Banner

Të gënjejnë kur të thonë se ... - Hyrje 1



Hyrje

Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Lavdi i takon gjithmonë vetëm Allahut në të gjitha ndryshueshmëritë dhe situatat.

Lavdi i takon vetëm Allahut, me begatimin e të Cilit plotësohen të mirat. Përshëndes dhe i dërgoj selame të Dërguarit të dashur të Allahut, me të cilin arrij kënaqësinë e Allahut dhe arrij nderin e afrimit ndaj të Dërguarit të Allahut, bekimet e Allahut qofshin për të, familjen dhe për të gjithë shokët e tij.

Materiali që keni para jush është një seri e ligjëratave televizive të mia që kam mbajtur para dy vjetëve e më tepër si përgjigje ndaj dëshirës së vëllezërve, konkretisht anëtarëve të Kompanisë "El-Fatih" për informacion, e cila më pas i ka transmetuar në disa kanale satelitore. Njëkohësisht kam mësuar se një masë e madhe nga njerëzit kanë dëgjuar për këto ligjërata, por nuk kanë pasur rast t'i dëgjojnë drejtpërdrejt ato.

Krahas kësaj edhe shumë të tjerë që nuk kanë pasur rastin t'i dëgjojnë, kërkuan që unë ato t'i tuboj në një libër, prandaj vendosa të ndërmarr një gjë të tillë, sidomos kur pashë se interesimi ishte shumë i madh saqë një masë e madhe nga njerëzit filluan të vinin tek unë dhe t'i shkarkonin incizimet që posedonin e të cilat i mbanin seritë e këtyre ligjëratave dhe për këtë gjest të tyre u jam falënderues. Nga ana tjetër, një gjë e tillë mua më bëri që të ndihem i obliguar që të vazhdoj këtë projekt deri në fund, duke u dhënë këtyre ligjëratave edhe një kontribut dhe shërbim të ri si për nga formulimi, radhitja, heqja e gjërave të përsëritura, si dhe për nga plotësimi i zbrazëtirave.

Fillova realizimin e kësaj pune duke e menduar të lehtë, por këtë e përfundova pas një mundi të madh. Sikur të bëja një formulim krejtësisht të ri të këtyre kuptimeve të cilat i përmbanin këto seri, do të kurseja më tepër rehati dhe do t'i dilja në fund me një mund shumë më të vogël.

* * *

Titulli i përsëritur i këtyre ligjëratave është: "Të gënjejnë kur të thonë se ...".

Pika e përbashkët ndërmjet këtyre përmbajtjeve të ligjëratave është se të gjitha ato brenda tyre përmbajnë diskutime dhe botëkuptime të ideve që kanë depërtuar fshehurazi (në mënyrë dredhake dhe tinëzare) në konstruktin e parimeve dhe të vërtetave islame. Ndërkaq, pastaj dikush është kujdesur dhe është angazhuar për t'i konsideruar të mirëseardhura duke u dhënë dhe duke i ngritur ato në shkallën e të vërtetave të Islamit. Të tillët pastaj morën përsipër që edhe t'i mbrojnë këto (ide të futura) me sofizma (gënjeshtra) të cilat nuk janë të panjohura për dijetarët për nga pavërtetësia e tyre si dhe manipulimet e atyre fjalëve.

Metoda me të cilën unë gjatë kësaj pune e kam detyruar veten është metoda e dialogut.

E vërtetë është se unë nuk kam zhvilluar dialog me asnjë apologjet të këtyre sofizmave dhe nuk kam pasur para meje asnjë, gjatë bisedës sime për to, por unë i di arsyet dhe pretekstet të cilat ata i përdorin për të mbrojtur sofizmat e tyre. Nga ana tjetër, unë po ashtu kam detyruar veten time që arsyet e tyre t'i paraqes në mënyrë të plotë sikur të isha ndonjë besnik i tyre dhe ithtar e i bindur me rezultatet e tyre. Njëkohësisht, unë ndaj tyre dhe antitezave të tyre kam ndërmarrë qëndrim të hulumtuesit e studiuesit të paanshëm, ndërkaq logjikën dhe kriteret e paanshme të mendjes i kam marrë për gjykues (arbitër) të prerë mbi çështjet në fjalë.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të gënjejnë kur të thonë se ...".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...