Banner

I Dërguari i All-llahut na porosit që të shkojmë në xhaminë e Aksasë dhe të falemi aty



Lavdi i qoftë All-llahut, lavdi i cili shton begatitë e Tija e i bën të mjaftueshme mirësitë e Tija. I lavdishëm je o Zot. Zoti im, nuk kam shprehje me të cilën mund të të lavdoj Ty, je siҫ e ke lavdëruar Veten.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër pos Tij e që është i pashoq. Dëshmoj se Muhammedi është rob i Tij, i Dërguari i Tij, i zgjedhuri i Tij dhe miku i Tij, e që është më i zgjedhuri Pejgamber të cilin All-llahu e dërgoi për mbarë botën si përgëzues dhe sihariques. Zoti im, beko me bekimet Tua të vazhdueshme zotëriun tonë Muhammedin alejhisalatu ves-selam deri në ditën e gjykimit.

Muslimanë të nderuar, e porosis veten time dhe juve që t'i kemi frikë All-llahut Fuqiplotë.


Robër të All-llahut!

Ajo për të cilën gjithë dijetarët muslimanë janë në ujdi, është se çdo vend në sipërfaqen e tokës që është çliruar nga ana e muslimanëve, ajo në mënyrë automatike bëhet Daru el-Islam. [1] Gjithashtu dijetarët muslimanë janë të njëzërit se kjo cilësi nuk hiqet (largohet) nga ato vende deri Ditën e Kijametit. Domethënë ato ngelin Daru el-Islam sado që ato gjatë kohës të okupohen apo të sulmohen nga armiqtë. M'u për këtë shkak i Dërguari i All-llahut në një hadith ka thënë: "Xhihadi vazhdon për mua dhe për Umetin tim deri Ditën e Kijametit", domethënë Xhihadi luftarak. Po përse kështu? Kështu është sepse ato toka që All-llahu ka dashur që të ҫlirohen nga muslimanët kanë hyrë nën emërtimin Daru el-Islam dhe është e njohur se dikush do të tentojë që të ushtrojë tirani, dhunë ndaj atyre vendeve islame apo t'i okupojë ato, andaj në këto raste doemos duhet të mbrohen këto vende islame dhe në këto raste duhet edhe të luftohen ato që duan të uzurpojnë ato vende.

Pyetja që lind në mendjen e gjithë neve është se si mund që një vend prej vendeve islame të okupohet nga një grup (dikush) dhe për shkak të tyre të shfuqizohet një dispozitë (vendim) prej dispozitave të Islamit. Me fjalë pak më të qarta themi: Nëse okupohet Kudsi dhe xhamia e Tij, ose (ta zëmë) nëse sulmohet vendqëndrimi i Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe Qabja dhe okupohet, a do të mund të arsyetohej ky okupim dhe të ndryshojë vendimi statik dhe i prerë që është në Sheriatin e All-llahut Fuqiplotë? A do të ishte arsye për të shfuqizuar një dispozitë (vendim) të cilën e ka shpallur All-llahu në Librin e Tij dhe Muhammedi në Hadithin e tij? Ja Kudusi dhe xhamia e Aksasë janë të okupuar dhe ta zëmë se edhe vende të tjera okupohen, andaj a mund të jetë kjo arsye që të shfuqizohet ajo për të cilën Pejgamberi i All-llahut na ka porositur (nxitur) për të vizituar dhe për t'u falur aty apo okupimi i vendqëndrimit të Pejgamberit të All-llahut është arsye për shfuqizimin e vizitës dhe faljes në Xhaminë e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi vessel-lem për të fituar sevape të mëdha?

Vallë, a do mund të ishte arsye okupimi i Qabes për të shfuqizuar Haxhin, farzin e All-llahut për të cilin All-llahu Fuqiplotë thotë: "... vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton), All-llahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit", (Ali Imran, 97). Pra, një gjë e tillë a e shfuqizon shkuarjen në Qabe për të cilën i Dërguari i All-llahut na ka nxitur?


Vëllezër besimtarë!

I dërguari i All-llahut kur ka folur për vlerën e namazit në Xhaminë e tij dhe për vlerën e namazit në Bejtu el-Haram (Qabe) është mjaftuar vetëm duke na nxitur për një gjë të tillë, pikërisht duke treguar vlerën e faljes në to, por kur ka folur për Mesxhidi Aksanë na është drejtuar me fjalët e tij duke na urdhëruar të shkojmë për t'u falur atje. Transmeton Ibni Maxheh dhe Bejhekiu me sened sahih: "Të shkoni atje (Në Mesxhidul Aksa) dhe të faleni aty sepse namazi aty ka vlerën e njëmijë namazeve".

Sërish po them: A mund që dikush prej muslimanëve të merr guximin e të na thotë që ne të shfuqizojmë atë për të cilën ka tekst në Librin e qartë dhe të shfuqizojmë po atë për të cilën i Dërguari i All-llahut na ka nxitur për ta bërë? Si është e mundur të marrim atë të drejtë që për shkak të okupimit dhe uzurpimit që i është bërë Xhamisë së Aksasë dhe për rreth saj të shfuqizojmë gjithë ato tekste? Pse një gjë e tillë? Përgjigja e tyre është se vizita e muslimanëve në këtë xhami dhe namazi në Xhaminë Aksa konsiderohet pranim i okupatorit dhe se këta okupatorë kanë të drejtë që të rrinë në rehati dhe se veprimi i tyre është i arsyeshëm dhe se muslimanët janë dakord me këtë gjë.

A mund një gjë e tillë të parafytyrohet nga ata që kanë logjikë të shëndoshë? Atëherë përse i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Të shkoni atje (Në Mesxhidul Aksa) dhe të faleni aty ..." dhe siç është e njohur se atëherë Aksaja vuante nën kthetrat e okupatorit të imperatorisë romake. Në kohën e Ebu-Bekrit r.a. si dhe në kohën e Omerit r.a. shumë sahabinjë të Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ves-sel-lem shkonin në Xhaminë e Aksasë edhe atë para çlirimit. Kanë udhëtuar për në Mesxhidul Aksa e cila vuante nga okupimi romak, kurse ata janë falur aty dhe nuk kemi dëgjuar që dikush të thotë se një gjë e tillë të konsiderohet si pranim i okupatorit. Po ashtu, janë edhe rastet kur i Dërguari i All-llahut drejtohej për në Mekë me shumë shokë të tij edhe pse Meka atëherë ishte Darur Kufr [2] dhe të gjithë ata që ishin aty ishin ata që e luftuan atë dhe ata që u luftuan nga ana e tij.

Pra, ata ishin që e luftuan Pejgamberin e All-llahut ditën e Uhudit, ditën e Hendekut, ditën e Bedrit, por megjithatë i Dërguari i All-llahut u drejtua për në Mekë për t'u lajmëruar banorëve të saj që e luftuan atë, se ai ka ardhur për të kryer Umren, se ka ardhur për të bërë tavafin qetësisht dhe paqësisht dhe të Dërguarit të All-llahut nuk i shkoi ndërmend se një gjë e tillë do të konsiderohet si një lloj pranimi se Mushrikët atë e kanë luftuar dhe se kjo gjë do të konsiderohet se është shpallje për marrëveshje midis tij dhe atyre. Assesi një gjë e tillë nuk ka qenë.

Vëllezër të dashur, kjo gjë vazhdoi të rrjedhë kështu me shekuj deri sa erdhi koha e okupimit të kryqëzatave të Xhaminë së Aksasë dhe vendit për rreth saj dhe kjo zgjati afër tre shekuj. Sa e sa shumë njerëz dhe dijetarë gjatë kësaj fatkeqësie dhe nën këtë okupim, kanë shkuar për të vizituar Xhaminë e Aksasë për të zbatuar urdhrin e lartpërmendur të Dërguarit të All-llahut i cili ka thënë: "Të shkoni atje (në Mesxhidul Aksa) dhe të faleni aty sepse namazi aty ka vlerën e njëmijë namazeve".


Vëllezër të nderuar!

Nuk kemi dëgjuar më parë për një fetva të tillë të çuditshme si kjo fetva e cila na tingëlloi veshët jashtë se (nuk them në këtë kohë) në këto vite, kurse më pare, të gjithë dijetarët të gjithë prijësit (prej ulemave), të gjithë muxhtehidët i janë nënshtruar zbatimit të urdhrit të Pejgamberit të All-llahut. Teksti i urdhrit që e dha i Dërguari i All-llahut është i pakufizuar dhe siç është e njohur se teksti i pakufizuar kuptohet dhe veprohet ashtu siç është, domethënë duke mos e përkufizuar atë, përderisa nuk ka ndonjë tekst që e përkufizon atë, dhe të jetë i të njëjtit nivel (gradë).

Kurse, neve nuk dimë se ka ndonjë tekst të veçantë me të cilin është kufizuar hadithi i lartpërmendur i Pejgamberit ku thuhet: "Të shkoni atje (në Mesxhidul Aksa) dhe të faleni aty", me ndonjë hadith tjetër, me ndonjë konsensus të sahabëve apo me ndonjë ajet Kur'anor. Gjatë okupimit të kryqëzatave vizitohej Xhamia e Aksasë, por ata nuk e konsideronin një gjë të tillë se është pranim i okupimit nga ana e tyre dhe se veprimi i tyre është i drejtë, por ata e dinin dhe parafytyronin se vizita e tyre që ia bënin Xhamisë është sfidim i ekzistimit të tyre (okupatorit) dhe vazhdim e ripërtërirjes së besatimit dhe të premtimit që ia kanë dhënë All-llahut për t'i bërë ballë dhe rezistencë agresorit. Është për t'u habitur se nga doli kjo fetva e panjohur dhe e çuditshme (jo e rëndomtë).

Vëllezër të nderuar, unë falë All-llahut Fuqiplotë kam qenë dhe vazhdoj të jem i kujdesshëm në çështjet e Fesë, prandaj, kam kërkuar, hulumtuar dhe jam konsultuar si dhe kam akuzuar edhe veten time në këtë drejtim (njohuritë e mija), por nuk kam mundur të gjejë që ndonjëri prej imamëve të parë të ketë thënë një gjë të tillë, nuk kam gjetur që ndonjë shok i Pejgamberit alejhis-selam të ishte ndaluar nga vizita e Xhamisë së Kudsit gjatë okupimit romak. Absolutisht këtë nuk e kam hasur askund. Por, fatkeqësisht po hasim në diç që në asnjë mënyre nuk mund të shpjegohet, e ajo është se këta të cilët po e propagandojnë dhe e mbështesin këtë fetva i sheh që vetë ata kanë vajtje-ardhje me ata forca të cilët kanë okupuar Palestinën dhe Xhaminë e Aksasë. Ndejat e tyre i bëjnë në tryezat e rrumbullakëta të njohura e të arkivuara dhe të inҫizuara (video) kurse nga ana tjetër po këta njerëz deklarohen se nuk duhet të vizitojmë Xhaminë e Aksasë sepse një gjë e tillë konsiderohet si njohje e të drejtës së okupatorit.

Më thoni si mund të bëjmë përputhjen (akordimin, harmonizimin) midis këtij vëllazërimi të çuditshëm dhe të huaj (imponuar), të cilin nuk e kemi pasur më parë me ta dhe forcave Izraelite dhe kësaj fetvaje të çuditshme e jo normale?! A keni dëgjuar për atë rrëfim ku dikush ka thyer Sheriatin e All-llahut dhe ka dashur të bëj kurvëri, por ai ka insistuar që të mos e kryejë aktin e kurvërisë jashtë se me ndonjë barrierë (pengesë) që të mos i prishet abdesi.

Vëllezër të dashur, a mund që të parafytyrojmë një gjë të tillë? Por, ndoshta dikush prej jush më pyet se ku qëndron urtësia e kësaj çështje? Po ju them se urtësia e kësaj tashmë nuk është e fshehur. Bota për rreth nesh është bashkuar dhe të gjithë janë bashkuar nën flamurin e forcave botërore cioniste dhe nën flamurin e Izraelit që jeton pranë nesh. Të gjithë janë bashkuar për të zhdukur dhe çrrënjosur gjithë atë që quhet rezistencë dhe kërcënim për sigurinë (stabilitetin) e këtij armiku i cili ka ardhur për t'i shpallur luftë Islamit dhe të gjithëve. Ky është i gjithë skenari i kësaj çështje. Por, Allahu ka dashur (dhe kjo është një nder i madh për ne) që armiqësia dhe lufta të koncentrohet nga ana e këtyre forcave të bashkuara në vendin tonë të bekuar, në këtë vend të shenjtë dhe ndaj atyre të cilët All-llahu i ka nderuar me atë që janë banorë të këtij vendi të bekuar.

Por, cila është ardhmëria? Dhe si duhet të mbrohemi nga kjo armiqësi? Po ua them shkurtimisht e të rrumbullakësuar e që buron nga Libri i All-llahut ku thuhet: "Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e përziejnë me zullum, atyre u takon siguria dhe ata janë në rrugë të drejtë", (Enam, 82).

Vëllezër të dashur, ashtu siç po më dëgjoni ju dhe po më shihni, ashtu edhe ata që më dëgjojnë nga larg, i lus që të analizojmë këto fjalë të All-llahut të Madhëruar që janë të zbritura prej lartë për ne: "Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e përziejnë me zullum, atyre u takon siguria dhe ata janë në rrugë të drejtë", (Enam, 82).

Ejani të gjithë së bashku t'i besatohemi All-llahut nën hijen e këtij ajeti, me udhëheqësi, popull, ushtri, sigurim shtetëror dhe të gjitha grupacionet e ndryshme të këtij Ummeti.

Ejani vëllezër-dhe unë jam i pari që i besatohem All-llahut, tani, ejani t'i besatohemi Atij për të përforcuar besimin tonë në Zotin tonë. A mos kemi ndonjë Zot tjetër pos Tij? Ruana Zot nga kjo. Ejani të forcojmë besatimin tonë me All-llahun që t'i largohemi tiranisë dhe zullumit (padrejtësisë). Tirania dhe zullumi janë të rrezikshëm por, më i keq është zullumi që njeriu ia bën vetvetes. Ejani t'i besatohemi All-llahut Fuqiplotë që të mos i bëjmë zullum vetes sonë dhe t'i pendohemi All-llahut Fuqiplotë për të gjitha llumet, për të gjitha gjynahet si të mëdha ashtu edhe të vogla, e nëse përsëri na rrëshqet këmba përsëri t'i kthehemi Atij sepse Ai e pranon pendimin.

T'i besatohemi All-llahut se nuk do t'i bëjmë zullum vetes sonë duke bërë gjunahe dhe se nuk u afrohemi gjërave që shkaktojnë hidhërimin e Tij. Më pastaj, ejani që t'i besatohemi All-llahut të Lartmadhëruar që të mos i bëjmë zullum njëri-tjetrit. All-llahu Fuqiplotë e urren zullumin dhe zullumqarët. Ejani t'i besatohemi All-llahut se do të jemi mbrojtës të drejtësisë e të mënjanojmë zullumin. Fillimisht në këtë besatim e thërras veten time dhe për këtë besatim i thërras edhe udhëheqësit tanë dhe lus All-llahun për ta që t'ju jep sukses në këtë besatim dhe në trasimin e rrugës së Tij. Ndërkaq e thërras në këtë besatim edhe ushtrinë tonë dhe lus All-llahun që edhe këtyre t'u jep sukses në këtë besatim dhe ta bëjë atë prej mbrojtësve të parimeve dhe vlerave të All-llahut.

Thërras gjithë popullin tonë pa marr parasysh shtresat e tyre dhe gradat e tyre. E thërras veten time dhe të gjithë këta vëllezër të cilët i preh kjo tokë e bekuar të cilët e kanë fatin që të banojnë në sipërfaqen e kësaj toke. Është meritë e madhe që të jemi besueshmëria e ajetit në vijim: "Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e përziejnë me zullum, ...". Pra, çka për ta? "... atyre u takon siguria ...", po "... dhe ata janë në rrugë të drejtë", (Enam, 82).

Pasha All-llahun i Cili është Një dhe që nuk ka shok kjo është një fjalë e vërtetë: "Të cilit nuk mund t'i mvishet e pavërteta nga asnjëra anë (as para e as prapa). Kjo është shpallje prej të Urtit, të Lavdishmit", (Fusilet, 42).

Nëse jemi të sinqertë dhe i besatohemi All-llahut Fuqiplotë për atë që e thamë më sipër, atëherë do të na bëjë hije një mjegull e ardhur nga Mëshiruesi e cila do të jetë siguri dhe paqe e ardhur nga All-llahu Fuqiplotë. Ndërkaq, kurrsesi nuk do të mund që armiku të na bëjë ndonjë dëm, dhe assesi nuk do të mund që e gjithë armiqësia botërore të arrijë nga ky vend i bekuar ndonjë përvetësim si dhe nuk do të mund të arrijnë nga Ummeti i Muhammed Mustafasë ndonjë përvetësim.

Këtë porosi po e përfundoj me kërkim falje nga All-llahu i Madhërishëm.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
E Premte 20. 04. 2012.
E Xhuma 29 Xhumada-Ula 1433.



_________________________

[1] - Daru el-Islam është çdo vend që ka hyrë në rrethin e pushtetit të Islamit dhe janë praktikuar aty ligjet dhe simbolet e Islamit. Konsulto librin: "Atharu el-Harbi fi el-Fikhi el-Islamij", Dr. Vehbe Zuhajli. Fq. 169, Daru El-Fikr, 1983, Damask.
[2] - Daru el-Harb është shteti ku nuk zbatohen ligjet fetare-politike të Islamit, pasi që është shtet që gjendet jashtë kufirit (sferës) të sovranitetit islam. Konsulto librin: "Atharu el-Harbi fi el-Fikhi el-Islamij", Dr. Vehbe Zuhajli, Fq. 170, Daru El-Fikr, 1983, Damask.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...