Banner

Çfarë janë pasojat e kësaj 'filozofie materialiste'?



Shtrohet pyetja: Çfarë janë pasojat e kësaj 'filozofie materialiste'?

Me këtë filozofi Perëndimi e ka gjykuar familjen në shkatërrim dhe ka rrënuar të gjitha themelet e saj. Eshtë e ditur që indi shoqëror përbëhet prej qelizave të cilat i formon pikërisht familja.

Familja mund të ekzistojë vetëm përmes solidaritetit të anëtarëve të saj, do të thotë përmes përgjegjësisë reciproke, përgjegjësive të bashkëshortëve, si dhe përgjegjësive të prindit ndaj femijëve. Këtë filozofia perëndimore e ka gjykuar me shkatërrim kur u proklamua se çdo individ përgjegjës vetëm për vetveten e tij. Më tej, Perëndimi ia ekspozon feminitetin, këtë karakteristikë thelbësore të femrës, shkatërrimit dhe mbi të gjitha e largon atë nga çdo mundësi që t'i përkushtohet kujdesjes për fëmijët e vet dhe ta përmbushe obligimin e rritjes së tyre.

Sa i përket ekspozimit të feminitetit të saj shkatërrimit, tek kjo vihet kur femra është e detyruar që punë të kërkojë vetëm për të mbijetuar, kur dëshira dhe zgjedhja e saj eliminohen tërësisht.

Prandaj ajo nuk ka mundësi të zgjedhë një punë të përshtatshme e cila do të ishte në pajtim me përkatësinë e saj gjinisë femërore. Meqenëse problemi i saj lidhet me nevojën e mbijetesës, në këtë situatë ajo duhet të flijojë dinjitetin dhe feminitetin e vet, nëse kjo është e nevojshme për hir të ekzistencës dhe për shkak të nevojës jetësore. Nëse i punon fati dhe merr ndonjë punë të mirë dhe me përgjegjësi, kjo është fitore, e nëse nuk është kështu, nuk ka tjetër pos të kënaqet me atë që gjen. Detyrë e saj, në pajtim me rregullat e prera të shoqërisë në të cilën jeton, ta kryejë dhe t'i nënshtrohet tërësisht konditave të cilat shumë shpesh nuk janë aspak të lehta.

Ai që viziton shkurt një prej këtyre shoqërive do të shohë vetëm punët dhe profesionet e lehta femërore të cilat i kryejnë me zell vajza dhe gra në lumturi dhe hare. Do t'i duket se ajo që e shikon është model për lumturinë të cilën femra perëndimore e gëzon në punë të cilën e kryen në shoqërinë e vet.

Mirëpo, realiteti të cilin e njeh secili që thellohet pak në këto shoqëri është ai që kjo tablo e cila i verbon vetëm naivët të cilët nuk shikojnë mjerimin të cilin e përjeton numri më i madh i grave dhe vajzave të cilat jetojnë larg këtij shkëlqimi me të cilin Perëndimi na prezantohet.

Atje në thellësitë e këtyre shoqërive si rregull, eliminohen dallime midis punëve mashkullore dhe atyre femërore. Nuk ka asnjë punë të rëndë dhe të mundimshme që e kryejnë meshkujt, madje edhe shtresa më e ulët e meshkujve, në të cilat nuk do të hasësh edhe shumë femra të cilat i kanë tejkaluar ose garojnë me ta.

Me sytë e mi i kam parë femrat evropiane duke kryer punë të rënda dhe të mundimshme të cilat zor i bëjnë edhe meshkujt. Natyra e këtyre punëve e ka shkrirë feminitetin e tyre dhe i ka shndërruar ato në grumbuj muskujsh të lëvizshëm si pasojë e ashpërsisë së punës fizike. Më kujtohet se kam parë se si hyrjes së aeroportit po i afrohej një taksi. Kur arriti te hyrja, makina ndaloi, dhe prej saj doli me nxitim vozitësi. Kishte të veshur rroba pune. Shkoi drejt kofinit të makinës, e hapi dhe nxori disa valixhe të rënda. Për muado të ishte e pamundur të kuptoj se ishte femër po të mos ishte zëri i saj i cili ra në veshët e mi, e që ishte gjithçka që kishte mbetur nga gjurmët e feminitetit dhe bukurisë.

Përkundër kësaj, kjo punë konsiderohet e mirë në krahasim me punët tjera që i kryejnë femrat pas gjysmës së natës në tunelet e metrosë dhe vende të ngjashme, në firma, spitale dhe trotuaret e rrugëve. Te gjithë këto janë punë prej të cilëve rrëqethet njeriu.

Sa i përket largimit të femrës nga detyrat e edukimit të fëmijëve, që paraqet pasojë të qartë dhe të natyrshme, nuk mendoj se është fshehtësi për dikë. Si dhe kur martohet, cila është obliguar me barrët e këtyre punëve të rënda, prej cilave kemi përmendur disa shembuj dhe ku i kalon pjesa më e madhe e kohës, ofron rast që t'i kthehet fëmijëve të vet me ndonjë kujdes ose vëmendje?!.

Ajo që kjo pasojë shkakton është që fëmijët e saj duhet t'i lerë në çerdhe, foshnjore, dhe ente edukative prej cilave pritet të zënë vendin e nënës. Për të gjitha ata që kanë mend krahas atyre që janë arsimuar dhe kanë pak njohuri në psikologjinë e edukimit, është e qartë se as çerdhet, as foshnjoret, as entet edukative nuk mund ta marrin mbi vete rolin e nënës as të jenë zëvendësim adekuat në procesin e domosdoshëm të edukimit.

Mirëpo, Perëndimi, kur bëri materien dhe paratë thelb të ekzistimit dhe qëllim final i brengës së vet, në rrugë drejt tyre u desh të flijonte çdo gjë që do të mund t'i dilte në rrugë duke mos parë se me këtë është zhytur në rreziqe të shumta të cilat në aspektin afatgjatë domosdo sjellin shkatërrimin e vlerave më të çmuara dhe më të shkëlqyera të civilizimit njerëzor, sepse materia në esencën e saj është mjet dhe jo qëllim.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Selim SYLEJMANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Femra midis tiranisë së sistemit perëndimor dhe mëshirës së ligjit hyjnor".

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...