Banner

JoMedhhebizmi: Risitë që i sjell Autori i Broshurës 3.1



Argumenti i tretë: Nuk ekziston asnjë argument që vërteton se pas vdekjes, njeriu në varr do të pyetet për medhhebet, (f. 10).

Ky argumentim sqaron -siç po e sheh- se autori i broshurës ka bindje se peshoja, me të cilin dihen obligimet, me të cilat Allahu e ka obliguar njeriun, është pyetjet e dy melekëve në varr. Çdo gjë që do të pyesin dy melekët në varr, për të është obligim me të cilin është i angazhuar njeriu, ndërsa atë që nuk do ta pyesin nuk është obligative!

Nuk e di, a është vërtetuar në ndonjë burim prej burimeve të besimit islam se dy melekët do ta pyesin të vdekurin për borxhet që ua ka njerëzve, për shitblerjet që nuk kanë qenë të drejta, për lënien pas dore të edukimit të familjes dhe të femijëve ose për kohën që e ka kaluar në dëfrim?!

Nëse ekziston ndonjë argument që vërteton se dy melekët do ta pyesin të vdekurin për këto gjëra dhe të ngjashme me to, atëherë do të mund të shohim se a do ta pyesin melekët se për çka e ka imituar medhhebin e shafiiut e nuk ka bërë vetë ixhtihad, si dhe për çka ka imituar rregullisht vetëm një medhheb e nuk e ka ndryshuar?

Nëse dy melekët do ta pyesin për këtë, atëherë dëshmoj se autori i broshurës është në të drejtë dhe dëshmoj se unë dhe të gjithë hulumtuesil dhe dijetarët e tjerë kemi qenë në gabim kur kemi menduar se pyetjet e dy melekëve përfshijnë parimet kryesore të islamit të përmbledhura në disa pyetje të numëruara, siç është vërtetuar në hadithe të vërteta. Atëherë, është e domosdoshme që roli i melekëve me të vdekurin të jetë rol gjithëpërfshirës dhe në mënyrë të hollësishme!

Mirëpo, unë vazhdoj të them siç thonë të gjithë dijetarët dhe muslimanët, se obligimet që i bartin muslimanët mbi supet e tyre në këtë botë janë shumë më të mëdha se sa të përfshihen në pyetjet e dy melekëve që ua bëjnë atyre në varr.

Gjithashtu, këtij argumenti të tretë nuk mund t'i gjeshë asnjë kuptim të qartë, përpos nëse paramendon përsëri se autori i broshurës ka bindje se medhhebet e imamëve në të kuptuarit e dispozitave të sheriatit prej Kuranit dhe sunnetit janë medhhebe që garojnë me medhhebin e Muhamedit a.s..

Ata imamë pra (sipas autorit të broshurës) kanë ardhur që ta zënë vendin e tij dhe të garojnë me të. Në këtë rast është plotësisht normale se dy melekët të vdekurin do ta pyesin për qëndrimin e tij ndaj këtij njeriu që është i dërguar tek ata, do të thotë ndaj Muhamedit a.s., e nuk do ta pyesin për diçka prej medhhebeve tjera, të cilat kanë lindur më pas.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...