Banner

Dr. Muhamed Seid Ramadan El-Buti - shehidi i mihrabit



Me 21 mars të vitit 2013 e gjithë bota muslimane mbeti e shtangur. Atë mëngjes nga Siria e luftës qytetare u dha lajmi i vrasjes së Ramadan El-Butit, shejhut, al-lames, dijetarit të madh të Sirisë dhe botës arabe e islame.

Shumë shpejt pas lajmit, në rrjetet sociale u përhap edhe video tronditëse e vrasjes së errët. U vra në xhaminë "Iman" në qendër të Damaskut, në kohën kur ishte duke mbajtur ligjëratat e tij të rregullta. Në video shiheshin momentet e fundit të njeriut të cilin më vonë mediat arabe e quajtën "shehidi i mihrabit".

Shejh Ramadan El-Buti u vra duke mbajtur ligjëratë dhe shpirtin e dha mbi një tavolinë ku qëndronte Kurani. Për fat të keq vrasja e njeriut që mbante ders në xhami ende nuk është sqaruar plotësisht.

Shejh El-Buti ishte ekspert i së drejtës së sheriatit. Ishte nga dijetarët më të mëdhenj të Sirisë dhe të botës arabe.

"Ligjëratat e tij të hënën dhe të enjten, të cilat i mbante nga fusha të ndryshme, ishin më të vizituarat në Damask. Gjithmonë e dëgjonin mijëra njerëz duke u kënaqur me ligjëratat e tij shumë profesionale, të përshtatura me bontonin islam, me traditën profetike si dhe me problematikat aktuale. Dhe askush, ama askush, nuk mund të mohojë popullaritetin e tij të madh, ndikimin dhe kontributin që Dr. Buti ia la botës islame".

Namazi i xhenazes së shejh El-Butit dhe nipit të tij Ahmedit, i cili u vra bashkë me të, u fal me 23 mars në xhaminë emevite në Damask dhe u varros pranë varrit të bashkatdhetarit të tij, komandantit të njohur musliman Salahudin Ejubit. Të dy këta sipas përkatësisë etnike kanë qenë Kurd. Namazin e xhenazes ia fali djali i tij, dr. Muhamed Tawik El-Buti, i cili është profesor i shkencave Islame.

Kam pasur nderin që t’i takoj të dy këta njerëz të mëdhenj. Në fakt, në fund të vitit 2006, shejh Ramadan El-Buti dhe djali i tij ishin mysafir të shoqatës Ilmije në BIH ku merrnin pjesë në tribunën me titull "Umeti sot". U morëm vesh që unë të bëj një intervistë me Dr. Butin, mirëpo për shkak të kohës, intervistën me të e bëmë në veturë gjatë rrugës duke shkuar nga Sarajeva në Mostar. Unë ia bëja pyetjet ndërsa përkthente një tjetër sirian. Pamja dhe fjalimi i tij ishin shumë modest. Fliste për Islamin në Siri, për sfidat me të cilat përballet bota muslimane sot.

Duke udhëtuar erdhi radha edhe tek pyetja që kishte të bëj me raportet e tij me regjimin. Në këtë rast përkthyesi më bëri me shenjë ta tejkalojmë këtë pyetje. Shejh Buti e vërejti këtë dhe i tha të përkthejë. Natyrisht unë pyetjen e kisha konceptuar ashtu që nga ai kërkoja një koment për akuzat ndaj tij, gjegjësisht bashkëpunimi i tij me regjimin. Ai u përgjig, mirëpo e vërejta se nuk i vjen mirë kjo pyetje. E pash se ai dëshironte të distancohet nga regjimi, mirëpo edhe dëshironte të mbaj atë lidhje të hollë me regjimin që në këtë mënyrë të vazhdojë të veprojë për të mirën e sirianëve.

Logjika e tij ishte që regjimi nuk bën, mirëpo edhe më keq do të ishte të heshtej dhe të heqësh dorë nga të ftuarit në islam qoftë edhe në ato raste të pakta. Dr. El-Buti nuk ishte njeri i regjimit, mirëpo nuk ishte edhe kundër regjimit. Në fakt, ai nuk ishte i askujt sepse nuk i takonte askujt dhe për këtë i pengonte secilit. Kështu unë e kuptova se çfarë kishte ndodhur me këtë dijetar të madh.

Shejh El-Buti jetën e kësaj bote do ta përfundojë në mënyrë tragjike. Këtë jetë ai e përfundoi si "një alim të cilin e ngriti feja, ndërsa e vrau politika". Shejhu shkoi në ahiret si shehid i mihrabit. Zoti e mëshiroftë shpirtin fisnik të dijetarit!



Autor: Mirnes Kovaç