Banner

Dhikri dhe Mevludi si Dhikër



Është një rregull e njohur ku thotë: "Lënia e diçkahit, nga Pejgamberi salallahu alejhi ve selem, nuk mund të merret si argument se ajo ndalohet", dhe për këtë dijetarët janë të njëzëshëm. Si p.sh.: Pejgamberi salallahu alejhi ve selem s'ka ngrënë me lugë, por hante me dorë. Pra, kjo quhet lënie d.m.th. e ka lënë ngrënien me lugë. A duhet të themi se pasi që ai s'ka ngrënë me lugë, as neve s'na lejohet ta përdorim?!! A ka ndonjëri që e ka thënë këtë?!

Pejgamberi salallahu alejhi ve selem shumë ushqime nuk i ka ngrënë aspak. Njashtu nuk ka ngrënë as në tavolinë apo sofër të lartë. E ka lënë një gjë të tillë. A të themi se është haram?! Ose gjatë përhapjes së da'vetit (thirrjes), fesë së All-llahut azze ve xhel, s'ka përdorur aparaturën e inçizimit, kasetat, filmat, kanalet satelitore, kurrë. Nuk i ka përdorur këto gjëra. A të themi se janë haram, ngase nuk i ka përdorur?!

Mësojeni këtë rregull, "Lënia nuk është argument ndalimi". Vetëm lënia e një gjëje nga Pejgamberi salallahu alejhi ve selem s'është argument ndalimi i asaj gjëje, derisa të vijë një argument tjetër (që e ndalon). D.m.th. atëherë, argumenti tjetër do të jetë dëshmi.

Pejgamberi salallahu alejhi ve selem kur bënte dhikër nuk iu kujtua t'i thirr shokët e tij në tubimin e dhikrit e të ngarkojë ndonjërin prej tyre që të bëjë du'a dhe të tjerët të thonë "amin", pastaj të vijë radha e tjetrit e të lutet, e të tjerët të thonë "amin", e kështu me radhë. Pejgamberi nuk veproi kështu, e as që i shkoi ndërmend ta bëjë një gjë të tillë. D.m.th. nuk e ka praktikuar një gjë të tillë.

Pejgamberi njëherë hyri në xhami dhe aty i pa zotërinjtë tanë, Ebu Hurejren, Zejd bin Thabitin dhe një tjetër (transmetuesi e përmend emrin e tij), të mbledhur në një tubim, në të cilin bënin veprimin e përmendur, e të cilin Pejgamberi nuk e ka bërë, d.m.th. kanë bërë një hallkë ku njëri bënte du'a, ndërsa të tjerët thoshin "amin". Më pastaj, tjetri bënte du'a me zë të lartë, ndërsa të tjerët thoshin "amin".

Pejgamberi e pa këtë, e pëlqeu, u ul me ta dhe e miratoi një gjë të tillë. Nuk ju tha se, si vepruat diçka që s'e kam bërë në jetën time! Dhe nuk ju tha se, para se ta veproni, duhet ta dini se këtë çështje e kam lënë dhe se nuk është legjitime. Nuk ua tha një gjë të tillë. Pse? Sepse këtë gjë që nuk e bëri Pejgamberi salallahu alejhi ve selem hyn brenda llojit të adhurimit, llojit të dhikrit. Kur themi brenda llojit të adhurimit, kjo do të thotë se adhurimi përfshin gjendje, forma dhe mënyra të shumta.

P.sh.: nëse themi që Pejgamberi alejhi selem, sa i përket namazit të natës, nuk e ka shtuar numrin e caktuar të rekateve, fjala bie natën ka falur 13, 12 ose 10 rekate. A është e qartë? A të themi se nuk bën të falim më shumë se aq rekate, sepse Pejgamberi nuk ka falur më tepër se aq?! A e themi një gjë të tillë?! Jo, nuk e themi, sepse namazi i takon llojit të adhurimit, pa marrë parasysh a e shton apo e pakëson. A është e kuptueshme kjo?

Nëse vjen dikush të pyet, jo të pyet, ah sikur të pyeste, por ai mohon, mohon tubimin e muslimanëve për të përmendur tiparet e Pejgamberit alejhi selam. Or burrë, po kjo është prej përmendjes së All-llahut azze ve xhel dhe përmendja e All-llahut është një nga llojet, ku në Kur'an thuhet: "... kujtojeni shpesh All-llahun!", (Ahzab, 41). Nën këtë lloj ka situata, forma dhe mënyra të shumta, për të cilat All-llahu e ka lënë derën hapur.

Ai thotë: "Ata që All-llahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë, dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës ...", (Ali Imran,191). Dëshiron ta përmendësh All-llahun i vetëm? Përmende! Dëshiron që ti të bësh tubim me disa, siç bënë zotërinjtë tanë, Zejdi dhe Ebu Hurejre? Bëje! Dëshiron që të tuboheni në një hallkë të madhe dhe të përmendni All-llahun azze ve xhel së bashku? Të tëra këto janë dhikër.

Pejgamberi alejhi selam ka përmendur në një hadith të gjatë se si melaqet kërkojnë tubimet e dhikrit dhe kur ndonjëra prej tyre sheh ndonjë tubim prej tubimeve të dhikrit, thërrasin njëra-tjetrën dhe thonë se ejani se e gjetëm atë që kërkonim ...

Supozojmë që erdhëm dhe u tubuam disa vetë, dhe unë e kapa Kur'anin dhe u luta: "O Zot, të lus për hir të Fjalës Tënde që ia zbrite Pejgamberit tënd, që të përmirësosh gjendjen e muslimanëve". Pastaj ia jap Kur'anin tjetrit e ai thotë "O Zot, të lus për hirin e Fjalës Tënde që ia zbrite të dërguarit tënd, që të përmirësosh gjendjen e muslimanëve". E më pastaj, ia jep tjetrit që është në radhë. Këtë nuk e vepruan sahabët. A të themi se është haram?!

Nëse thua se çdo gjë që nuk e veproi Pejgamberi dhe sahabët është haram, atëherë tri të katërtat a më shumë e veprave tona duhet të jenë haram, sepse Pejgamberi salallahu alejhi ve selem dhe sahabët nuk i kanë vepruar. Pra janë (çështje) të reja, por që hyn në llojin e dhikrit. Kjo dhe ajo që vepruan zotërinjtë tanë, Ebu Hurejra dhe Zejdi, hyjnë tek lloji i dhikrit.

Pra, Pejgamberi alejhi selam e veproi një lloj nga këto lloje, njiashtu edhe llojet tjera hyjnë nën emrin e dhikrit. Kështu, Pejgamberi salallahu alejhi ve selem festoi me rastin e përkujtimit të shpëtimit të Musait alejhi selam nga Faraoni. U gëzua, festoi dhe e falënderoi All-llahun me këtë rast. Me çka e manifestoi këtë gëzim? Me agjërim.

Brenda llojit të të shprehirit të gëzimit, ka mënyra të shumta të të shprehurit si: agjërimi, tubim shikri, tubim këshillimi, ligjërata, hutbe, tubim për të përmendur tiparet e pejgamberit alejhi selam. Të gjitha këto janë shprehje gëzimi. Kush është lloji i ligjshmërisë? Është shprehja e gëzimit. Nën këtë lloj ka mënyra dhe forma të ndryshme e të shumta. Të gjitha këto janë të ligjshme, sepse Pejgamberi shprehu gëzimin. Këtë gëzim e shprehu me agjërim.

Ndërsa agjërimi është një manifestim i shprehjes së gëzimit. Gjithashtu tubimi në përmendjen e tipareve të Pejgamberit - Mevludi është manifestim. Gjithastu tubimi jonë, këshillimi dhe përkujtimi janë manifestim gëzimi. Poashtu në këtë tubim që i japim besëlidhje Pejgamberit alejhi selam dhe ripërtrirja e besëlidhjes është manifestim gëzimi. A është kjo e qartë?

Mësojeni këtë argumentim! Nuk themi që ata do të përfitojnë mga kjo. Personalisht e kam provuar me ta. Edhe sikur të paraqiten gjëra të jashtëzakonshme në gjithësi, nuk do ta ndryshonin mendimin e tyre, për shkak të fanatizmit që i udhëheq ata. Por këto vlejnë për ju që të mos u ngatërrohet mendja!



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI



_________________________

(Shkëputur nga Dersi i Prof. Dr. El-Butit)

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...