Banner

Dyanshmëria - problem bashkëkohor, diagnoza dhe shërimi i saj



Ekziston një problem nga i cili sot janë duke vuajtur shumica e myslimanëve në vendet Islame në përgjithësi. Ky është problemi i dyanshmërisë në veprime-sjellje dhe në të menduar. Një mysliman sot sa i përket anës së besimit të tij është besimtar i plotë. Beson Zotin dhe të Dërguarin e Tij, beson Zotin, librin e Tij, ditën e fundit dhe të gjitha çështjet që lidhen me atë ditë dhe shumë herë polemizon dhe i mbron këto të vërteta ndoshta edhe më shumë se që kanë polemizuar dhe që i kanë mbrojtur myslimanët e mëhershëm. Ndërsa nëse shikojmë gjendjen reale të sjelljeve të tij vërejmë se ai është shumë larg rrugës së Zotit përveç ndoshta në disa çështje sekondare.

Në bashkëpunimin e tij me të tjerët vërejmë se anon kah interesat e tij personale edhe nëse kjo qon deri te mashtrimi, tradhtia, gënjeshtra dhe falsifikimi ndaj vëllezërve të tij. Ndërsa nëse po me të njëjtin polemizon rreth argumenteve të besimit ndaj Zotit xh.sh., njëshmërisë së Tij dhe çështjeve që kanë të bëjnë me këtë lami do të vëren se ai është një njeri shumë i shkathtë në shkencat-diturit e besimit dhe i shkathtë për ta mbrojtur të vërtetën dhe islamin në përgjithësi. Kjo dyanshmëri të nderuar lexues është problemi bashkëkohorë, problem i cili nuk ka qenë në kohërat e mëhershme e në veçanti në kohën e myslimanëve të parë (selefëve) dhe gjeneratat që kanë ardhur pas tyre. Atëherë cili është shkaku i kësaj dyanshmërie? Cili është shkaku i këtij dualizmi dhe dallimi mes të menduarit të shëndosh të cilin e përqafon Islami dhe mes sjelljeve të cilat të distancojnë nga parimet, etika dhe udhëzimet islame?

Shkaku i kësaj të nderuar lexues është për arsye të ndryshimit i cili ekziston mes mendjes-logjikës dhe zemrës. Mendja-logjika e ka shumë lehtë t'i përqafojë të vërteta themelore të besimit sepse nuk ka si t'i refuzojë të vërtetat shkencore. Mendja-logjika nuk bie në kundërshtim me ty se një plus një (1+1) bëjnë dy. Mendja-logjika është llambë e cila njeriut ia ndriçon rrugën e drejtë dhe ia tregon shtegun e saktë nga shtegu i pa saktë dhe largët i cili njeriut i shkakton vuajtje, humbje dhe devijime. Ndërsa zemra është si një depo karburanti në jetën e njeriut. Karburant i cili e lëvizë njeriun nuk janë bindjet e tij logjike por është dashuria e cila mbretëron në zemrën e tij, emocionet të cilat mbretërojnë në zemrën e tij. Këto emocione, kjo dashuri dhe kjo lidhje e fortë janë ato që e vejnë në lëvizje njeriun.

Ndërsa kur ndodhë që mendja-logjika, e cila është llambë ndriçuese e rrugës së njeriut, të bie në kundërshtim me zemrën, e cila është qendër e karburantit të ndjenjave dhe emocioneve, atëherë s'ka dyshim se fitorja i takon zemrës e jo mendjes-logjikës. Unë jam besimtar në Zotin dhe bazuar në logjikë unë besoj, mirëpo zemra ime e mbushur me dëshira, epshe, egoizma, dashuri ndaj vetes dhe lidhshmëri të fortë ndaj kësaj bote kjo është zemra e cila më dirigjon. Do ta përmendi një shembull i cili mund ta pasqyroj këtë kuptim. Ky shembull ka të bëjë me dritat e veturës të cilat ta ndriçojnë rrugën dhe ta tregojnë rrugën e mirë dhe të rrafshet nga rruga e keqe dhe me gropa. Mirëpo kjo veturë nuk mund të lëvizë me ato drita por ajo që e bënë të lëvizë është karburanti i cili gjendet në brendësinë e saj.

Edhe njeriu është sikurse kjo veturë. Mendja-logjika i ngjan dritave të veturës ndërsa zemra i ngjan karburantit të saj, atëherë shiko se nga po të orienton karburanti i cili gjendet në zemrën tënde. Kah anon dashuria e cila mbretëron në zemrën tënde. Në të shumtën e rasteve emocionet e zemrave tona anojnë karshi egos tonë, karshi dashurisë ndaj kësaj bote, karshi epsheve tona dhe karshi dëshirave tona personale. Dhe nga këtu shfaqet apo del në shesh ajo dyanshmëria në jetën e shumicës së myslimanëve.

Mendja-logjika kërkon leje nga zemra që ta bëjë transplantimin apo mbjelljen e një bërthame të dashurisë dhe respektit ndaj Allahut xh.sh., me këtë rast mendja-logjika kërkon e kërkon dhe nuk gjen ndonjë vend në atë zemër për ta kryer atë veprim, me këtë rast mendja-logjika rikthehet e dëshpëruar dhe prapë kërkon në këndet e zemrës së njeriut ndonjë vend të zbrazët për t'ia kumtuar atij mesazhin hyjnor në të cilin Allahu xh.sh. në një formë shumë të butë qortuese po në të njëjtën kohë edhe dashuruese i drejtohet njeriut duke i thënë: "A nuk është koha që zemrat të zbuten me këshillat e All-llahut dhe ne atë të vërtetën që zbriti (me Kur'an), e të mos bëhen si ata, të cilëve u është dhënë libri më parë e zhgjati koha dhe zemrat e tyre u shtangën e shumë prej tyre janë jashtë rrugës", (Kaptina, El-Hadid, ajeti 16).

Mirëpo meqë mendja-logjika mundohet që këtë mesazh t'ia kumtoj zemrës ajo nuk gjen vend në te sepse ajo është e sterngarkuar me dëshirat e kësaj bote, është e sterngarkuar me epshe, egoizma dhe interesa personale. Në këtë mënyrë kur ky njeri të flet për Islamin e vëren se ai është orator shumë i mirë, ka një përkufizim shumë të qartë për islamin, njeri i cili i njeh gjërat. Mirëpo nëse shikojmë anën tjetër të medaljes, nëse shikojmë sjelljet e tij në shoqëri do të vërejmë se ai njeri nuk ka kurrfarë derti nëse gënjen, ose tradhton, ose mashtron, bile bile këtë mund ta konsideroj edhe si mençuri dhe zgjuarsi të tij! Për këtë çfarë po themi s'ka dyshim se të gjithë ne kemi shembuj të shumtë për këtë. Mirëpo a mendojmë ndonjë herë se sa e sa shumë na qorton Allahu xh.sh. për këto gjëra në ajetin kur'anor ku thotë: "O ju që besuat, pse po e thoni atë që nuk e punoni? te All-llahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni!", (Kaptina, Es-Saff, ajeti 2-3).

Më poshtë do sjellim një shembull të cilin e ka përmendur Allahu xh.sh. në Kur'an dhe i cili është shembull tipik i kësaj dyanshmërie. Ky është një njeri për të cili shumica e komentatorëve të Kur'ani kanë thënë se quhet Belam bin Baura'ë. Allahu xh.sh. na tregon se këtë njeri e kishte pajisur me njohuri dhe shkenca të llojllojshme, njohuri të cilat kanë të bëjnë me shumë e shumë argumente për të vërtetuar ekzistencën e Zotit, argumente për obligimin e adhurimit të njeriut ndaj Tij dhe argumente që tregojnë për përfundimin e njeriut dhe qëndrimin e tij para Zotit. Të gjitha këto ia kishte dhënë Allahu xh.sh. mirëpo për fat të keq ato ishin vetëm material mendor, ndërsa mendja siç thamë edhe më herët i ngjan dritave të veturës. Ai nuk pati dobi nga këto njohuri sepse ai u përqendrua vetëm në tokë, që do të thotë se kishte anuar vetëm në dashurinë ndaj kësaj botë dhe kënaqësive të saja dhe prioritet iu kishte dhënë interesave të tij personale. Që do të thotë se kishte anuar me emocionet dhe zemrën e tij, me atë karburant për të cilin tregova më herët.

Për këtë arsye atij nuk i bëjnë dobi argumentet asnjëherë. "Dhe lexoju atyre tregimin e atij që patëm dhënë dituritë Tona, ndërsa ai u zhvesh prej tyre dhe atëherë atë e shoqëroi shejtani dhe kështu ai u bë prej të humburëve. E sikur të donim Ne, do ta ngrisnim lartë me (dituri), por ai nuk iu largua tokës (dynjasë) dhe shkoi pas epshit të vet. Shembulli i tij është si ai i qeit, të cilin nëse e përzë ai e nxjerr gjuhën, po edhe nëse nuk e përzë, ai sërish e nxjerr gjuhën. Ky është shembuli i atyre që i konsideruan të rreme argumentet Tona. Ti rrëfe tregimet (ymetit tënd) në mënyrë që ata të mendojnë", (Kaptina, El-A'ëraf, ajeti 175-176).

Kur njeriu bëhet rob i zemrës së tij dhe zemra e tij të jetë qendër e karburantit e cila anon kah epshet, egot dhe kënaqësitë e kësaj botë atëherë çfarë dobie mund të ketë ai nga argumentet e qarta të Zotit? Çfarë dobie mund të ketë ai nga njohurit dhe shkencat e llojllojshme të cilat i ka mësuar nga feja dhe libri Zotit? Jo, nuk do t'i bëjnë atij dobi asgjë, por puna e tij do të jetë sikur puna e qenit i cili kur ngopet dhe pinë gjuha e tij gulçon po edhe nëse është i etur apo uritur ai prapë gulçon me gjuhën e tij. Lakmia dhe animi kah kënaqësitë e kësaj bote të cilat nuk ndal kurrë janë të pandalshme. Ky është një shembull të cili Allahu xh.sh. na tregon neve me shpresë që ta çlirojmë veten tonë nga kjo dyanshmëri ose me shpresë se do ta çlirojmë veten tonë nga robërimi i zemrës kur ajo është depo e karburantit shtytës kah epshet, egot dhe kënaqësitë e kësaj bote.

Tani mund të shtrohet pyetja: 'po si të arrijmë që të lirohemi nga ky robërim i cili e ka përjashtuar mendjen-logjikën dhe na i ka mbuluar argumentet dhe faktet e saja'? Kjo çështje është shumë e lehtë. Mund të jetë edhe e vështirë mirëpo për atë që ka vullnet të mirë dhe do Allahu është shumë lehtë. Kjo bëhet përmes pastrimit të zemrës nga epshet e ndryshme dhe furnizimi i saj me të përmendur të Allahut xh.sh..

Këtu nuk kam për qëllim përmendjen e Zotit përmes gjuhës ose përmes tërheqjes së tespive në dorë, mirëpo kam për qëllim meditimin ashtu siç thotë Allahu xh.sh.: "Ti përmende Zotin tënd në vete (heshtas), me respekt e me dro, jo me shprehje të larta, (përmende) në mëngjes e në mbrëmje dhe mos u bërë prej atyre që nuk kanë kujdes", (Kaptina, El-A'ëraf, ajeti 205). Të përmendurit e Zotit eliminon çdo fenomen negativ në zemër i cili të ka bërë të përqendrohesh në tokë. Të përmendurit e Zotit zbërthen një dashuri në zemrën tënde karshi Zotit xh.sh., dashuri e cila patjetër se do të përjashtoj dhe mënjanoj çdo dashuri tjetër ndaj çështjeve të kota. Nuk kam hasur në ndonjë njeri i cili pareshtur e përmend Allahun me gjuhën dhe zemrën e tij e të mos e gjej kënaqësinë e kësaj dashurie ndaj Allahut xh.sh.. Si të përmendet apo si të përkujtohet Allahu xh.sh.? Të përkujtohet qenia e Tij?

Jo, njeriu nuk ka mundësi që ta parafytyroj Zotin e tij dhe çdo gjë që të vjen në mendjen tënde Allahu xh.sh. është diçka tjetër. Të përmendurit e Zotit donë të thotë të përmendurit e Cilësive të Tij, të begative të Tij, të mëshirës së Tij ndaj tej, të projektimit të Tij që të ka bërë ty dhe të mbrojtjes së Tij ndaj teje. Duhet ta bësh një lidhje mes begatisë dhe begatuesit, kur të ulesh në tavolinë për të ngrënë ushqim atëherë përkujtoje Zotin i cili të ka dhënë lloj të shumta ushqimesh të begatshme dhe të shëndetshme në sofrën tënde. Kur ta vendosësh kafshatën në gojën tënde dhe fillon ta përtyp atëherë përkujto Zotin i cili ta bëri të mundur që ta përtypësh atë e nuk e bëri atë shkak që të të mbytë. Kur të shkosh në mbrëmje në shtrat për të fjetur atëherë përkujto Zotin i cili ta mundësoi këtë pushi të cilin sikur të mos e mundësonte do të shkatërrohesh gjatë dyzetë e tetë orëve. Kur të zgjohesh nga gjumi përkujtoje Zotin i cili të rizgjoi pas gjumit ose të ringjalli pas vdekjes dhe thuaj ashtu siç thoshte i dërguari Muhamedi a.s.: 'Falënderimi i takon Allahut i Cili më ringjalli pas vdekjes dhe tek Ai është rikthimi'.

Në këtë mënyrë kur ta kujtosh Allahun xh.sh. me cilësitë dhe madhështinë e Tij dhe ta bësh lidhjen mes begative dhe begatuesit duke u bërë i qëndrueshëm në këtë nuk ka mundësi që t'mos shpërthej dashuria ndaj Zotit në kraharorin tënd, më pastaj kjo dashuri sublime do të mënjanoj çdo dashuri ndaj çështjeve tjera, pra dashuria ndaj Zotit eliminon dashurinë ndaj gjërave tjera. Kur zemra jote pastrohet prej gjërave të kota atëherë mendja-logjika përmirëson marrëdhëniet me zemrën dhe të dyja së bashku pasojnë rrugën e drejtë të cilën na e ka treguar Zoti ynë dhe në këtë mënyrë eliminohet kjo dyanshmëri nga jeta e njeriut.

Të nderuar lexues në këtë mënyrë bëhet shërimi i kësaj dyanshmëria në jetën tonë. Atëherë të fillojmë t'i shërojmë zemrat tona të cilat janë bërë qendër ose depo të stërmbushura me karburantet të epsheve dhe egove. T'i shërojmë ato duke shpeshtuar të përmendurit e Allahut xh.sh. ashtu siç u cek edhe më lartë dhe të shikojmë se si Zoti ynë me një shprehje shumë të butë dha dashuruese na fton që ta kemi këtë ilaç kur thotë: "Ashtu siç dërguam nga gjiu i juaj të dërguar t'u lexojë ajetet Tona, t'ju pastrojë, e t'ju mësojë librin dhe traditën, e edhe t'ju mësojë atë që nuk e dinit. Pra më kujtoni Mua", (Kaptina, El-Bekare, ajeti 151-152). Më përkujtoni mua duke i përkujtuar mirësitë e Mia, duke më adhuruar dhe duke i njohur cilësitë e Mia dhe Unë ju kujtoj juve me butësi, falje, mëshirë dhe lumturi.



Autor: Prof. Dr. Muhammed Seid Ramadan EL-BUTI
Nga gjuha arabe: Vedat SHABANI

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...