Banner

Nuk ka ikje (rrugëdalje) prej imitimit! 9



E dyta: Nuk i ndalohet imituesit që gjithnjë të imitojë një medhheb të caktuar:

Aspekti i dytë: Ne themi se: ekzistojnë dhjetë kiraete mutevatire nga i Dërguari i Allahut me të cilat lexohet Kur'ani. Për secilin prej këtyre kiraeteve është kujdesur ndonjë imam i caktuar. E ka transmetuar atë, ka lexuar me të, ua ka lexuar njerëzve dhe e kanë mësuar nxënësit atë prej tij. Është vërtetuar se muslimani mund të lexojë me cilindo prej këtyre kiraeteve, sikur që është vërtetuar se muslimani që nuk ka mundësi për ixhtihad imiton cilindo prej katër medhhebeve. Pra, muslimani a e ka për obligim në çdo rast të lexojë me kiraet të ri, në atë mënyrë që e ka haram t'i përmbahet gjithnjë një kiraeti pa kaluar në tjetrin?!

Këtë fjalë a e ka thënë dikush prej muslimanëve qoftë në të kaluarën apo në të tashmen? Vetë autori i kësaj broshure a e lexon Kur'anin çdo ditë me kiraet të caktuar, ndryshe prej atij që e ka lexuar dje?

Ç'është dallimi mes imitimit të imamëve të fikhut në çështjet sekondare të fesë (furuud-din) dhe imitimit të imamëve të kiraeteve në leximin e Kur'anit? Për çka imituesi i grupit të parë e ka për obligim ta ndryshojë imamin, ndërsa imituesi i grupit të dytë nuk e ka për obligim ta bëjë atë?

Disa prej tyre mund të thonë se është e mundur që muslimani të mos ketë mundësi që të mësoj me shumë se një kiraet dhe se nuk ka mundësi që t'i mësojë kiraetet tjera. Ne, të njejtën e themi në imitimin e medhhebeve, se muslimani nuk ka pasur mundësi të mësojë më shumë se medhhebin e një imami prej katër imamëve dhe nuk ka mundësi që t'i mësojë medhhebet e imamëve të tjerë në atë që i nevojitet prej dispozitave. Për çka ia arsyetojmë të parit e nuk ia arsyetojmë të dytit?

Megjithatë, çështja nuk është çështje arsyetimi ose mosarsyetimi, por është çështje që bazohet në argument.

Nuk kemi argument që obligon kalimin prej një medhhebi në tjetrin e as imitimin e një medhhebi gjithnjë. Kjo vlen edhe për imamët e kiraeteve edhe për imamët e fikhut. Vendimi, pra në të dy rastet është i njëjtë.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...