Banner

Gruaja në peshën e Sheriatit Islam, krahasuar me realitetin e saj në shoqërinë perëndimore [*]



Do të flas për obligimet e gruas dhe të drejtat e saja në peshoren e Sheriatit, pavarësisht gjendjes reale në shoqëritë Islame, të cilat dallojnë në sasinë e zbatimit të dispozitave të sheriatit islam.

Së pari: Allahu i flet të dyve, burrit dhe gruas, në Kur'an, me të njëjtin nivel të fjalimit nderues, në të njëjtin nivel të vënies në pah të vlerës njerëzore në të cilën të dytë janë të barabartë. Ai thotë për shembull:

{مَنْ عَمِلَ صالِحاً مِنْ ذَكَرٍ أَوْ أُنْثَى وَهُوَ مُؤْمِنٌ فَلَنُحْيِيَنَّهُ حَياةً طَيِّبَةً} [النحل:16/97] ويقول:{إنِّي لا أُضِيعُ عَمَلَ عامِلٍ مِنْكُمْ مِنْ ذَكَرٍ أَوْ أُنْثَى بَعْضُكُمْ مِنْ بَعْض} [آل عمران: 3/195]، ويقول:{إِنَّ الْمُسْلِمِينَ وَالْمُسْلِماتِ وَالْمُؤْمِنِينَ وَالْمُؤْمِناتِ وَالْقانِتِينَ وَالْقانِتاتِ وَالصّادِقِينَ وَالصّادِقاتِ وَالصّابِرِينَ وَالصّابِراتِ وَالْخاشِعِينَ وَالْخاشِعاتِ وَالْمُتَصَدِّقِينَ وَالْمُتَصَدِّقاتِ وَالصّائِمِينَ وَالصّائِماتِ وَالْحافِظِينَ فُرُوجَهُمْ وَالْحافِظاتِ وَالذّاكِرِينَ اللَّهَ كَثِيراً وَالذّاكِراتِ أَعَدَّ اللَّهُ لَهُمْ مَغْفِرَةً وَأَجْراً عَظِيما} [الأحزاب:33/35]. - "Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t'i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t'u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre", (En-Nahl, 97). - "Zoti i tyre iu përgjegj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëri nga tjetri", (Ali Imran, 195). - "Nuk ka dyshim se për muslimanët e muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumëpërmendësit e All-llahut e shumëpërmendëset e All-llahut, All-llahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh", (El-Ahzab, 35).

Së dyti: Kur'ani vendos atë që njihet në sheriatin islam si "përgjegjësi e dyanshme" mes burrit dhe gruas, pasi vendos që burri të jetë përgjegjës për përkujdesjen e gruas, dhe e bënë gruan përgjegjëse për përkujdesjen e burri. Kështu thotë:

وَالْمُؤْمِنُونَ وَالْمُؤْمِنَاتُ بَعْضُهُمْ أَوْلِيَاءُ بَعْضٍ يَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَيَنْهَوْنَ عَنِ الْمُنْكَرِ وَيُقِيمُونَ الصَّلاةَ وَيُؤْتُونَ الزَّكَاةَ وَيُطِيعُونَ اللَّهَ وَرَسُولَهُ أُولَئِكَ سَيَرْحَمُهُمُ اللَّهُ إِنَّ اللَّهَ عَزِيزٌ حَكِيمٌ (٧١). - "Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe japin zeqatin, respektojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t'i mëshirojë All-llahu. All-llahu është ngadhënjyes, i urtë", (Et-Teube, 71).

Së treti: Islami vendos një sërë obligimesh me të cilët i detyron secilin nga burri dhe gruaja, siç i vendos një sërë të drejtash, të cilat ua jep secilit prej tyre. Pra, cili është burimi i obligimeve me të cilat ngarkohen? Dhe cili është burimi i të drejtave të cilat u janë dhënë?

Burimi i obligimeve në të dytë, burrin e gruan, është robërimi, gjegjësisht, pronësia e plotë e Allahut të madhëruar. Pasi që cilësia e robërisë është e njëjtë nuk ka kontrast në të, edhe obligimet me të cilat Allahu ju është drejtuar, janë të njëjta, po ashtu. Nëse i shqyrtojmë vargun e obligimeve me të cilat Allahu i ngarkon robërit e tij, do të hasim në vërtetësinë e asaj që e thash. Nëse haseni në raste te veçanta të cilat bëjnë përjashtim, ku obligimet nuk janë të njëjta mes burrit dhe gruas, do të bindeni se dallimi gjinor nuk ka as gjë të bëje me të, por bëhet fjalë për shkaqe të jashtme, të ngjashme me shkaqe të ndryshme të cilat ndodhin në mes të vetë burrave dhe çojnë në dallim në obligime në mes tyre.

Burimi i të drejtave te secili prej burrit dhe gruas, është vlera njerëzore e cili gjendet te secili prej tyre, pasi që vlera njerëzore është e njëjtë nuk ka dallim, nuk është më shumë "njerëzorë" burri se gruaja, e as e kundërta, për këtë edhe të drejtat me të cilat i nderoi Allahu janë të njëjta. Nëse ka raste të veçanta, ata nuk e kanë burimin te cilësia mashkullore e femërore, por, bazën e kanë te shkaqet e jashtëzakonshme të cilat shkaktojnë këtë dallim, siç do të shohim në shembujt që do t'i përmendim.

Gjatë krahasimit, patjetër duhet të pyesim, në anën tjetër rreth burimit të obligimeve dhe të drejtave të gruas në shoqëritë perëndimore. Përgjigjen që do ta marrim në rrafshin e realitet atje, është se burimi i obligimeve të saja është forca e interesave materiale, kurse burimi të drejtave të saja është femëria e sajë.

Si pasojë e sundimit të interesave materialiste, të cilët përfaqësojnë burim të obligimeve, u shfaqën në perëndim forma të ndryshme të abuzimit e padrejtësisë, që shumica ra mbi gruan pasi që ajo është e detyruar me forcën e sundimit të interesave materialiste të mirëmbaj veten, qoftë ajo vajzë në shtëpinë e prindërve të saj, apo bashkëshorte në përkujdesjen e burrit të saj, pasi është e aftë të trokas derën e çdo pune që të fitoj.


Çka fitoi perëndimi si pasoj e dorëzimit të këtij burimi të drejtave e obligimeve?

Janë dy rezultate:

Rezultati i parë: e shoi familjen, kur shkatërroi elementin kryesor të saj, pasi që familja nuk e merr rolin e vet të duhur, vetëm përmes solidaritetit i cili gjendet në mes anëtarëve të saj. Ky solidaritet pasqyrohet në përgjegjësinë e burrit për gruan dhe përgjegjësinë e prindërve për fëmijët e tyre. Këtë, filozofia e realitetit e shoi kur e bëri secilin individ përgjegjës për veten e tij.

Rezultati i dytë: perëndimi ekspozoi femërinë e gruas shkatërrimit, sepse e nxori atë në punë detyrimisht, e jo vullnetarisht e në kërkim të mirëqenies, gjë që i mohoi asaj mundësin e përzgjedhjes së punës të përshtatshme për të e që përputhet me femërinë e saj. Nëse do të ketë fat, do të gjejë punë të rehatshme, nëse nuk do të ketë fat, do të detyrohet të pranoj çdo punë që i ofrohet. Në këtë ambient e nën sundimin e domosdoshmërisë, zhduken dallimet mes punëve të grave e punëve të burrave. Nuk ka punë të vështirë e të lodhshme të cilat i kryejnë burrat, vetëm se gjen gra të shumta që kanë parapri në ato punë nga domosdoshmëria prej së cilës nuk mund të ikin.

Pasoja e marrjes së femërisë së gruas burimit të parë të drejtave të saj, në rrafshin praktik do të thotë se kur të kaloj koha më e vlefshme e saj (femërisë) e të zbehet shkëndija e rinisë, kalon e zbehet nderi e respekti të cilin e ka pasur, ndonjë herë bile edhe zëvendësohet i gjithë ai nder e respekt me lloje të ndryshme me të vuajtjes e përbuzjes.

Nëse tekstet e ligjeve të shkruara në letër, flasin ndryshe nga kjo që po e themi, realiteti i dhimbshëm në të cilin vuan gruaja perëndimore e cila ka tejkaluar moshën e rinisë dhe moshën e mesme, nuk i lënë asnjë gjurmë pushtetit të teksteve ligjore e bukurisë magjepse të tyre.

Në Amerikë janë përhapur strehimore të shumta të një lloji të veçantë, për të pranuar gra të cilat kanë pasur mundësi të ikin nga breshëri i të rrahurit e shkatërrimit nga ana e bashkëshortëve ose shokëve. Këta strehimore janë të maskuara me dekore të ndryshme, me qëllim që të mos mund të zbulohet se ç'është, e mos të mund t'i gjejnë burrat e shokët, pas strehimit që kanë gjetur në të.

Richard F. Jones, profesor në Institutin amerikan për obsestetri dhe gjinekologji, ka shkruar një artikull rreth kësaj dukurie me titullin: "Dhuna shtëpiake, le të dëgjohet zëri ynë", ( Domestic Violence, Let Our Voices be Heard).

Artikullin e tij e hapi duke shkruar: "një epidemi e tmerrshme përhapet në vendin tonë, e ne nuk guxojmë të lejomë që të përhapet më shumë". Pastaj thotë: "Në çdo 12 sekonda rrahet një grua deri në shkallën e vrasjes apo shkatërrimit nga ana e bashkëshortëve apo shokëve. Çdo ditë shohim pasojat e rrahjes e rezultatet e saj, në zyrat tona, në dhomat e emergjencës, në ambulancat e tona"!

E them: Ka shumë të ngjarë se nuk kursehen nga kjo epidemi vetëm ata të cilat ju ka ndihmuar fati të kenë vende pune prestigjioze apo të kenë pozita shoqërore të dalluara.

Kurse gruaja në shoqëritë tona islame (në shumicën e tyre ende sundon sistemi dhe edukata islame) rritet pozita e saj te burrat e në sytë e tyre lartë, për aq sa shtyhet në moshë e afrohet moshës së pleqërisë. Gruaja e plakur në shtëpi është zonja e parë pa diskutim. Fjala e sajë dëgjohet, e të gjithë e trajtojnë me nderim e respekt.

Baza e asaj që thamë më lartë është burimi i të drejtave të gruas në islam është njerëzia e saj, e edukata islame ende (duke falënderuar Allahut) ka ndikimin e saj në shoqëritë arabe e islame, sado që të flasim për mos përmbajtjen e muslimanëve Islamit dhe sistemit e moraleve të tij.

Si pasoj e marrjes së sheriatit islam të këtij burimi si bazë (njerëzinë e gruas), sheriati me këtë i dha gruas të drejtën e punës, e cila është legal në vetën e saj (fjala është për punë që janë të lejuara me ligjin islam, pra është legal në sheriat, shënim i përkthyesit.), por të realizohet nevoja e sajë jetësore me anë të përgjegjësisë së prindit ose burrit, e të jetë kërkimi i punës për të arritur mirëqenie e përmirësim të jetesës, e jo nga nevoja. Me këtë ajo mund të mbroj veten e saj nga punët e lodhshme të cilat nuk përshtaten me femërinë e saj. Pagesa e punës sipas sheriatit islam, lidhet me përsosmërinë e punës e jo me identitetin e punëtorit. Burri e gruaja janë të barabartë në pagën e punës, për aq sa sasia e përsosmërisë së punës është e njëjtë, por që duhet të merret parasysh shkalla e përparësive atëherë kur vendet e punës janë të pakta.

Si pasoj e këtij burimi, është gjithashtu barazia e burrit dhe gruas në të drejtën e "Shura-s" (Kuvendit apo parlamentit), në zgjedhjen e anëtarëve të sajë, apo në pjesëmarrjen e saj me burrat në këtë anëtarësi, apo në përzgjedhjen e sundimtarit dhe zgjedhjen e tij.

Por, disa njerëz provokojnë kritika që sugjerojnë të kundërtën e asaj që e sqaruam.

Nga ato provokime është qëndrimi kritik ndaj ajetit Kur'anon: الرِّجَالُ قَوَّامُونَ عَلَى النِّسَاءِ (٣٤). - "Burrat janë përgjegjës për gratë", (En-Nisa, 34). Fjalës "Kavamun" i ngjisin domethënien e pavërtetë e cila përputhet me kritikën e tyre, e ajo është lartësimi i burrit mbi gruan në jetën bashkëshortore duke e shtypur atë e i bërë padrejtësi! Por domethënia e njohur gjuhëtare e cila është edhe pranuar me sheriat është përkujdesja e udhëheqja të cilat të lënë të kuptosh se ajo jeton në përkujdesjen e burrit, e nuk ka kuptim të shtypjes e padrejtësisë prej të cilave sheriati Islam ka ndaluar.

Është e njohur shkencërisht e në praktikë se gruaja është e gëzuar në jetën bashkëshortore nëse ndien se jeton në mbikëqyrjen e burrit dhe mbrojtjen e tij, ashtu siç e pohon doktoresha gjermane Esther Vilar, e sikur të sprovoj fati të ketë një jetë bashkëshortore të mbrapsht duke qenë ajo përkujdesëse e mbrojtëse, kurse burri të jetë nën hijen e përkujdesjes së sajë, vetë ajo do të bie në mjerim të pandërprerë.

Shembull tjetër është kritika se Kur'ani e ka bërë dëshminë e gruas sa gjysma e dëshmisë së burrit, e ky është argument se ajo nuk merr veç se gjysmën e të drejtave që i merr burri.

Ata të cilët kanë studiuar sheriatin Islam e dinë se qëndrimi i tij ndaj vlerës së dëshmisë së gruas është i njëjti qëndrim i ligjeve dhe shoqërive perëndimore. Ligjet perëndimore, si të gjithë ligjet e tjera, janë të interesuara në elementin e dëshmisë në fazën e hetimit dhe tubimit të informatave, e jo në fazën e dhënies së gjykimeve, pra është e njohur se këto ligje nuk bëjnë dallim mes dëshmisë së burrave dhe grave. Gjithashtu, është e njohur se sheriati islam përputhet në këtë me ligjet njerëzore plotësisht. Hulumtuesi duhet të mbështet në fazën e hetimit dëshmitë që i ka në dispozicion e që janë të sakta, burri e gruaja në këtë janë të barabartë.

Sa i përket dëshmisë në ajetin Kur'anor: فَإِنْ لَمْ يَكُونَا رَجُلَيْنِ فَرَجُلٌ وَامْرَأَتَانِ (٢٨٢). - "E në qoftë se nuk janë dy burra, atëherë një burrë e dy gra", (En-Nisa, 282), ky ajet vjen në shprehje gjatë dhënies së gjykimit, d.m.th. mbështetje për dhënien e tij. Nëse sheriati Islam kushtëzon, në këtë rast, për t'u mbështetur në dëshmi, që në vend të një burri të jenë dy gra, ligjet pozitive nuk e marrin parasysh hiç dëshminë e saj, ashtu siç nuk e marrin parasysh as dëshminë e burrit.

Shkaku që Kur'ani kushtëzoi që dëshmia e dy grave të jetë në vend të dëshmisë së burrit në çështjet financiare, nuk ka për bazë femërinë e gruas siç mund të keq mendojnë disa, por për bazë ka një kusht themelor në dëshmi, e ai është dëshmitari të ketë lidhje të ngushtë me temën për të cilën dëshmon, qoftë burrë dëshmitari apo grua. Në qoft se tema e grindjes është e atij lloji për të cilin gruaja ka lidhje më shumë dhe njohuritë e saj janë më thella, atëherë përparësi ka dëshmia e gruas, siç janë çështjet e mbikëqyrjes së fëmijëve, prejardhja e fëmijës e gji dhënien. Nëse rasti ka lidhje më forta me burrat, atëherë përparësia është për dëshminë e burrave, siç janë çështjet e krimit, plaçkitjet e vrasjet.

Prej kritikave që i bazojnë në iluzione është se hiseja e gruas në trashëgimi është sa gjysma e hises së burrit gjithherë, duke u mbështetur në ajetin Kur'anor: لِلذَّكَرِ مِثْلُ حَظِّ الأنْثَيَيْنِ - "Për mashkullin hise sa për dy femra", (En-Nisa, 14).

Ky iluzion, në të vërtetë mbështet në një injorancë që nuk tolerohet.

Kur'ani ka gjykuar me këtë gjë vetëm në një rast, e ajo është kur i trashëguari vdes e lenë pas veti fëmijë meshkuj e femra, ose lenë vëllezër e motra. Dihet se i biri dhe vëllai, secili prej tyre e bëjnë të motrën e vet të trashëgoj përveç hises së saj të caktuar, d.m.th. e bënë ortake të tij në posedimin e asaj që mbetet nga trashëgimia pasi që të kenë marr hiset e tyre, ata që kanë hise të caktuara të marrin. Vetëm atëherë, vëllai që e ka bërë të motrën ortake në trashëgimi merr dy fish nga ajo që merr e motra e saj ortake. Në rastet e tjera, gruaja dhe burri janë të barabartë në hiset e caktuara që i trashëgojnë. Bile ndoshta edhe shumë herë hisja e femrës është më e madhe se hisja e mashkullit. (Vajza dhe motra bëjnë pjesë në grupin e atyre që kanë hise të caktuara në trashëgimi, e që quhen në shkencën e "FARAID-it", As'habul furud. "FARAID" apo "ILMUL MIRATH" quhet shkenca apo disiplina e fikhut që studion mënyrën e ndarjes së trashëgimisë. Vajza e motra trashëgojnë nga dy mënyra: "duke marr hisen e caktuar si sahibetu fardin, dhe mënyra tjetër duke u bashkuar me të vëllanë e saj si elasabetu bilgajri, ose duke u bashkuar me të motrën apo të motrat nëse janë më shumë si elasabetu mealgajri, dhe marrë bashkarisht pjesën e mbetur të pasurisë, të cilën do ta ndajnë në mes veti në bazë të parimit të lartpërmendur në ajetin e mëparshëm". ("Për mashkullin hise sa për dy femra", përkthyesi).

Nga kritikat e tyre është mospëlqimi me atë se sheriati islam ja ndaloi gruas presidencën e shtetit në shoqërinë islame. U a them shkurt atyre që kundërshtojnë: "Një pjesë e madhe e detyrave të cilat i kryen kryetari i muslimanëve në shoqërinë islame, janë detyra krejtësisht fetare si namazi i xhumasë e hytbeja e sajë, falja e Bajramave, namazi i shiut, namazi i eklipsit etj.. Dihet se gruaja nuk mund t'i kryej këto rite fetare as për veten në të gjitha kohërat, e lere më t'i kryej si udhëheqëse e të tjerëve".

Pa marrë parasysh këtë arsyetim të veçantë, realiteti historik prej kohërave të hershme e deri më sot, përputhet plotësisht me qëndrimin e sheriatit Islam. Kujto emrat e atyre që kanë qenë mbretër ose kryetarë të shteteve të tyre prej kohërave të hershme deri më ditët e sotshme, do shohësh se numri i grave të cilat kanë zënë atë pozitë nuk është më shumë se numri i gishtërinjve të dy duarve, ja SHBA-a e cila i thirr gratë e botës të kërkojnë të drejtat e tyre, nuk kemi dëgjuar që një grua atje të ketë marr postin e presidentit, prej themelimit të saj si shtet deri më sot, bile nuk kemi dëgjuar që një grua të jetë kandiduar për kryetare, (Hillary Clinton ishte gruaja e parë që u nominua kandidate për presidente të SHBA-ve në vitin 2008, përkthyesi).

Besoj se këto janë shumica e kritikave perëndimore ndaj pozitës së gruas në islam, kurse ajo që ne e themi për pozitën e saj tragjike në perëndim është shumë, për disa prej tyre tregova shkurtimisht, ndoshta hapja e debatit dhe diskutimet që pasojnë do të hapin rrugën për shpjegim e sqarim më të gjerë.

Falënderim Allahut të gjithë botërave.



Autor: Shejh Seid Ramadan Buti
Përktheu: Emrulla Kamberi



_________________________

[*] - Ligjëratë e mbajtur në qendrën kulturore e sociale në Paris, në kuadër të seminarit rreth Gruas.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...