorëve të spikatur të shkollës sime, natyrshëm, kam ndjekur me shumë dëshirë përfitimi dhe me zellin e kërkuesit të dijes, edhe shumë e shumë dijetarë dhe eruditë të shquar të vendit, (kryesisht damaskenë, por edhe nga qytete të tjeta siriane), nga derset dhe aktiviteti i të cilëve, Damasku ruante cilësinë e qytetit të ulemave dhe eulijave, që trashëgonin me dinjitet traditat më të përkryera të përhapjes së Thirrjes Islame nëpërmjet shembullit personal të dijetarëve punëtorë.

Dr. Muhammed Said Ramadan El-Buti, ishte padyshim njëri ndër këta dijetarë elitarë, që tërhiqte përherë vëmendjen me ligjëratat, hytbet dhe librat e tij, sidomos atë të studentëve universitarë nga mbarë bota, që e ndiqnin kudo.

Ishte ajet prej ajeteve të dijes, modestisë, përkushtimit ndaj misionit të dijetarit elitar, elokuencës, saktësisë shkencore, forcës argumentuese, transparencës shpirtërore, tendencës për thyerjen e tabuve të trashëguara gabim, që duke iu ngjeshur Islamit, e kthenin atë në folklor popullor, më shumë sesa fé universale.

Herë pas here, me ndonjë prej shokëve të afërt, (a edhe vetëm), shkonim për ta falur namazin e sabahut në xhaminë e "Doktorit", siç qarkullonte në mesin tonë emri i tij. Ishte një rrugë me ngjitje drejt Kasijunit. Kalonte në mesin e shtëpive arabe, varrezës dhe një tëpjete jo të fortë, derisa shfaqej xhamia.

Zakonisht, Doktori falej imam. Kishte një këndim të ëmbël, që e karakterizonte tingulli melankolik, që pa pyetur të depërtonte në shpirt e të ngacmonte ndjenjat e qëndrimit para duarve të Krijuesit të gjithësisë ...

Pastaj vinte virdi i sabahut. Sa përshpirtje kishte në ato dhikre, synete të forta të transmetuara nga Resulull-llahu (a.s.), që ia plotësonin vlerën dhe madhështinë namazit të parë të ditës së re ...

I shumëpritur ishte momenti, kur të gjithë ngriheshin dhe krijohej një rresht i gjatë, që kalonin në qetësi drejt mihrabit, ku qëndronte i thjeshtë në mashështinë e tij, Dr. Buti ... Momenti i shtrëngimit të duarve me zotninë e tij ishte e,ocion më vete. (Shpesh kthehej në objekt bisede dashamire në mesin e studentëve, që natyrshëm e donin dhe e vlerësonin tejmase mendimtarin e njohur, ez'heristin e apasionuar pas shkencave të akaidit, filozofisë, (por jo vetëm), aty ku ylli i tij shkëlqente në qiellin e ymetit islam) ...

Shpesh, mezi prisnim të vinte e xhumaja. Fillimisht, pasi ndiqnim dersin e tefsirit të Hoxhës tonë, Shejkh Ahmed Keftaro, vraponim të dilnim nga xhamia dhe të ngjiteshim drejt xhamisë së Doktorit. (Ishte zhgënjim i madh për ne, kur ndonjëherë, për shkaqe udhëtimesh jashtë vendit, për pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare kryesisht, Doktori mungonte. Nuk dëgjohej njeri tjetër pos tij në minberin e tij. Nuk shijonte asnjë hytbe xhumaje në atë minber, pos hytbes së tij!)

Vraponim të zinim një vend përballë minberit. Prisnim me padurim momentin, kur Doktori shfaqej në hyrje të sallës së faljes. Përherë i bënte me shenjë njerëzve të mos ngriheshin në këmbë në shenjë respekti për të. (Po të ngriheshin, ulej dhe nuk e vazhdonte ecjen). Pastaj falja para ezanit të xhumasë dhe hytbeja e tij, që ishte fenomen më vete ...

Dr. Buti ishte shkollë hatabeti. Çdo hytbe kishte një bosht, që si vorbull të tërhiqte drejt thelbit dhe, të bënte të jetoje me të, ta ndjeje e të largoheshe nga xhamia duke medituar rreth përmbajtjes ...

Shpesh, e ndalonte hytben e tij. i përfshirë në emocionet e ajeteve dhe haditheve të saj, si atë të xhuma, kur po përsëriste ajetin kur'anor 11 të sures Muhammed: "All-llahu është mbrojtës i atyre që besuan, kurse për jobesimtarët nuk ka mbrojtje"! E kujtoj si tani. Isha fiksuar në mimikën e fytyrës së tij. U mek, teksa lexonte këtë ajet të madhnueshëm ...

Këto përshpirtje, e të tjera, më erdhën në mendje, teksa iu riktheva leximit të disa pjesëve nga libri i tij: "Personalitete që tërhoqën vëmendjen time", botim i vitit 1999, nga Shtëpia botuese prestigjioze damaskene, "Darul-Fikr". (Libri në fjalë trajton disa personalitete të shquara të ymetit islam, si: Abdull-llah ibn El-Mubarek, Imam Ebu Hamid El-Gazali, Xhelaluddin Er-Rumi, Bediuzeman Said En-Nursi, Rozhe Garodi, Xhemaluddin El-Efgani etj., të cilët, Doktori i analizon në një mënyrë jotradicionale, duke nxjerrë në pah tipare të mendimit, kontributit dhe prodhimtarisë së tyre intelektuale dhe shpirtërore, për t'u pasur zili.)

Rahmet pastë, sa boshllëk të madh ka lënë ...



Autor: Imam Muhamed B. SYTARI