Banner

Hazreti Aisha (radijallahu anha!) Nëna e besimtarëve - Hyrje 2



Puna ime në këtë libër, e cila, në shikim të parë, është një shqyrtim historik i jetës së hazreti Aishes (radijall-llahu anha!), Nënës së besimtarëve, në të vërtetë nuk është gjë tjetër vetëm se përqendrim në këto ngjarje dhe qëndrime të posaçme.

Mirëpo, unë kam dëshiruar që përqendrimi në këto ngjarje të vijë në raste të qëlluara, në kuadër të prezantimit të jetëshkrimit të saj në tërësi: që prej lindjes e deri në vdekje. Prandaj e kam shkurtuar jetëshkrimin e saj në aspektin e shkrimit të prezantimit të plotë të biografisë së saj dhe ngjarjeve të zakonshme, por, në masë të dukshme kam hedhur dritë në qëndrimet dhe ngjarjet e rëndësishme në jetën e saj.

Libri do të jetë shumë i shkurtër, si jetëshkrim i zakonshëm - nga njëra anë, ndërkaq, nga ana tjetër, mjaft i zgjeruar, pra, me shumë detaje në aspektin e përqendrimit në gjëra dhe qëndrime të rëndësishme në jetën e saj.

Ngjarjet dhe qëndrimet më të rëndësishme në të cilët jam përqendruar më së shumti, janë:

1. Martesa e të Dërguarit të All-llahut (sal-lallahu alejhi ve sel-lem!), [2] me Aishen (radijallahu anha!), dhe problematika për dhe rreth moshës së saj, që është ngritur nga ana e disa shkrimtarëve.

2. Dashuria e posaçme e të Dërguarit të All-llahut (sal-lallahu alejhi ve sel-lem!) ndaj saj dhe dashuria ndaj gruas në përgjithësi, siç transmetohet në hadithin e të Dërguarit të All-llahut, ku ky flet për vetveten.

3. Shpifjet lidhur me Aishen (radijallahu anha!), dhe asaj që ka ndodhur rreth saj dhe pasojat që kanë dalë prej kësaj.

4. Beteja e Devesë dhe zbulimi i atyre që e kanë shkaktuar dhe kanë qëndruar pas kësaj, dhe

5. Gjurmimi i elementeve opozitare në personalitetin e Aishes (radijallahu anha!). Ku dhe si të zbulohet?

Nëse për shumë njerëz që i kanë përshkruar këto ngjarje dhe qëndrime për të cilët bëjnë fjalë titujt e sipërshënuar, ka qenë detyrë që të ngjyrosen sipas qëllimit të cilin e mëton ose idesë që e propagandon, atëherë i lutem All-llahut të Madhëruar, të më ruaj nga ajo që kjo vepër e imja të bëjë pjesë në këtë!

Detyra ime është të paraqes këto ngjarje dhe qëndrime ashtu siç kanë qenë, të demistifikuar, pa kurrfarë vellosh të cilat ia kanë vënë shërbëtorët dhe propaganduesit e orientimeve të ndryshme ideore - duke menduar t'ia afrojnë qëllimeve të caktuara.

Qëllimi i vetëm është të dëgjojmë përse flasin këto qëndrime dhe ngjarje, që ato të prezantohen vetë, në vend se të dëgjojmë çka flitet duke propaganduar qëllime dhe medh'hebe të caktuara, të cilat i përhapin propaganduesit me argumente të përshtatshme për ta. Kjo, para së gjithash, nënkupton lirimin nga egoizmi i tillë dhe kanonizimi i qëndrimeve.

Falënderoj All-llahun e Madhëruar që e ka bërë Islamin tonë udhëzimin më të mirë në këtë shteg dhe ndihmësin më të mirë për lirimin nga këto pranga!

Zoti ynë, na forco ne rrugën Tënde dhe na bëj që t'i përmbahemi fuqishëm Fjalës Tënde! Amin!

"Mos shko pas asaj që nuk e njeh! Edhe dëgjimi, edhe shikimi, edhe mendja, për të gjitha me të vërtetë do të ketë përgjegjësi". [3]



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Selim SYLEJMANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Hazreti Aisha (radijallahu anha) Nëna e besimtarëve".

[2] - Sal-lallahu alejhi ve sel-lem! - do të thotë: Paqja dhe shpëtimi i All-llahut qoftë mbi të! (vër. e përkth.).
[3] - El-lsra', 36.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...