Banner

Hazreti Aisha (radijallahu anha!) Nëna e besimtarëve - Hyrje 1



Hyrje

Bismil-lahir-Rahmanir-Rahim! - Me emrin e All-llahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!


Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të të gjitha të mirave! Salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e tij, Muhammedin, Familjen e tij të ndershme dhe sahabët fisnikë!

Ekziston mundësia që në mesin e njerëzve të cilët e përcjellin punën time të gjendet edhe ndonjëri i cili do të mendojë në vete ose do të deklarojë: "Vallë a thua hazreti Aisha (radijallahu anha!), [1] Nëna e besimtarëve, me rastin e shkrimit për të, nuk meriton më shume se vetëm këto faqe?". Mbase njëri prej shkaqeve që shtyjnë për një pyetje të tillë është edhe fakti që libri me këtë format duket i vogël në krahasim me librat e tjerë të shkruar nga unë, në përjashtim të kompletit prej dhjetë librave të xhepit "Studime me rëndësi të posaçme", (Ebhathun fi-lkimme).

Nuk do ta fshehë nga lexuesit se unë jam i pari që më ka rënë ndër mend kjo pyetje dhe se këtë ia kam shtruar vetvetes para se të ma bëj dikush tjetër.

Përgjigja ime në këtë është si vijon: Në kohën e fundit janë publikuar shumë studime të gjata e të shkurtra lidhur me hazreti Aishen (radijallahu anha!), disa kanë të bëjnë me anën politike, kurse të tjerat me atë shkencore dhe të fikhut. Derisa disa kanë synuar të prezantojnë vlerën letrare dhe atë stilistike në jetën e saj, të dytat, ndërkaq, kanë paraqitur jetën e saj në mënyrë gjithëpërfshirëse. Kështu është përpunuar çdo segment i jetës së saj, nganjëherë në prozë letrare, herën tjetër në mënyrë biografike.

Përveç kësaj, aty disa ngjarje janë lidhur me jetën e saj si dhe qëndrimet që kanë të bëjnë me karakterin dhe ixhtihadin e saj, e që i kanë dhënë rëndësi jetës së saj dhe kanë ndryshuar format e shkrimit tradicional të jetëshkrimit të një personaliteti nëpër rrëfime. Përveç këtyre ngjarjeve dhe qëndrimeve, ano-njësit e medh'hebeve dhe drejtimeve të ndryshme ideore nuk kanë kaluar shpejt dhe pa vëmendje, përkundrazi, janë përqendruar me kujdes në këtë, pa kaluar mbi to - derisa nuk i kanë dhënë ngjyresën e qëllimit të cilin e mëtojnë dhe idenë në të cilën thirren.

Duke parë studimet e gjëra dhe të shumta që janë paraqitur lidhur me hazreti Aishen (radijallahu anha!), për ndryshimin e metodave që tanimë kemi përmendur, do të vërejmë se këto ngjarje dhe qëndrime në jetën e saj janë vënë në rend të dytë, dhe, do të thosha, janë humbur në shumësinë e të dhënave mbi të, punën e saj dhe aktivitetet që paraqiten gjerësisht, nganjëherë madje edhe duke u përsëritur. Nga kjo shumësi, lexuesi, të thuash, nuk arrin t'i kushtojë vëmendje disa segmenteve kyçe të këtyre ngjarjeve të rëndësishme dhe qëndrimeve në jetën e saj, e lëre më t'i mundësohet një studim dhe njohje në formë të vërtetë, të pastruar nga premisat dhe paqartësitë, të cilat vijnë si rezultat i polarizimit ideor.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Selim SYLEJMANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Hazreti Aisha (radijallahu anha) Nëna e besimtarëve".

[1] - Radijallahu anha! - do të thotë: All-llahu qoftë i kënaqur me të! (vër. e përkth.).

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...