Banner

JoMedhhebizmi: Nuk ka ikje (rrugëdalje) prej imitimit! 1



Cili është argumenti se imitimi (teklidi) është i legalizuar dhe obligativ në rast kur nuk mund të bëjë ixhtihad?! [1]

Argumenti është në disa aspekte:

Aspekti i parë: Fjala e Allahut xh.sh. në Kur'anin Famëlartë: "Pyetni dijetarët nëse nuk e dini".

Ekziston konsensus nga ana e dijetarëve se ky ajet është urdhër për ata që nuk e dinë as hukmin (dispozitën) e as argumentin e tij, që të imitojë atë që e dinë. Të gjithë dijetarët e usulit këtë ajet e konsiderojnë si mbështetje kryesore se njeriu i rëndomtë (i padituri) ka për obligim që të imitojë dijetarin muxhtehid.

Kuptim të ngjashëm me këtë ajet ka edhe ajeti kur'anor: "Nuk është e nevojshme që të dalin në luftë të gjithë besimtarët. E përse nga çdo grumbull i tyre të mos shkojnë një grup për t'u aftësuar në diturinë tetare, për ta mësuar popullin e vet kur të kthehen te ata, në mënyrë që ata të kuptojnë (e të ruhen)". [2]

Allahu xh.sh. ka ndaluar që të gjithë njerëzit të dalin për në luftë si dhe ka urdhëruar që një grup të mbetet dhe të merren me të mësuarit e fesë së Allahut, në atë mënyrë që kur të kthehen vëllezërit e tyre prej luftës të gjejnë kush t'ua mësojë hallallin e haramin dhe kush t'ua sqarojë vendimet e Allahut xh.sh.. [3]



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

[1] - Duhet të dihet se me këtë fjalë kemi për qëllim vetëm dispozita sekondare (furu'), ndërsa nuk lejohet imitimi në çështjet e besimit që kanë të bëjnë me bazat e fesë, sipas konsensusit të dijetarëve.
Dallimi fshehet në atë se në çështjet e besimit nuk mjafton hamendja (edh-dhannu), por, ajo plotësohet me anë të bindjes dhe në mënyrë të prerë, duke u bazuar në ajetin kur'anor: "Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamët dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi".
Po ashtu ajeti kur'anor, i cili ua zë për të madhe atyre që i përmbahen hamendjes (edh-dhannu) në besimin e tyre ku thotë: "... Ata nuk ndjekin tjetër vetëm supozime dhe nuk janë tjetër vetëm se rrenacakë". Në bindje të thellë njeriu mund të arrijë vetëm me anë të të menduarit, hulumtimit dhe studimit.
Ndërsa dispozitat anësore sekundare (furu'), për të realizuar adhurimin ndaj Allahut mjafton hamendja (edh-dhannu). Do të thotë se Allahu xh.sh. në këtë rast hamendjen e muxhtehidit e konsideron argument të sheriatit dhe e obligon që të punojë në bazë të tij.
Argument për këtë është se Muhamedi a.s. dërgonte nga një njeri në vende të ndryshme për t'ua mësuar njerëzve dispozitat sekondare (ehkamul-furu') siç janë ibadetet, etj., dhe i obligonte njerëzit që të veprojnë sipas asaj që u thoshte ky njeri i vetëm: Duke ditur se lajmi i një personit sjell vetëm hamendje (edh-dhannu).
Sikur që atyre u thotë: Nëse mendoni -me anë të studimit ose të imitimit të dijetarit studiues- se hukmi është kështu, atëherë keni për obligim praktikimin e atij. Ky është dallimi mes obligimeve të sferës së besimit dhe dispozitave të fikhut.
[2] - Et-Tevbe: 122.
[3] - Shih tefsirin: El-Xhamiu liehkamil-Kur'an, 8/293,294.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...