Banner

JoMedhhebizmi: Risitë që i sjell Autori i Broshurës 6.2



Më pas Ibn Halduni ka sqaruar se si disa prej shiitëve kanë shpikur disa medhhebe për vete. Të njëjtën e thotë edhe për havarixhët, dhe se si këto dy grupe janë larguar nga rruga e xhumhurit të muslimanëve dhe medhhebet të cilat i kanë pranuar të gjithë. Më pas sqaron se medhhebi i dhahirive është zhdukur me zhdukjen e imamëve të tij, me përpilimin e bazave dhe rregullave të nxjerrjes së dispozitave prej teksteve dhe logjikës së shëndoshë si dhe për shkak të kundërshtimit të xhumhurit ndaj ithtarëve të tij.

Më pas thotë: "Nuk ka mbetur (medhhebi dhahirij) përpos në disa libra, ku ndoshta disa prej kërkuesve të cilët angazhohen për të mësuar këtë medhheb prej këtyre librave më në fund kthehen me asgjë. Me këtë, ata kundërshtojnë xhumhurin dhe është e mundur që të konsiderohen prej atyre që shpikin risi, sepse diturinë e marrin prej librit, pa ndërmjetësimin e dijetarëve".

Më pas Ibn Halduni shkruan për biografinë e secilit prej imamëve të katër medhhebeve. Sqaron vlerën dhe diturinë e tyre, mënyrën e të mësuarit të filkhut dhe bazat e disave prej tyre. Tregon se si shokët e Ebu Hanifes e kanë bashkuar metodën e dijetarëve të Hixhazit me metodën e dijetarëve të Irakut e me këtë janë bashkuar të dy shkollat (metodat) juridike. Më pas, tregon se sa janë përhapur këto medhhebe dhe vendin se ku janë përhapur më shumë.

Më pas ka thënë: "Pastaj njerëzit e mbyllën derën e mosmarrëveshjeve kur u shtua shumë ndarja e terminologjive në shkenca, kur u bë e pamundur arritja e gradës së ixhtihadit dhe kur u bë frikë që e gjithë ajo të mbështetet tek ata që nuk e meritojnë dhe tek ata që nuk janë të besueshëm në mendimet dhe fenë e tyre".

Kjo ishte shkurtimisht ajo që e ka thënë Ibn Halduni rreth lindjes së medhhebeve dhe zhvillimit të tyre. Në tërësi është i llojit që nuk i pëlqen autorit të broshurës dhe i llojit që nuk i ndihmon për ta përforcuar qëndrimin e tij. Kërkoj prej lexuesit të nderuar që të marrë librin "Mukaddimetu Ibn Haldun" e të lexojë këtë temë në tërësi, mandej të mundohet sa të jetë e mundur që të gjejë së paku një fjalë që flet për politikat tirane të cilat kanë shkaktuar lindjen e katër medhhebeve, siç thotë autori i broshurës.

Më pas lexuesi le ta emërtojë këtë vepër të autorit të broshurës si të dojë me emra që i ngërthen gjuha arabe dhe joarabe. Le të më falë lexuesi nëse unë nuk e kam bërë këtë sepse kam marrë përsipër në parathënien e këtij libri, të mos shkruaj në të përpos studim shkencor dhe objektiv si dhe të mos shkruaj asnjë shprehje ose cilësi që bie nën këtë nivel, edhe pse broshura është e mbushur përplot me kësilloj shprehje dhe cilësime.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...