Banner

Fikhu Sire - Parathënia e përkthyesit



Falënderimi dhe lëvdimi i takon Allahut Fuqiplotë, Krijuesit të gjithësisë dhe Sunduesit të Ditës së Gjykimit. Përshëndetjet e përzemërta (salavatet) ia dërgojmë shëmbëlltyrës së njerëzimit, Kuranit të gjallë dhe biografisë më të çiltër të njerëzimit - Muhamedit (alejhi selam).

Studimi i biografisë së Muhamedit (alejhi selam) gjatë gjithë historisë është bërë në forma të ndryshme dhe është hulumtuar nga kënde dhe pikëpamje të llojllojshme. Në mesin e atyre mijërave lëvrimeve shkencore që janë bërë në lëmin e jetës së Pejgamberit (alejhi selam) është edhe vepra e dijetarit të njohur sirian Muhamed Seid Ramadan El-Buti, e titulluar "Fik'hu es-Sireti".

Pasi shpjegimin e këtij libri e kam ndjekur nga vetë autori për vite me radhë gjatë kohës së studimeve në Siri dhe duke marrë në konsideratë vlerën, dobinë, metodologjinë e shkëlqyer shkencore që ka përdorur autori për ta sjellë më afër nesh Muhamedin (alejhi selam), vendosa t'i përkushtohem përkthimit të këtij libri në gjuhën shqipe, ashtu që edhe lexuesi shqipfolës të ketë para vetes një margaritar të çmuar siç është vepra e autorit në fjalë, sepse e njëjta është ribotuar mbi tridhjetë herë në gjuhën arabe dhe është përkthyer në shumë gjuhë të botës.

Përparësi e këtij libri është se Muhamed Seid Ramadan El-Buti e ka vështruar jetën e Muhamedit (alejhi selam) nga këndvështrime të ndryshme dhe për pothuaj secilin moment të jetës së Tij ka dhënë mësime dhe këshilla konkrete, duke filluar nga akaidi, kelami (apologjetika), etika, estetika, fik'hu (jurisprudenca islame), etj..

Kështu, shpresoj se dalja në shtyp e këtij libri do të sjell një dimension tjetër të Shëmbëlltyrës së njerëzimit para shoqërisë sonë.

Në fund, i falënderoj të gjithë ata që kontribuuan për daljen në dritë të këtij përkthimi dhe lus Zotin e Gjithëfuqishëm që shpërblimin e kësaj pune ta korrim bashkërisht në Botën Tjetër.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Mr. Qazmedin SHAQIRI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...