Banner

Nuk ka ikje (rrugëdalje) prej imitimit! 5



E para: Nuk ka ikje (rrugëdalje) prej imitimit (teklidit) dhe se është i lejuar sipas konsensusit të të gjithë muslimanëve:

Aspekti i tretë: Argumenti i qartë logjik.

Këtë e shprehim me fjalët e dijetarit të famshëm Abdullah Draz ku thotë: "... argumenti logjik është se ai i cili nuk posedon aftësi për ixhtihad, nëse ndodhë ndonjë ndodhi anësore, atëherë ose të mos realizohet me të adhurimi në esencë e që është në kundërshtim me ixhmain, ose të realizohet. Në rastin kur realizohet, ajo bëhet ose me anë të hulumtimit të argumentit që e vërteton hukmin ose me anë të imitimit. Obcioni i parë, është i pamundshëm, sepse kjo do të thotë që të gjithë njerëzit të merren me të studiuarit e argumenteve e t'i lënë anësh të gjitha punët tjera të kësaj bote që rezulton me shkatërrimin e jetës së kësaj bote. Po ashtu ky obcion synon çrrënjosjen e imitimit, gjë që është e pamundur. Atëherë, nuk mbetet gjë pos, obcionit të dytë, e që është imitimi, me anë të të cilit realizohet adhurimi". [6]

Kur kanë parë dijetarët se ekziston argument nga Kur'ani, sunneti dhe logjika se njeriu i rëndomtë (i padituri) ose dijetari, i cili nuk ka arritur gradën e ixhtihadit, nuk ka rrugëdalje tjetër pos të imitojë ndonjë muxhtehid që njeh mirë argumentet, kanë thënë se letvaja e muxhtehidit për njeriun e rëndomtë (të paditurin) është sikur argumenti nga Kur'ani dhe sunneti për muxhtehidin, sepse Kur'ani sikur që e ka obliguar dijetarin që t'i përmbahet argumenteve të tij, po ashtu e ka obliguar xhahilin (të pa diturin) që t'i përmbahet fetvasë së dijetarit dhe ixhtihadit të tij.

Në lidhje me sqarimin e kësaj të vërtete, imam Shatibiu thotë: "Fetvatë e muxhtehidëve për avamët (njerëzit e rëndomtë) janë sikur argumentet e sheriatit për muxhtehidët".

"Argument për këtë është se ekzistimi ose mosekzistimi i argumenteve për imituesit është i barabartë, përderisa ata nuk mund të përfitojnë asgjë prej tyre. Studimi i argumenteve nuk është punë e tyre e as nuk lejohet për ta në asnjë mënyrë. Allahu xh.sh. ka thënë: "Pyetni dijetarët nëse nuk e dini". Imituesi nuk është dijetar dhe nuk i lejohet atij pos t'i pyesë dijetarët. Imituesi dispozitat e fesë i kërkon prej dijetarëve, sepse ata për të janë në vend të sheriatit dhe fjalët e tyre janë në vend të ligjvënësit. [7]

Patjetër të përkujtoj edhe citatet të cilat i cekëm më parë nga Ibnul-Kajjimi, Dehleviu, El-Izz ibn Abduselami dhe El-Kemal ibn El-Hummami duke iu përgjigjur argumenteve të autorit të broshurës. Të gjitha këto citate përmbajnë argumente që legalizojnë imitimin për atë person, i cili nuk ka arritur gradën e ixhtihadit dhe nxjerrjes së dispozitave prej burimeve kryesore.

Nëse ke vërejtur argumentin e qartë që ngritet mbi bazat e teksteve kur'anore, ixhmait (konsensusit) të prerë dhe logjikës së shëndoshë për legalizimin e imitimit, bile obligueshmërinë e tij në rast kur mungon aftësia për ixhtihad, atëherë çfarë dallimi ka mes asaj që muxhtehidi të jetë një person prej sahabëve, prej medhhebit të ra'jit ose hadithit, ose një prej imamëve të katër medhhebeve, për derisa të gjithë janë muxhtehidë dhe për derisa të tjerët janë imitues dhe injorantë me mënyrën e nxjerrjes së dispozitave prej argumenteve?!

Çfarë kuptimi ka thënia se lindja e katër medhhebeve është bid'at (risi) dhe se imitimi i tyre është po ashtu bid'at (risi)?

Për çka lindja e katër medhhebeve të konsiderohet bid'at, ndërsa lindja e dy medhhebeve: atij të ra'jit dhe të hadithit të mos konsiderohen si të tilla?!

Për çka imituesi i Shafiiut dhe i Hanefiut të jetë bid'atxhi, ndërsa imituesi i Nehaiut në Irak dhe Said ibnul-Musejjibit në Hixhaz të mos jetë i tillë? Bile, për çka imitimi i katër medhhebeve të konsiderohet bid'at, ndërsa imitimi i Abdullah ibn Abbasit, Abdullah ibn Mes'udit ose Aishes radijellahu anhum të mos konsiderohet si i tillë?!

Çfarë bid'ati kanë bërë imamët e katër medhhebeve që ta ndalojmë popullatën e rëndomtë prej imitimit të tyre, e nëse e bëjnë atë t'i akuzojmë se janë bid'atxhi? Çka kanë shtuar më shumë se muxhtehidët e sahabëve dhe tabiinëve që kanë qenë para tyre? Gjithë ajo që mund të konsiderohet si e re në veprat e tyre është se ata në një anë kanë përmbledhur sunnetin dhe fikhun, ndërsa në anën tjetër kanë caktuar bazat, rregullat dhe metodologjinë për nxjerrjen e dispozitave, gjë që rezultoi me ngushtimin e mosmarrveshjeve mes dy medhhebeve: atij të ra'jit dhe atij të hadithit që ishin më parë.

Më pas, që të dy grupet u pajtuan që t'i përmbahen kësaj metodologjie, e cila po ashtu mbështetet në argumentet e Kur'anit, sunnetit dhe ixhmait. Me anë të kësaj metodologjie u përforcuan shtyllat e këtyre katër medhhebeve, u thelluan rrënjët e tyre, u kodifikuan bazat dhe degët e tyre si dhe dijetarët iu kishin kushtuar kujdes të veçantë. Ky ishte sekreti i afatgjatësisë së tyre, përhapjes së burimeve të tyre dhe interesimit të dijetarëve për t'i mbrojtur ato në të gjitha kohërat. Të gjithë këta dijetarë ishin të mendimit se çdo dijetarë që kupton hukmin dhe argumentin e tij si dhe posedon aftësi për ixhtihad, nuk ka të drejtë që të imitojë ndonjërin prej këtyre imamëve në atë hukm.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

[6] - Shih komentin e Shejh Abdullah Drazit ndaj librit El-Muvafekat të Shatibiut: 4/22. Po ashtu lidhur me këtë shih çka ka thënë Gazaliu dhe Amidiu në dy burimet e cekura më parë.
[7] - Shatibiu: El-Muvafekat, 4/290,292.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...